Lajme

Podujeva fillon vlerësimin e dëmeve nga vërshimet e shiut

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 09 March 2018

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën është debatuar për vërshimet e ditëve të fundit, që kanë përfshirë disa zona të komunës.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, që u kryesua nga Fatmir Gashi, mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe anëtarë të ekzekutivit të Komunës, është debatuar lidhur me aktivitetet e ndërmarra, gjendjen e krijuar dhe pasojat e shkaktuara nga vërshimet e javës së fundit në territorin e Komunës së Podujevës, shkruan Infokusi.

Aty u bë e ditur se komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara është në terren dhe po bëhet regjistrimi i dëmeve.

-Advertisement-

“Në diskutimet e këshilltarëve lidhur me këtë çështje u identifikuan zonat dhe lokalitetet të cilat kanë qenë më të atakuara gjatë këtyre vërshimeve dhe u propozuan masat dhe veprimet që duhet të  ndërmerren me prioritet në mënjanimin e rrezikut nga vërshimet”, bëhet e ditur në një Komunikatë të kësaj komune dërguar mediave.

Në cilësinë e shefit të grupit të këshilltarëve të LVV-së, dhe si iniciues për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, Fitim Haziri, paraqiti para këshilltarëve argumentet dhe nevojën e debatit lidhur me vërshimet e fundit. Këshilltari Haziri numëroi disa nga zonat më të goditura nga vërshimet, duke propozuar masat që duhet të ndërmerren dhe nevojën e rritjes së buxhetit komunal për vazhdimin e zgjerimit dhe pastrimit të shtretërve të lumenjve, shkruan Infokusi.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, prezantoi informatën për vërshimet e fundit, duke thënë se ekipi komunal i emergjencave dhe kompania e kontraktuar për intervenim me mekanizëm, gjatë gjithë kohës kanë qenë në teren për të intervenuar aty ku ka mundur të intervenohet, në evitimin pasojave të vërshimeve dhe evakuimin eventual të qytetarëve.

Muçiqi tha se pavarësisht investimeve që janë bërë në zgjerimin dhe pastrimin e një pjese të madhe të shtretërve të lumenjve, vërshimet kanë qenë të pashmangshme për shkak të vëllimit të madh të ujit, si pasojë e shkrirjes së menjëhershme të borës të përcjellë me reshje shiu.

“Krahas investimeve të bëra gjatë viteve të fundit në zgjerimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjve dhe ndërtimin urave, Komuna edhe gjatë këtij viti ka planifikuar një buxhet prej 280 mijë euro, për zgjerimin e një segmenti të lumit Llap dhe të lumit Dumnica”, tha ai. /INFOKUSI/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera