Përplasjet për Gjykatën Speciale
Autori: Gazeta inFokus 18:49 | 13 January 2018
Përplasjet verbale lidhur me iniciativën e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, po vazhdojnë ende.
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike, si dhe njohës të çështjeve juridike dhe politike, në rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, flasin për qasje të ndryshme lidhur me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, dy tentime që kërkesa e 43 deputetëve të dërgohet në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, kishte dështuar.
Qëndrimi i unifikuar i liderëve institucionalë të Kosovës, presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, që ishte shfaqur më 22 dhjetor të vitit të kaluar, përballë kërkesës së 43 deputetëve, është braktisur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Më 8 janar të këtij viti, përmes një shkrimi autorial, Veseli kishte thënë se “Gjykatën Speciale më së paku në botë e ka merituar Kosova që t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë, edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj”.
Por, a ka vendosur subjekti më i madh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, se cili do të jetë qëndrimi i saj edhe në qoftë se eventualisht kërkesa e 43 deputetëve arrin në Kuvend të Kosovës për të votuar?
Përplasjet brenda dhe ndërpartiake
Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda kësaj partie ende ka mospajtime lidhur me këtë çështje, por që lideri i saj, Veseli, tashmë ka publikuar qëndrimin për Gjykatën Speciale.
“Për mua, deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Veselit, është deklaratë e përgjegjshme, një deklaratë për të cilën, deputetët, cilitdo qofshin, ata të Partisë Demokratike, duhet të reflektojnë, për një deklaratë që jep një orientim edhe për deputetët, por edhe për Partinë Demokratike të Kosovës”, thotë Haliti.
Por, Nait Hasani, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili është nga nismëtarët e kërkesës së nënshkruar nga 43 deputetë, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa e tyre mbetet në Kuvend dhe se nuk do të tërhiqet.
“Kërkesa e deputetëve, me 43 nënshkrues, ka qenë, është dhe do të mbetet si kërkesë, drejtuar Kuvendit të Kosovës për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe Prokurorinë e Specializuar”, ka thënë Hasani.
Në anën tjetër, partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë me dije se pavarësisht se nuk e dëshiron Gjykatën Speciale, shfuqizimin e saj nuk do ta mbështesë.
Lëvizja Vetëvendosje, megjithëqë deputetë të caktuar të saj kanë theksuar se do të votojnë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ende nuk ka dhënë zyrtarisht një qëndrim përfundimtar.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë ditë më parë se subjekti politik të cilit i përket, do të jetë kundër Gjykatës Speciale, ashtu siç ka qenë në vitin 2015.
“Të njëjtën qasje do ta kemi. Ne do të jemi kundër kësaj gjykate dhe do ta manifestojmë me votën tonë në seancë, kurdo që të vjen”, ka thënë Selimi.
Në favor të shfuqizimit të Gjykatës Speciale është shprehur edhe Nisma për Kosovën.
Pasojat eventuale
Në anën tjetër, presidenti i vendit Hashim Thaçi, disa herë ka përsëritur qëndrimin se në rast se deputetët e Kuvendit do ta votonin shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ai nuk do të dilte kundër vullnetit të deputetëve.
Ngjashëm është shprehur edhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili nuk e fsheh që e përkrah një vendim eventual të deputetëve shumicë në Kuvend, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Por, nga kabineti i kryeministrit Haradinaj nuk kanë dashur të përgjigjen nëse Qeveria do ta dërgonte draft-ligjin eventual për shfuqizim të Gjykatës Speciale, në rast se Kryesia eKuvendit eventualisht do të arrinte pajtimin që kjo çështje të dërgohet para deputetëve për t’u votuar.
Njohësit e çështjeve juridike penale dhe ndërkombëtare, si dhe të zhvillimeve politike, kanë theksuar se shfuqizimi eventual i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, do t’i sillte pasoja tejet negative të vendit dhe braktisje nga aleatët dhe partnerët strategjikë të saj.
Megjithatë, sipas tyre, për të arritur deri te shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, nevojiten dy të tretat e deputetëve në tërësi, si dhe dy të tretat deputetëve të komuniteteve pakicë. Sipas tyre, kjo në masë të madhe e vështirëson shfuqizimin e këtij ligji.
Por, edhe me supozimin se shfuqizimi i Gjykatës Speciale mund të arrihet në Kuvend, sipas Ismet Salihut, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, bashkësia ndërkombëtare do të përdorte alternativat. Sipas tij, një alternativë do të kërkohej përmes Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Do të krijohet një mekanizëm i ri juridik, i cili do ta mundësojë vazhdimin e kësaj pune”, thotë profesor Salihu.
Ngjashëm shpreh mendimin edhe politologu Belul Beqaj. Siç i thotë ai Radios Evropa e Lirë, një Gjykatë Speciale për krime të luftës në Kosovë, është e paevitueshme.
“Mendoj se çështja e Gjykatës Speciale është fatkeqësi e paevitueshme. Problemi është se a do ta bëjmë Gjykatën Speciale që e kemi formuar me pëlqimin tonë, apo me pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili, atëherë, nuk të pyet fare”, thotë Beqaj.
Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thekson se themelimi i një Gjykate për krime të luftës në Kosovë nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, do të bartte pasoja tjera negative për Kosovën.
“Atëherë do të humbim edhe ndihmën dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë një ndikim shumë të madh në Këshillin e Sigurimit. Atëherë, nuk mund ta paramendojmë se çfarë gjykatë do të ketë në OKB”, shprehet Ibrahimi.
Reagime dhe kundërshti
Iniciativa e 22 dhjetorit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka nxitur reagime të ashpra të ambasadorëve të vendeve perëndimore. Disa prej tyre e kanë cilësuar si “thikë pas shpine”, por edhe si “natën më të rrezikshme për Kosovën që nga lufta”.
Përderisa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, së fundmi e ka përshëndetur qëndrimin e shprehur në shkrimin autorial të kryeparlamentarit Veseli lidhur me Gjykatën Speciale, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O Conell, dhe ambasadori i Francës, Didier Chabert, kanë anuluar pushimet për të përcjellë zhvillimet rreth Gjykatës Speciale.
Shtetet e Quint-it i kanë paralajmëruar drejtuesit institucionalë të Kosovës se vendi mund të përballet me pasoja në rast të shfuqizimit të Gjykatës Speciale.
Në anën tjetër, deputeti Hasani, ka thënë se nisma e nënshkruar nga 43 deputetë për shfuqizim të Gjykatës Speciale, nuk është veprim për ta kundërshtuar bashkësinë ndërkombëtare.
“Ne nuk jemi kundër askujt. Por, meqë është krijuar dhe po kërkohet një gjykatë e këtillë, atëherë ne po kërkojmë që kjo ta ketë selinë në Kosovë. Një gjykatë vendore do të merrej me trajtimin e rasteve të tilla dhe ne jemi që me miqtë ndërkombëtarë të bashkëpunojmë dhe ta krijojmë këtë mundësi”, është shprehur deputeti Hasani.
Por, deputeti Haliti ka theksuar se numri prej 43 deputetësh të Kuvendit nuk nënkupton të gjithë Kuvendin, dy të tretat e të cilit, në vitin 2015 kanë votuar për Gjykatën Speciale.
“Ne nuk jemi ata që mund të veprojmë sot ‘për’ dhe nesër ndryshe. Unë kam qenë ai që ka kërkuar hetim ndërkombëtar, që kam kërkuar zgjidhje evropiane të problemit. Insistoj që kjo çështje, vërtet, të ketë një zgjidhje evropiane dhe të mos jetë as zgjidhje ballkanike, as zgjidhje kosovare, por të jetë një zgjidhje evropiane”, ka theksuar Haliti.
Sidoqoftë, se si do të përmbyllet çështja e Gjykatës Speciale, mbetet të shihet. Kuvendi i Kosovës, aktualisht, gjendet në pushim, ndërkohë që mbledhja e Kryesisë së Kuvendit është paraparë të mbahet të mërkurën e javës që vjen, më 17 janar.
Të tjera
-
Pritjet për të hyrë në Kosovë deri në 40 minuta
Pritjet për të hyrë në Kosova nga pika kufitare e Muçibabës po vijojnë deri n...
-
Deklarohen të pafajshëm 22 të akuzuarit për mashtrim me “Call Center”
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë deklar...
-
Gjendet pa shenja jete një 61-vjeçar në Pogradec
Një person i moshës 61-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, ...
-
Protestë masive në Beograd kundër presidentit serb
Dhjetëra mijëra veta u mblodhën të dielën në një shesh qendror në Beograd duk...
-
Hill thotë se s’ka paralajmërime për sanksione ndaj NIS’it në Serbi, a i gënjeu Vuçiq serbët për të krijuar panik?
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka...
-
Tajani për vizitë në Kosovë, viziton kontigjentin italian të KFOR-it
Kryediplomati italian, Antonio Tajani, ka ardhur për vizitë në Kosovë për të ...
-
Kremlini hedh poshtë raportimet e mediave turke se gruaja e Assadit kërkoi divorc dhe largim nga Moska
Kremlini hodhi poshtë të hënën raportet e mediave turke që sugjeronin se Asma...
-
Kundërligjshëm e pa përvojë pune, Rozeta Hajdari e bën zv. kryeinspektore ish asistenten e Albulena Haxhiut vetëm 8 muaj pasi u punësua në MINT
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish asist...
-
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje politike e Rugovës ia dha vendit demokracinë në të cilën fitojnë edhe rivalët tanë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri shkroi për përvjet...
-
Komuniteti i Ambasadës nderon Hovenierin për vizionin e tij për Kosovën
Komuniteti i Ambasadës Amerikane ka nderuar ambasadorin Jeffrey M. Hovenier m...
-
Hill: Nuk ka prova që lidhin Beogradin me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se SHBA-të nuk kanë k...
-
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanicë
Policia në Graçanicë me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon ndihmë...