Lajme

Plani i Rritjes, Kosova e katër shtetet tjera një hap larg pranimit të pagesave të para – sa do të mund të përfitojë?

Autori: Gazeta inFokus 09:12 | 12 October 2024

Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë një hap larg pranimit të pagesave të para nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, në vlerë 6 miliardë euro.

Agjendat e reformave të këtyre pesë vendeve janë miratuar dje, për çka ka njoftuar presidenca hungareze e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian pritet që më 16 tetor ta miratojë vendimin përfundimtar për zbatimin e pagesave dhe në këtë mënyrë do të jetë i gatshëm që t’i kryejë edhe pagesat e para nga kjo paketa për këto vende.

-Advertisement-

Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme.

Me këtë paketë, BE-ja synon të ndihmojë rritjen ekonomike në vendet e rajonit dhe, në këtë mënyrë, ta përshpejtojë procesin e integrimit të tyre evropian.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Mbi 250 milionë euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Rrjedhimisht, Kosovës do t’i paguheshin 7% e mjeteve si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro.

I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnje e Hercegovina, pasi që dokumenti që ky vend e ka dërguar në BE, nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera