Lajme

Përurohet këndi i nëntë i lojrave për fëmijë në Tiranë (FOTO)

Autori: Gazeta inFokus 14:07 | 14 July 2017

Bashkia e Tiranës ka përuruar këndin e nëntë të lojërave për fëmijë në Rr. “Sulejman Delvina”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se investimet për fëmijët e qytetit do të vazhdojnë në të gjitha njësitë dhe se fasadat do t’i kthejnë në piktura për fëmijët.

Ky është njoftimi i Bashkisë:

-Advertisement-

Krahas investimeve madhore në kryeqytet, Bashkia e Tiranës vijon t’i kushtojnë vëmendje të posaçme hapësirave dhe shtimit të këndeve të lojërave për fëmijët.

Në bashkëpunim edhe me bankën Raiffeisen, u mundësua ndërtimi i këndit të 9 të lojërave në njësinë 5, i cili nga një zonë e lënë në harresë dhe e mbuluar me plehra, është kthyer tërësisht në një hapësirë rekreacioni, me lojëra të ndryshme për fëmijë dhe një pikturë murale e realizuar nga artisti i ri Franko Dinaj.

Këndi më i ri i lojërave në Tiranë u përurua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko, të cilët vlerësuan kontributin e bankës Raiffeisen.

“Jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë kontribuar, për prindërit, për bizneset e zonës, për bankën Raiffeisen që na ka dhuruar lodrat. Ideja është që këto zona të rrënuara, të papërdorura e të degraduara, me pak investim t’i kthejmë në hapësira për fëmijët e qytetit, që rrisin cilësinë e jetës së tyre. Investime të tilla po i bëjmë jo vetëm në çerdhe, kopshte e shkolla, por edhe pranë komunitetit”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se krahas ndërtimit të këndeve të lojërave, do të vijojë edhe përmirësimi i fasadave të pallateve, të cilat do të kthehen në vepra arti, me qëllim për t’i dhënë jetë gjithë zonës përreth. “Kemi bërë parqe lodrash të mëdhenj si ai te Liqeni, por jo çdo fëmijë mund të largohet nga shtëpia dhe të kalojë disa orë atje. Është më mirë kur këto kënde janë poshtë pallateve.

Ndaj, do të vazhdojmë që disa nga fasadat e qytetit t’i kthejmë në piktura për fëmijët, që të ketë më shumë argëtim. E di që fasada nuk është gjithçka, por krijon atmosferë, e bën komunitetin të duket më i pastër, e bën lagjen më estetike, gjithashtu na jep kënaqësi që të kalojmë edhe më shumë kohë me njëri-tjetrin. Kështu që, nuk kemi bërë vetëm një kënd lodrash, por kemi bërë një hapësirë për komunitetin”, tha ai.

Veliaj garantoi vijimin e investimeve nga ana e Bashkisë për ndërtimin e këndeve të lojërave, jo vetëm brenda zonës urbane, por edhe në zonat rurale. “Plani që kemi këtë vit është që pas këndit të nëntë të lodrave në Tiranë, të vazhdojmë në të gjitha njësitë, përfshirë edhe njësitë rurale. Duke qenë se në vitin e parë u fokusuam vetëm te Tirana urbane, tani duam të vazhdojmë edhe te Tirana fshat, pasi edhe aty kemi shokë dhe shoqe, fëmijë të mrekullueshëm që meritojnë të kenë edhe ata kënde lodrash”, tha ai.

Deputeti i PS, Pandeli Majko përgëzoi Bashkinë e Tiranës për investimet e realizuara, ndërsa theksoi se ato kanë vlerësimin maksimal edhe nga qytetarët, të cilët prekin ndryshimet që po ndodhin. “Ky është një investim nga më të çuditshmit dhe më të vlefshmit.

Është i çuditshëm sepse këtu nuk është vetëm ndryshimi i një situate për fëmijët e vegjël, por është edhe kthimi i një cepi të pabanuar të njësisë 5 në një park lojërash, po ashtu edhe një mënyrë e re e të parit të ambientit me piktura murale. Është ndryshim i cilësisë së jetës. Mendoj se ky investim ka vlerësimin e qytetarëve dhe sigurisht, të atyre që ta thonë hapur, edhe të mirën, edhe të keqen, që janë fëmijët”, tha Majko.

Franko Dinaj, artisti i talentuar që realizoi pikturën murale në fasadën e një prej pallateve të kësaj zone, u shpreh se projekte të tilla do të vijojnë, duke i dhënë një vlerë të shtuar kryeqytetit. “Ky është pallati i dytë që është bërë në këtë përmasë dhe do të bëhen akoma më shumë. Ideja ishte që të ishte një imazh që lidhej bashkë me fëmijët duke lozur”, tha Dinaj. /albeu.com/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera