Lajme

Policëve të Kosovës iu lejohet puna dytësore, zakonisht bëjnë roje natën

Autori: Gazeta inFokus 22:47 | 07 December 2019

Disa zyrtarë policorë mbajnë edhe një punë të dytë. E në të shumtën e rasteve, ata janë rojtarë të bizneseve të ndryshme.

Nga Policia e Kosovës thonë se atyre iu lejohet të ushtrojnë një punë të dytë, mirëpo njohësit e sigurisë po e kundërshtojnë këtë.

Sipas këtyre të fundit zyrtarët policorë nuk do të ushtronin punë të dytë nësër po të njejtit do të kishin rroga më të larta dhe sigurime shëndetësore.

-Advertisement-

Zyrtarët policor kanë të drejtë të mbajnë një punë të dytë, njohësit e sigurisë thonë se kjo duhet të ndalohet.

Një incident i rëndë ndodhi para një diskoteke në qendër të Prishtinës.

Katër veta u plagosen me armë zjarri, e gjithë kjo doli se ndodhi në sy të dy policëve.

Dy pjestarë të Njësisë Speciale Operative, këtu po ushtronin një punë dytësore si roje sigurie.

Ata nuk intervenuan për të parandaluar incidentin.

E kjo ju kushtoi me suspendim nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me incidentin në diskotekën Duplex në Prishtinë, ka kërkuar informacione nga Policia Kosovës lidhur me veprimet/reagimet apo mos veprimet eventuale nga zyrtarët policorë që janë ndodhur afër vendit të ngjarjes sipas detyrës zyrtare apo edhe jashtë detyrës zyrtare. Inspektorati ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Njësive të Specializuara me inicialet G.P dhe I.H deri në përfundim të hetimeve.

Por, policët e kanë të lejuar që të ushtrojnë një punë dytësore.

Angazhimi i policëve në punë të dyta është i lejuar sipas një rregulloreje të brendshme të Policisë së Kosovës.

Bazuar ne udhëzime të brendshme të PK-së, të punësuarit në polici u lejohet, pas aprovimit paraprak, të kryejnë punë jashtë orari, lloji i punës që mund ta kryejnë dhe orët për një javë janë të specifikuara në rregullore.

Komandanti i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka sqaruar procedurat se si një zyrtarit policor i mundësohet të mbajë një punë të dytë.

E njohës të sigurisë, thonë se parimisht nuk do të duhej që zyrtarëve policorë t’iu lejohet të bëjnë punë të tjera.

Nuredin Ibishi, thotë se kjo mund të zgjidhet me rritjen e pagave për zyrtarët policor dhe ofrimi i sigurimit shëndetësor.

Ibishi pohon se mbajtja e një pune tjetër gjithsesi ndikon edhe në rënien e produktivitet të punës primare që kanë zyrtarët policorë.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka marrëveshje zyrtare me institucione të caktuara për t’u ofruar shërbimin e sigurimit nga ana e policëve. Këtu përfshihen institucionet publike, disa kompani private dhe ofrimi i sigurimit në ngjarje sportive.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera