Lajme

“Peshqit” e mëdhenj në burg/ Vjen parashikimi i keq për Qeverinë Kurti

Autori: Gazeta inFokus 19:50 | 25 September 2021

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para se të zgjidhej kryeministër kishte premtuar ndaljen e korrupsionit dhe burgosjen e të gjithë të përfshirëve në korrupsion. Madje ishte paralajmëruar se gjatë qeverisjes Kurti, “peshqit” e mëdhenj do të përfundonin në burg.

E në këtë drejtim, nga analistët po kërkohet nisja e hetimeve ndaj lideri të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të cilin, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Qeverinë Kurti, Hekuran Murati deklaroi se tokën e privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për gjashtë euro arin, e që në Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ishte vlerësuar me 3.700 euro/ari, Qeveria Haradinajt kishte marrë vendim që të njëjtën tokë, ta shpronësojë për 1.200-fish më shumë.

Për mos burgosjen e Ramush Haradinajt dhe ‘peshqve’ të mëdhenj të përfshirë në korrupsion gjatë qeverisjes së PAN-it, kritika për qeverinë Kurti po drejton analisti politik, Gani Qarri.

-Advertisement-

“Siç shihet tanimë edhe publikisht nga mbarë opinioni i gjerë i Kosovës, fjalët e mëdha me përmbajtje të zbrazëta dhe zëvendësimi i premtimeve megalomane me veprime të vogla apo edhe mosveprime kurrfarë, janë bërë traditë e të gjitha partive politike të cilat trashëgohen nga qeveria në qeveri, për ta lënë votuesin e Kosovës të zhgënjyer pas të gjitha zgjedhjeve, siç po ndodhë së fundi edhe me Qeverinë Kurti në Kosovë. Në fakt Albin Kurti para se te zgjidhej kryeministër i vendit, kishte premtuar ndaljen e korrupsionit, arrestimin e peshqve të mëdhenj si dhe burgosjen e kriminelëve dhe të korruptuarve, por në realitet deri me tani, askush nga peshqit e ashtuquajtur “të mëdhenj”, madje as nga ata më të vegjlit, përpos ngritjes së ndonjë zhurme për kohë të shkurtër, jo që nuk ka përfunduar, i arrestuar apo në burg, por nuk gjendet as nën akuzë, apo thjeshtë në procesin e gjykimit”, thotë Qarri për “Bota sot”.

Sipas tij, qeveria Kurti duhet të kritikohet për mos burgosjen e Ramush Haradinajt.

“Madje Kurti vet dhe qeveria që ai udhëheqë, ka filluar të kritikohet ashpër, deri te kërkesa për dorëheqjen e tij, sidomos nga Ramush Haradinaj, në vend se të arrestohej ai vet për bëmat korruptivo-kriminale të cilat, së fundi i publikoi ministri Hekuran Murati. Për aq më tepër edhe vet Qeveria Kurti njëjtë si Qeveria e PAN-it, që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, përveç zhgënjimit të opinionit me mos përmbushjen e premtimeve për burgosjen e kriminelëve dhe të korruptuarve, ka filluar jo vetëm të kooketoj edhe vet, por edhe të angazhojë me detyra të veçanta, persona të dyshimtë, të cilët, përderisa VV ishte në Opozitë, i quante mafioz e të korruptuar, deri edhe “kriminel” si Nexhat Krasniqi që në gjuhën popullore, njihet edhe si “baba” i tenderëve”, shprehet analisti Qarri.

“Siç dihet Nexhat Krasniqi, ishte suspenduar nga puna qysh në vitin 2012 si shef i prokurimit në Ministrinë e atëhershme të Infrastrukturës, i akuzuar atëbotë bashkë me ish-ministrin e Ministrisë së Transportit, Fatmir Limaj, për shkelje të ligjit, por përkundër dënimit të plotfuqishëm nga gjykata për korrupsion, çuditërisht ai është angazhuar edhe nga Qeveria Kurti mu në Ministrinë e Infrastrukturës, madje siç shprehet Haradinaj pikërisht në ministrinë që për vetëm dy muaj, ka dhënë mbi 29 tenderë njëburimorë”, shpejgon më tej analisti politik, Gani Qarri.

Sipas tij, kjo është një dëshmi se Qeveria Kurti nuk do ta dërgoj në burg Ramush Haradinajn, dhe asnjë nga ‘peshqit’ e mëdhenj.

“Kjo dëshmon edhe njëherë më tepër se Qeveria aktuale, jo vetëm se nuk e ka ndërmend, që së shpejti, ta çojë në burg askënd për korrupsion e krim të organizuar, por as ta akuzojë ndonjërin nga peshqit e mëdhenj si z.Haradinaj, për të cilin nga ministri Hekuran Murati u tha se janë zbuluar afera skandaloze në shpronësimet dhe shitblerjen e tokave. Për aq më tepër, Qeveria Kurti nuk po arrin të bëjë me kohë as ndryshimet e nevojshme në prokurori e gjyqësi, përkundër aferave të prokurorëve e gjyqtarëve të kapur e të korruptuar nga politika, deri te vet kryeprokurori i shtetit, të publikuara kohë më parë edhe në mediat publike”, thekson Qarri.

Qarri shton se pavarësisht ndryshimit të pushtetit që ka ndodhur në Kosovë, në sistemin e drejtësisë vazhdojnë të dominojnë njerëzit e korruptuar.

“Ndaj në gjendjen kaotike, që po dominon aktualisht në vend, jo vetëm që nuk dihet kur dhe si, por as që mund të thuhet me saktësi se a do të ndodhin fare arrestimet e premtuara, si dhe kush mund dhe duhet të jenë personat e arrestuar, përderisa në prokurorinë e shtetit , gjyqësinë dhe mbarë sistemin e drejtësisë së Kosovës, përkundër ndryshimeve në qeveri, vazhdon dominimi i kuadrove të vjetra të kapur e të korruptuar nga politika dhe partitë e inkriminuara. Dominojnë të njetit “Benjaminë”, të cilët nuk po lejojnë ecjen për asnjë hap përpara të drejtësisë, kanë bllokuar spastrimin e kriminelëve dhe të korruptuarve nga pozitat udhëheqëse, që nga nivelet më të ulëta deri te ato më të lartat në institucionet kryesore të rendit e të ligjit dhe mbarë sistemin e drejtësisë në vend”, deklaron analisti Qarri për “Bota sot”.

Qarri kritikon qeverinë Kurti, që sipas tij, luftën kundër korrupsionit e ka nisur në mënyrë të gabuar, duke emëruar nëpër pozita njerëz që janë të dënuar pikërisht për korrupsion.

“Për aq më tepër duke pasur parasysh faktin e trishtë se edhe vet Qeveria Kurti, punën për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e ka nisur, duke emëruar në pozitat kryesore të luftimit te këtyre dukurive negative, njerëzit e dënuar pikërisht për korrupsion e krim të organizuar sic është rasti i Krasniqit, i cili derisa VV ishte në opozitë me vet iniciativën e deputetëve të LVV-së, ai ishte shkarkuar nga detyra, si shef i prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës, i njohur edhe si “Baba i tenderëve’” dhe i dënuar për korrupsion, me vendim të plotfuqishëm nga gjykata, i përmendur shpeshherë edhe nga media për afera të ndryshme brenda Ministrisë së Infrastrukturës, tani serish është angazhuar në po të njëjtën ministri, tani të udhëhequr nga vet VV dhe Liburn Aliu”, thotë Qarri.

Duke marr parasysh të gjitha këto, analisti Qarri përfundon se ka pak shpresë që të ndryshojë gjendja në sistemin gjyqësor në Kosovë.

“Ndaj populli i Kosovës, as që duhet të shpresojë se vërtetë, së shpejti do të ndodhë burgosja e “peshqve” të mëdhenj, çrrënjosja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar në vend, si dhe do të bëhet spastrimi rrënjësor i prokurorisë, gjyqësisë, organeve të rendit e të ligjit dhe mbarë sistemit të drejtësisë në Kosovë, të cilat ishin shkaku kryesor, për mos liberalizimin e vizave dhe mungesën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian”, përfundon analisti politik, Gani Qarri për “Bota sot”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera