Kulturë

Përurohet libri që i kushtohet jetës dhe veprës së heroit Fehmi Lladrovcin

Autori: Gazeta inFokus 14:08 | 12 January 2022

“Baci im Fehmi Lladrovci”, është titulli i librit që sot ka përuruar autori Ekrem Lladrovci, në të cilën ka përmbledhur detaje nga jeta dhe vepra e heroit të kombit.

Autori Ekrem Lladrovci, në libër ka përmbledhur kujtimet e tij për djalin e axhës dhe heroin Fehmi Lladrovci, të cilin e quan edhe hero të jetës se tij. Përveç kujtimeve me heroin, autori ka rrëfyer edhe kujtime që lidhen edhe me personalitete të tjera kombëtare siç është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.

Lladrovci thotë se përmes kujtimeve të tij ka portretizuar figurën e heroit me tërë thjeshtësinë dhe madhështinë e tij.

-Advertisement-

“Jam i vetëdijshëm se puna ime në këtë libër është një kontribut i vogël në krahasim me veprën madhështore të heroit, Fehmi Lladrovci dhe Xhevës. Mbetem me shpresë se miqtë dhe shokët e tyre të idealit do të shkruajnë të plotësojmë figurën historike dhe personalitetin e rrallë siç ishte Fehmi Lladrovci dhe Xheva”, tha ai.

Redaktori i librit Xhevat Syla, tha se publikimi i kujtimeve të autorit me heroin Fehmi Lladrovci është një kontribut i rëndësishëm për figurën e heroit.

Ai tha se autori në librin e tij për heroin tregon detaje nga jeta dhe veprimtaria e heroit për lirinë e vendit, teksa shtoi se në libër paraqitet edhe ana humane e heroit karshi autorit që në shumë situata i kishte qëndruar afër, madje u shpreh se i kishte shpëtuar jetën.

“Fehmi Lladrovci bashkë me bashkëshorten Xhevën dhe me aktivitetin e mëhershëm, e posaçërisht me luftën e tyre heroike u bënë simbol i trimërisë së popullit tonë në luftë kundër okupatorit. Populli ynë i kujton dhe i nderon me krenari. Ideja e Ekremit për t’i përjetësuar kujtimet e veta për njeriun që e kishte idhull Fehmi Lladrovcin, ide që gjithsesi duhet të realizohej. Ekremi në takimin tonë të parë më shumë fliste me sytë e tij depërtues dhe xixëllues sesa me fjalë, çfarë kishte ndjerë të nevojshme për ta thënë e kishte shkruar në kujtimet e veta dhe atë çlirim të shpirtit donte ta dërgonte deri në fund me përgatitjen dhe botimin e kujtimeve të veta për bacin”, tha ai.

Ndërkaq, Sabit Lladrovci, bashkëluftëtar i heroit Fehmi Lladrovci, tha se në këtë libër është paraqitur e tërë madhështia që e ka karakterizuar heroin e kombit.

“Shkëlqimi i tij para se të niste lufta, vullneti që na ka dhënë Fehmi Lladrovci, aty na ka thënë që kurrgjë mos tutni, ku ka ditë më të mirë se sot të vdesim për atdheun, këtë betejë tha kemi me e bë e ka me mbet në histori”, tha ai.

Përveç kujtimeve të autorit për heroin Fehmi Lladrovci, në libër janë paraqitur edhe disa nga letrat që heroi kishte dërguar nga burgu, si dhe disa intervista që kishte dhënë për mediume të huaja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera