Pjesë e familjes Omicron, çfarë është varianti BA.5 i koronavirusit dhe pse po përhapet

Autori: Gazeta inFokus
09:20 | 14 July 2022
BA.5 – pjesë e familjes Omicron – është varianti më i fundit i koronavirusit, që është duke shkaktuar valë infeksionesh në të gjithë botën.
Sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, BA.5 qëndron pas 52% të rasteve të regjistruara në fund të qershorit.
Në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se është duke shkaktuar rreth 65% të infektimeve.
Rritja e numrit të rasteve
BA.5 nuk është i ri. I identifikuar për herë të parë në muajin janar, ai është gjurmuar nga OBSH-ja qysh në prill.
Ai është variant simotër i llojit Omicron, që ka qenë mbizotërues në mbarë botën qe nga fundi i vitit 2021 dhe ka shkaktuar rritje të shkallës së infeksionit në pjesë të Evropës, Australisë dhe Afrikës së Jugut, ku edhe është gjetur për herë të parë.
Të dhënat e OBSH-së tregojnë se numri i rasteve me koronavirus në botë, është në rritje tash e katër javë rresht.
Pse po përhapet?
Ashtu si varianti i tij simotër, BA.4, edhe BA.5 arrin të shmangë mbrojtjen imune, të siguruar ose nga vaksinimi, ose nga infeksioni i mëparshëm.
Për këtë arsye, “BA.5 ka avantazh në rritje ndaj nënvarianteve të tjera të Omicronit që janë duke qarkulluar”, ka thënë Maria Van Kerkhove, zyrtare në OBSH, më 12 korrik.
Për shumë njerëz, kjo do të thotë riinfektim – në shumë raste edhe pas një kohe të shkurtër.
Van Kerkhove ka thënë se OBSH-ja po i analizon raportet e riinfektimit.
“Kemi prova të shumta që tregojnë se njerëzit që janë infektuar me Omicron, janë duke u infektuar edhe me BA.5. Nuk ka dyshim për këtë”, ka thënë Gregory Poland, virolog dhe studiues i vaksinave në Klinikën Mayo, në Minesotë të SHBA-së.
Jo më i rëndë
Numri në rritje i rasteve ka shkaktuar më shumë shtrime në spital në disa vende, por numri i vdekjeve nuk është rritur në mënyrë dramatike.
Kjo ndodh kryesisht për faktin se vaksinat vazhdojnë të mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, nëse jo kundër infeksionit.
Prodhuesit dhe rregullatorët, po ashtu, janë duke konsideruar vaksinat e modifikuara, që synojnë drejtpërdrejt variantet më të reja të Omicronit.
Van Kerkhove ka thënë se nuk ka asnjë provë që tregon se BA.5 është më i rrezikshëm se çdo variant tjetër i Omicronit. Megjithatë, rritja e numrit të rasteve, sipas saj, mund të shkaktojë presion mbi shërbimet shëndetësore.
OBSH-ja dhe ekspertë të tjerë kanë thënë, po ashtu, se pandemia e vazhdueshme – e zgjatur nga shpërndarja jo e barabartë e vaksinave dhe dëshira e shumë vendeve “për të lëvizur përpara” – do të çojë vetëm në variante më të reja dhe të paparashikueshme.
Shkencëtarët tashmë po tërheqin vërejtjen për variantin BA.2.75 – i identifikuar për herë të parë në Indi – i cili ka një numër të madh mutacionesh dhe po përhapet me shpejtësi.
OBSH-ja ka thënë më 12 korrik se pandemia mbetet emergjencë shëndetësore globale dhe se vendet, krahas vaksinimit, duhet t’i marrin në konsideratë edhe masat tjera mbrojtëse, si maskat dhe distancën sociale, kur numri i rasteve rritet.
“Ajo që njerëzit nuk e kuptojnë, është se kur ka një nivel të lartë të transmetimit në komunitet, ai [virusi] do të ndryshojë”, ka thënë Poland.
“Kush e di se çfarë do të vijë më pas. Ne po luajmë me zjarr”, ka thënë ai./REL
Të tjera
-
Ky është 17 vjeçari që vdiq në Qyshk të Pejës
Sot rreth orës 15:00 një motoçiklist ka humbur jetën pasi ka goditur një shty...
-
“Bëni gati valixhet për të lënë shtëpitë”, lajm i keq nga Britania
Britanikët janë paralajmëruar të bëhen gati për të lënë shtëpitë e tyre si pa...
-
Rëndohet gjendja, shpallet situatë emergjente në veri të Krimesë
Autoritetet ruse në Krime kanë shpallur një “situatë emergjente” në veri të g...
-
Ramiz Lladrovci ka disa sugjerime për Kryeministrin Kurti
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i është drejtuar Kryeministrit Albin Ku...
-
Këto janë vendet që do të mbesin pa rrymë gjatë dy ditëve të ardhshme
KEDS ka njoftuar se gjatë dy ditëve të ardhshme për shkak të punimeve do të ...
-
KEK-u jep detajet e fundit për gjendjen me energjinë elektrike në vend
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se bashkëpunimi me Korporatën Ele...
-
Kaq do të kushtojnë biletat në Lojërat Olimpike në Paris të vitit 2024
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka njoftuar se çmimet e biletave për lojërat ol...
-
Rryma pesëfish më e shtrenjtë – KEDS bën këtë veprim
KEDS ka bërë të ditur se kanë filluar takimet me institucionet për të diskutu...
-
Gruaja e Joe Biden, infektohet me virusin Covid-19
Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden rezultoi më 16 gusht pozitive me virusin C...
-
Vrasja në Prizren, dëshmitari thotë se pa momentin kur të akuzuarit e goditën me thikë të ndjerin
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, është dëgjuar dëshmitari, Miran ...
-
Zana Avdiu tregon se çfarë do të kishte vepruar po ta kishte pushtetin në dorë
Aktivistja, Zana Avdiu, tashmë njihet për si një nga femrat e cila lufton për...
-
SHBA-ja teston raketën balistike ndërkontinentale “Minuteman 3”
Ushtria amerikane bëri të ditur se më 16 gusht zhvilloi me sukses një provë m...