Lajme

Polici i akuzuar për përvetësimin e një telefoni: S’kam pasur qëllim të përfitimit, atë ditë kisha probleme familjare

Autori: Gazeta inFokus 18:59 | 14 February 2023

“Nuk kam pas qëllim që të keqpërdori detyrën zyrtare dhe as qëllim të përfitimit pasuror për vete, atë ditë kam qenë me probleme familjare, në çdo njëri problemet psiqike mund të ndikojnë edhe në punë”. Kështu ka deklaruar të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Radosava Milosevica i cili po akuzohet se ka përvetësuar një telefon Samsung S10+ në vlerë prej 630 euro.

I akuzuari Milosevica, tha se asnjëherë më parë nuk i kishte ndodhur që të kishte probleme në punën e tij si polic, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në moshën 20 vjeçare kam hy si polic, shpirti dhe trupi im janë rritur në atë uniformë dhe asnjëherë më parë nuk kam pas asnjë shkelje disiplinore dhe asnjë ankesë ndaj meje dhe punë sime, më vjen shumë keq që ka ardhur deri te kjo mosmarrëveshje”, ka thënë tutje Milosevica

-Advertisement-

I njëjti, me kërkesën e mbrojtësit të tij, avokatit Elmi Qerimi, ka përshkruar ngjarjen e ndodhur më 8 maj 2020 në fshatin Gotovushë, Komuna e Shtërpcës.

I akuzuari Milosevica ka thënë se atë ditë ka pas një diskutim me bashkëshorten e tij që të njëjtit të ndaheshin dhe fëmijët t’i besoheshin të njëjtit.

“Atë ditë ka qenë shumë i lodhur nga puna dhe se e kisha menduar ta marr pushim mirëpo kam vendosur të punoi. Vazhdimisht m’ka kalu nëpër mëndje se si t’i harmonizoj orarin e punës në polici dhe kujdesin e fëmijëve”, ka thënë Milosevica

Tutje i akuzuari ka treguar se çfarë kishte ndodhur atë ditë derisa ishte në orarin e punës.

“Ditën  me 8 maj 2020, rreth orës 21:00, jemi nis në fshatin Gotovushë, pasi kemi arritur kemi hyrë në oborrin e fushës së sportit ku kemi hasur një numër të madh të njerëzve, disa kanë qenë duke luajtur futboll e disa të tjerë duke qëndruar në tribuna si shikues, ato momente janë ndalur reflektorët dhe një masë e njerëzve kanë ikur, kështu që rreshterët Radisha Jovanoviq, Dragan Markoviq dhe Aleksander Jacoviq menjëherë kanë filluar t’i ndiqnin personat që iknin”, ka rrëfyer i akuzuari Milosevica

I njëjti tha se me t’u larguar 3 rreshterët policorë, kishin lënë veturën hapur dhe të ndezur, kështu që sipas tij, ai kishte vendos të qëndronte afër veturës zyrtare që ishte e hapur dhe e ndezur.

“Vendosa me ndejt afër veturës sepse ishte e ndezur dhe e hapur, por edhe për arsye se unë nuk e njihja terrenin, poashtu ishte errësirë dhe mund të humbisja, ndërsa aty afër veturës ishin tribunat ku unë gjatë kontrollit kam gjetur një telefon, vendosa me marr telefonin me qëllim që të njëjtin ta siguroj dhe që më vonë ta njoftoj mbikëqyrësin”, ka thënë tutje Milosevica.

Tutje, i akuzuari Milosevica tha se pasi tre rreshterët policorë u kthyen te vetura, sipas tij, të njëjtit ishin të mbushur frymë dhe kishin thënë të hipnin me shpejtësi në veturë që të vazhdonin ndjekjen, e pastaj të njëjtit kishin vazhduar në kontrolla të mëtejme në disa fshatra të tjera.

Sipas tij,  gjatë kësaj periudhe të kontollës në teren e derisa të njëjtit janë kthyer në stacion, telefoni të cilin e kishte gjetur në tribunat e fushës së sportit nuk kishte cingëruar asnjëherë përderisa e kishte mbajtur në xhepin e jaknes zyrtare.

“Pasi që atë ditë isha shumë i lodhur nga puna, dhe kisha mendjen tek problemet e mia familjare totoleshit kisha harruar t’i lajmëroj mbikëqyrësit për telefonin që kam gjetur”, ka rrëfyer tutje ai.

Ndërsa, pasi ishin kthyer në stacionin policor në Shtërpcë, kishin pranuar urdhër nga rreshteri që të vazhdonte patrullimin me kolegun e tij Aleksander Jacoviq.

