Lajme

Pesë fëmijë që ishin lënë nën përkujdesje të SOS Fshatit u rikthyen tek familjet biologjike gjatë vitit 2019

Autori: Gazeta inFokus 14:05 | 11 January 2020

Organizata, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, e cila vepron që nga viti 1999, tashmë është përkujdesur për mëse 1,500 fëmijë të braktisur dhe nevojtarë, kurse gjatë vitit 2019 ka ofruar shërbime edhe për 51 fëmijë të tjerë.

Gjatë vitit 2019, përmes këshillimit që ofron kjo organizatë ka arritur që të kthejë 5 fëmijë tek familjet e tyre biologjike, gjë e cila konsiderohet një nga arritjet më të mëdha të kësaj organizate gjatë vitit të kaluar. Ndërsa 4 fëmijë të tjerë janë larguar pasi kanë përfunduar proceset e adoptimit, dhe tashmë ata fëmijë janë duke jetuar me familjet e tyre birësuese.

Punëtori Social në SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, Bardhyl Plakolli tha për Telegrafin se janë duke punuar me përkushtim për mirëqenien dhe integrimin e fëmijëve të SOS-Fshatrave në shoqëri, ndërsa vlerësoi se kjo po ndodhë në të gjitha fushat.

-Advertisement-

“Nën Kujdesin e SOS Fshatit të fëmijëve në tri projekte kemi 61, fëmijë, ndarë në projekte si 6 Bebe në kujdesin afatshkurtër, 42 fëmijë në Kujdesin Afatgjatë me bazë në familje dhe 13 të rinj në SILP ‘Gjysmë Pavarësim’. Puna jonë është e përkushtuar kryesisht në mirëqenën dhe integrimin e tyre në shoqëri, fakt ky i cili po ndodhë në të gjitha fushat”, tha Plakolli.

Mosha e fëmijëve për të cilët po përkujdesen në SOS-Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës, fillon nga 5 muaj, ndërsa ka persona të cilët tashmë kanë arritur edhe moshën 22-vjeçare e që janë pjesë e kësaj organizate.

“Mosha e atyre që janë nën përkujdesjen e SOS Fshatit fillon nga 5 muajsh deri në 22 vjeç. Në Kujdesin Afatgjatë kemi 8 SOS Familje ku rriten fëmijët nga 3-4 vjeç deri në 18 vjeç, ndërsa në Kujdesin afatshkurtër kemi një SOS Familje kryesisht me bebe. Fëmijët janë edhe nga komunitetet tjera, jo vetëm shqiptarë”, tha Plakolli.

Ndërsa, nuk mungojnë as aktivitetet të cilat organizohen gjatë vitit nga stafi i SOS Fshatrave. Plakolli tregoi se përveç pushimeve dimërore e verore, organizime të ndryshme bëhen edhe për ditë të shënuara, si Ditën e Fëmijëve, Ditën e Familjes, pastaj kampanja për Ditën kundër duhanit e kundër Drogës.

“Në SOS Fshat ka shumë aktivitete disa nga më të rëndësishmet ishin si: pushimet Dimërore në “Bogë”, dita e Familjes, dita kundër duhanit, dita kundër drogës, Dita e fëmijëve, Pushimet Verore e disa të tjera”, tha punëtori social i SOS Fshatit.

SOS Familjet janë të formuara kryesisht nga SOS Nëna, ndërsa në Kosovë, megjithëse janë bërë përpjekje ende nuk ka ndonjë çift i cili ka qenë i interesuar të formoj një SOS Familje.

“Në Kujdesin Afatgjatë kemi 8 SOS Familje ku rriten fëmijët nga 3-4 vjeç deri në 18 vjeç, ndërsa në Kujdesin afatshkurtër kemi një SOS Familje kryesisht me bebe. Kurse sa i përket SOS Familjeve në Çift, nuk kemi ende një të tillë”, u shpreh Plakolli.

Sa i përket sukseseve të vitit që kemi lënë pas, Plakolli tha se janë realizuar disa projekte dhe se janë pranuar dhe kanë arritur të ristrukturojnë kontaktet e fëmijëve me familjet e tyre biologjike.

“Të gjithë fëmijët tanë ndjekur me rregull shkollën, sukseset e tyre, realizimi i projektit LEAVE AND LET LEAVE, projekt ky i realizuar nga disa vajza SOS, me tematikën kundër “Bulizmit”. Pranimi i 11 fëmijëve të rinjtë, Ribashkimi i 5 fëmijëve me familjet e tyre Biologjike, mbajtja, fuqizimi dhe ristrukturimi i kontakteve të fëmijëve me familjet e tyre biologjike si dhe mbajtja larg sjelljeve deviante”, tha Plakolli.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera