Lajme

Përse u shkarkua bordi i Infrakosit?

Autori: Gazeta inFokus 12:21 | 28 February 2020

Fshesa e Albin Kurtit ka hyrë edhe në Infrakos. Kjo është ndërmarrja e dytë publike, e cila mbetet pa bord udhëheqës për shkak të performancës jo të mirë dhe keq menaxhimit.

Sipas raportit të performancës, të cilin e posedon gazeta inFokus, në bazë të të cilit ka marrë vendim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për shkarkimin e bordit të “InfraKos” ShA në dy vitet e fundit ndërmarrja ka operuar me humbje.

Përveç kësaj, vitin 2018 kur edhe është bërë vlerësimi i performancës ndërmarrja e ka përmbyllur me humbje. Ndërsa krahasuar me vitin paraprak kjo humbje është rritur.

Në vitin 2017, Infrakos kishte përfunduar me 90 mijë euro humbje, derisa në vitin 2018 humbja ka shkuar në 765 mijë euro, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

“Borxhi kundrejt kapitalit është rritur, indikatorët tjerë kanë shënuara rënie, shqetësues eshë te edhe likuiditeti ka rënie te dukshme krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në raport.

Arsyet që e kanë sjellë ndërmarrjen në këtë gjendje sipas raportit janë mosfunksionimi i mirë i Trainkosit dhe Railtransit; Financimi jo i mjaftueshëm i projekteve zhvillimore të infrastrukturës; Mosfunksionimi i pjesës veriore të linjës hekurudhore nga Mitrovica deri në kufirin me Serbinë;  si dhe kostoja e lartë e investimeve në mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e linjave jashtë funksionit, shkruan gazeta inFokus.

Në vlerësimin e ndërmarrjes është gjetur se asnjë aktivitet i mëtejmë nuk mund të zhvillohet aty pa ndihmën e Qeverisë së Kosovës.

“Rreziku kryesor qëndron në mos nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare pesëvjeçare nga ana e qeverisë me të cilën do të garantohej  funksionimi i rregullt i Infrakos-it”, thuhet në raport.

Kjo kompani përveç ofrimit të shërbimeve të menaxhimit të rrjetit hekurudhor, ofron edhe shërbime të qiradhënies dhe dhënies në shfrytëzim të patundshmërive për klientët e saj.

Megjithatë, duket se të ardhurat nuk i mjaftojnë për të mbetur gjallë, shkruan gazeta inFokus.

Ajo përveç obligimeve për investime dhe punëtorëve aktual ka një numër të madh të detyrimeve nga paditë e të punësuarve si kërkesa potenciale ndaj kompanisë e trashëguar me rastin e ndarjes nga Hekurudhat e Kosovës Sh.A./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera