Lajme

Përplasjet për dialogun bllokojnë Kuvendin

Autori: Gazeta inFokus 16:47 | 13 October 2018

Përplasjet dhe mosmarrëveshjet e partive politike të pushtetit dhe opozitës lidhur me mundësitë e miratimit të rezolutave të propozuara nga të dy palët për çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë, e kanë bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës për miratimin e ligjeve, të cilat tashmë janë proceduar në legjislativ, vlerësojnë deputetët e partive në pushtet dhe opozitë.

Zenun Pajaziti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, subjekt ky politik brenda koalicionit qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se agjenda e Kuvendit është e bllokuar njëanshëm dhe kjo do ta vështirësojë punën e tij edhe për proceset e rëndësishme.

“Kjo, në fakt, nuk do të duhej të ndodhte. Nuk do të duhej të bllokohej agjenda e rregullt e Kuvendit për shkak të këtyre zhvillimeve, sado që të jenë të rëndësishme. Madje edhe këto zhvillimet e rëndësishme dhe gjetja e zgjidhjeve për to, siç është zhbllokimi i procesit të bisedimeve, nuk mund të bëhet me qëndrime të njëanshme dhe me bllokim të institucionit kryesor. Do të jetë vështirë edhe për proceset e rëndësishme. Nuk mund të jetë justifikim asnjë kauzë tjetër me bllokimin e punës së rregullt të Kuvendit të Kosovës”, theksoi Pajaziti.

-Advertisement-

Ai ka shtuar se përpjekja e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që t’i tubojë faktorët politik për një agjendë të përbashkët lidhur me dialogun me Serbinë, ishte, sipas tij, kërkesë reale për të pritur një vullnet pozitiv të subjekteve politike.

Por, në anën tjetër, Driton Selmanaj, deputet i subjektit më të madh opozitar në Kuvendin e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se subjekti politik që ai i takon, pati thirrur shumë më herët një seancë të jashtëzakonshme për një rezolutë, e cila do ta artikulonte qëndrimin politik të Kuvendit që asnjë institucion nuk ka mandat që t’i diskutojë apo, siç thotë ai, t’i vë në pazar kufijtë e Kosovës.

Ftesën e kryetarit të Kuvendit për krijimin e një agjende të përbashkët për dialogun, ai e quan lojë politike.

“Kuvendi, përfundimisht, është nën bllokadë. Tash, këto lojërat politike të partive politike në pushtet për të sjellë një rezolutë ku kinse artikulohen edhe qëndrimet dhe zëri i opozitës, por edhe themelimi i grupit negociator i qeverisë, kjo për ne është e pakuptimtë. Kjo për shkak se ushtrimi i kompetencave kushtetuese nuk ëhstë çështje sezonale. Tash i ka ra ndërmend Qeverisë se duhet një ekip i saj për të negociuar me Serbinë? Jo, këtë mandat kushtetues e kanë ata. Edhe me rezolutë, në vitin 2011 dhe 2012, Kuvendi i ka dhënë autoritet Qeverisë të negociojë. Nuk ka nevojë që qeveria të sjellë dokumente ku themelohen grupe të tjera ose emërohen mandatar, njerëz të ri, për të negociuar me Serbinë”, theksoi Selmanaj.

Përderisa puna e rregullt e Kuvendit tashmë është bllokuar, në legjislativ tashmë janë proceduar mbi 70 projekt-ligje, të cilat presin të dalin para deputetëve për tu miratuar.

Por, a mund ta qojë, ky bllokim i punës së Kuvendit, vendin në zgjedhje të parakohshme?

Deputeti Pajaziti shpreh mendimin se një qasje e tillë, në momentin e tanishëm, do të ishte në kundërshtim me interesin e qytetarëve të vendit.

“Unë mendoj që ditëve në vijim, Kuvendi duhet ta vazhdojë punën me shumicën e tij, pavarësisht disponimit të vullnetit politik të një pjese të opozitës. Kjo do t’i mundësojë institucionit kryesor që të vazhdojë me agjendën e vet të rregullt dhe do të mundësojë që të krijohet një klimë e debatit në mes nesh, pushtet dhe opozitë, në Kuvend. Mendoj që kjo është ajo që i duhet vendit dhe mendoj që është interesi kryesor i qytetarëve”, u shpreh Pajaziti.

Por, deputeti Selmanaj ka hedhur poshtë mundësinë që puna e Kuvendit të zhbllokohet pa një mbledhje të jashtëzakonshme që do ta shqyrtonte propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ne mund të mos e kalojmë asnjë ligj, me vite të tëra, por, ruajtja e integritetit, sovranitetit dhe dinjitetit shtetëror është gjëja më kryesore që mund t’i ndodhë Kosovës. Prandaj, nuk ka masa sanksionuese nëse nuk miratohen ligje, ky është realiteti dhe nuk ka masa sanksionuese nëse Kuvendi është jofunksional”.

“Krejt çfarë duhet është reflektimi. Kush duhet të reflektojë? Në radhë të parë, partitë në pushtet, sepse ata në diskursin publik, shumica prej tyre, po e kanë qëndrimin e njëjtë me opozitën dhe pajtohen që kufijtë nuk janë pjesë e pazareve politike. Por, ndërkohë, ata nuk vijnë në Kuvend për t’i dhënë aprovim. Ne po u themi, diskursin publik që e kanë, ejani dhe ta artikulojmë edhe në dokument politik të Kuvendit, siç është rezoluta”, theksoi Selmanaj.

Ai ka shtuar se edhe në rast të miratimit të një rezolute të tillë, Kuvendi e ka të vështirë që t’i kthehet normalitetit për shkak se partitë në pushtet, sipas tij, nuk e kanë shumicën parlamentare. Kjo, situatë, siç tha ai, imponon që vendi të përgatitet që të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të
-Advertisement-

Të tjera