“Me t’u kthyer në stacion dëgjoj disa fjalë telefoni telefoni, përnjëherë si me më ra llava përmbi, kam mendu se si e kam harruar telefonin që e kam gjetur, aty pranë stacionit ishin mbledhur një turmë e njerëzve ku nuk kisha mundësi t’u kaloja pranë sepse ka qenë mundësia edhe për të sulmuar ndonjëri prej tyre”, ka thënë i njëjti.

Pas kësaj, i akuzuari Milosevica tha se pa qëllim të keq por me qëllim që të kalonte pa u penguar nga turma e njerëzve, ishte detyruar ta linte telefonin e gjetur në një skaj të rrugës, e që të shkonte t’i tregonte mbikëqyrësit të tij për rastin.

“Kam kaluar masën e njerëzve, kam hy në stacion për të biseduar me mbikqyrësit, pastaj i’u kam drejtuar rreshterit Dragan, se a mundemi me hy në stacion se kam për të lajmëruar diçka, pastaj aty iu kam thënë se nga problemet e mia familjare kam harruar të lajmëroj se e kam gjetur një telefon, dhe se nga frika e masës së njerëzve e kishte lënë në një cep të rrugës”, ka thënë i akuzuari Milosevica

Paraprakisht, në këtë shqyrtim gjyqësor janë dëgjuar dëshmitarët Aleksander Jacoviq, Jovan Mladenoviq dhe Bekim Osmani

Dëshmitari Aleksander Jacoviq, ka rrëfyer se më 8 maj 2023, ka qenë së bashku me tani të akuzuarin Radosava Milosevica, në fshatin Gotovushë të Shtërpcës.

I njëjti tha se kolegu i tij Milosevica nuk i kishte përmendur telefonin që kishte gjetur,por sipas tij i njëjti i kishte folur vetëm për problemet e tij familjare.

Ndërsa, dëshmitari Jovan Mladenoviq, tha shefi i ndrrimit iu kishte thënë se ka një ankues dhe ju pret në fushën e futbollit, ne kemi shkuar aty, por dikush ka ndal reflektorët dhe kanë ikur.

“Aty një personit i ka humb telefoni dhe e ka lajmëruar policinë për ta paraqitur rastin”, tha dëshmitari Mladenoviq

Ndërsa, dëshmitari Bekim Osmani tha se pasi që personi që i kishte humbur telefoni kishte paraqitur rastin, i njëjti kishte thënë se përmes një aplikacioni tregohet se ai telefon ndodhet afër stacionit policorë në Shtërpcë.

“Deklaratën e atij personi e ka marrë kolegu Jovanoviq për shkak se kanë pas të njëjtën gjuhë, ndërsa unë të nesërmen në mëngjes e kam kuptuar që telefoni është gjetur dhe se kolegu Radosava e kishte marrë”, tha dëshmitari Osmani.

I njëjti tha se më pas kishte biseduar me kolegun e tij Radosavën, pse kishte ndodhur kjo ngjarje, ndërsa ky i fundit i kishte sqaruar se nuk kishte pas për qëllim që të përvetësonte atë telefon.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 24 mars 2023.

Më 27 maj 2021, polici Milosevica ishte deklaruar i pafajshëm nga akuza e korrupsionit se përvetësoi një telefon në vlerë mbi 600 euro

Sipas aktakuzës, i pandehuri Radosava Milosevica ngarkohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, Milosevica në cilësinë e zyrtarit policor, bashkë me tre kolegë të tij, rreshterin Dragan Markoviq, rreshterin Radisha Jovanoviq dhe policin Aleksander Jakocoviq kishin shkuar për të mbikëqyrur zbatimin e masave anti-COVID, me ç’rast në fshatin Gotovush të Shtërpcës disa persona kishin qenë duke luajtur futboll dhe të njëjtit kishin ikur.

Tutje, në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollit të fushës sportive, i pandehuri ka gjetur një telefon të markës Samsung S10+ në vlerë prej 630 euro, i cili ishte pronë e të dëmtuarit Andrea Simiq, e që telefonin e cekur nuk e kishte dorëzuar në stacionin policor, por e kishte fshehur rreth 100 metra larg stacionit policor, me qëllim të përvetësimit për vete.

Pas ankesës nga i dëmtuari, i pandehuri kishte pranuar se telefonin e kishte fshehur dhe të njëjtin e kishte gjetur dhe ia kishte kthyer të dëmtuarit.

Me këtë, polici ngarkohet se ka kryer veprën penale bazuar në nenin 414, paragrafi 1 të Kodit Penal, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ku dënimi parashihet nga një deri në tetë vite burgim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera