Lajme

Përvjetori i vdekjes së Nekibe Kelmendit, Abdixhiku bën homazhe: Është sinonim i forcës së një gruaje të hekurt

Autori: Gazeta inFokus 14:25 | 19 June 2023

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe në nderim të Nekibe Kelmendit e Bajram Kelmendit, në përvjetorin e vdekjes së ish-ministres dhe ish-deputetes.

“Dymbëdhjetë vjet kur Kosovarja humbi nënën e saj, por fitoi zemrat e shumë nënave tjera shqiptare që e kujtojnë atë për forcën dhe durimin përkundër sfidave jetësore që kishte”, tha Abdixhiku.

Nekibe Kelmendi, tha Abdixhiku, “është sinonim i forcës së një gruaje të hekurt që punoi pareshtur për lirinë e konsolidimin e Republikës tonë”.

-Advertisement-

“Ajo la gjurmë të pashlyeshme si veprimtare e paepur e çështjes kombëtare, aktiviste politike, avokate, deputete e ministre e drejtësisë. Në këtë rrugëtim të vështirë, në orët më të rënda për vendin ajo ishte bashkëpunëtore e palëkundur e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova”, tha ai.

“Bashkë me bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin, ishin veprimtarë të lirisë në përpjekjen e pashtershme për të denoncuar gjenocidin serb mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Bajram Kelmendi dhe djemtë e tyre, Kastrioti 30 vjeç e Kushtrimi 16 vjeç u flijuan për këtë vend, kurse Nekibja dhimbjen e paimagjinueshme e shndërroi në përkushtim të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Familja Kelmendi do të kujtohen gjithmonë me nderim të veçantë për sakrificën e madhe në altarin e lirisë; ndërsa LDK dhe Republika e Kosovës do t’i mbajë në kujtesë e nderim të përjetshëm”, tha Abdixhiku.

Ikja e hershme e Nekibe Kelmendit, la zbrazëti në jetën politike e profesionale, tha Abdixhiku, por shtoi se “ajo ka lënë një trashëgimi politike e humane që mbetet vlerë për vendin tonë e gjurmët, sakrifica dhe puna e saj tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë ne që të ecim përpara”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera