Lajme

Petkoviq: Perëndimi përpiqet të na anestezojë sepse e do Kosovën në KB

Autori: Gazeta inFokus 13:04 | 10 October 2022

Pas Drecunit, edhe një shërbëtor i Vuçiqit lajmërohet duke pohuar se sa vështirë e ka Serbia përkitazi me presionin e Perëndimit që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara. Edhe Petkoviq tregon se Serbia është “dëmi kolateral” në këtë tregim dhe në mënyrë të tërthortë paralajmëron se “për shkak të paqes, stabilitetit dhe jetës më të mirë të serbëve”, Serbia më në fund mund të gjunjëzohet para kërkesave të Perëndimit.

“Në çdo gjë që po ndodh, është nënshkrimi i Perëndimit, i cili me hapa të vegjël po mundohet të na anestezojë dhe të na çojë në politikën e aktit të kryer dhe të thotë: gjithçka ka mbaruar dhe ju duhet të njihni Kosovën. Perëndimi është i interesuar për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe përgjigja jonë është se ne nuk jemi të interesuar për këtë dhe se “për ne është e papranueshme”, ka deklaruar drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.

Petkoviq ka deklaruar për televizionin pro-qeveritar “Pink” se vala e re e presionit do të rritet deri në fund të vitit, transmeton Paparaci.

-Advertisement-

“Arsyeja kryesore e presionit është se nga njëra anë Evropa po konsolidon radhët e saj brenda BE-së dhe nga ana tjetër Perëndimi dëshiron që duke e zgjidhur çështjen e Kosovës ashtu si ata e shohin dhe e imponojnë t’ia heqë argumentin Putinit, i cili tani gjithnjë e më shumë po i referohet Kosovës, duke u përpjekur të justifikojë veprimet e tij në Ukrainë. Sado që çështja e Kosovës po shfaqet në skenën ndërkombëtare si argument i të dyja palëve, për ne është aq më vështirë sepse presioni nga Perëndimi po rritet”, ka thënë Petkoviq.

Perëndimi, pretendon Petkoviq, “do të dëshironte t’ia lehtësonte vetes duke thënë se ata gjithmonë kanë qenë në të njëjtat parime të respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe të detyrojnë Serbinë të njohë Kosovën dhe të thonë se çështja është zgjidhur dhe se argumentet e Perëndimit në sulmin ndaj Vladimir Putinit janë të sakta”.

“Nuk është aspak e lehtë për ne, ne jemi “dëmi kolateral” i konfliktit mes vendeve më të fuqishme në botë, por duhet të luftojmë me mençuri dhe të ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe gjithçka që kemi arritur të krijojmë në dhjetë vjetët e fundit dhe të sigurojë një jetë më të mirë për popullin tonë këtu, si dhe për serbët e Kosovës në kuptimin ekonomik”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai gjithashtu e përmend vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si “vendim vdekjeprurës për Serbinë”, në të cilin vendim tani i referohen edhe Perëndimi edhe Rusia.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera