Lajme

Podujeva dhe Mitrovica e Veriut votojnë sot për kryetarin e komunës

Autori: Gazeta inFokus 09:21 | 29 November 2020

Qytetarët e Podujevës dhe veriut të Mitrovicës, nën masat anit-covid, sot do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e tyre, i cili do të ketë mandat deri në zgjedhjet e ardhshme komunale të vitit 2021.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendës kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit.

Në këtë komunë janë 7 Qendra të Votimit me gjithsej 27 Vendvotime, ku të drejtë vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë.

-Advertisement-

Gjithashtu, edhe komuna e Podujevës, ka mbetur pa kryetar që nga muaji qershor, pasi Agim Veliu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në garë për të parin e komunës, janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.

Në këtë komunë janë 45 Qendra të Votimit me gjithsej 115 Vendvotime, ku të drejtë vote kanë 87 mijë 381 persona.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera