Opinione

Përparim Rama është zgjedhja më e mirë e LDK-së dhe zgjidhja më e mirë për Prishtinën

Autori: Muhamet Hamiti 15:47 | 02 June 2021

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kandidatin për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e vjeshtës, Përparim Ramën, me të cilin do të fitojnë LDK-ja, të gjithë qytetarët e Prishtinës, por edhe Kosova.

Kryefjalë e diskursit publik e kohëve të fundit është ‘ndryshimi’. Z. Rama ka rastin ta bëjë ndryshimin për të mirë mbas qeverisjes tetëvjeçare të VV-së në Prishtinë. Një qeverisje e dështuar në të gjitha planet, siç e dijnë banorët e kësaj komune, në qytet e në fshat.

Zgjedhjet lokale në vjeshtë do të jenë rast për kthesë cilësore në jetën shoqërore të vendit tonë, sepse partitë politike por edhe qytetarët, votuesit, do të kenë rastin që, mbasi të kenë bërë bilancet për zgjedhjet dhe zgjidhjet e deritanishme, të shohin ku kanë punuar mirë e ku kanë bërë keq, për të ndrequr gabimet e për të nisur mbarë në rrugën e drejtë.

Përparim Rama nuk ka pasur afiliacion politik deri tani – prandaj diskursi i tij për veten si ‘apolitik’ – por është kandidat i LDK-së, garon në emër të LDK-së, të partisë tradicionale të Kosovës, bashkë me listën e kandidatëve të partisë sonë për Asamblenë e Prishtinës, për të mirën e gjithë qytetarëve të komunës.

Lidhja Demokratike e Kosovës e Ibrahim Rugovës, e udhëheqësit të lëvizjes për pavarësi të Kosovës, e Presidentit historik të vendit tonë, i ka rrënjët në tokën e këtij qyteti e të këtij shteti, është e lidhur me këtë vend, sepse ka afrimuar zakonet, kulturën dhe historinë e këtij vendi, ka krijuar institucionet e shtetit, me besimin e qytetarëve, në bashkëpunim me të gjithë. Kjo LDK – e drejtuar tani nga kryetari i ri, z. Lumir Abdixhiku – e ka nisur punën për rimëkëmbjen e vet, për më shumë për rimëkëmbjen e Prishtinës, duke synuar qeverisjen në kryeqytet sivjet dhe të gjithë Kosovës së shpejti, në rrethana të reja. Është koha kur shoqëria jonë, shteti ynë, kryeqyteti ynë, duhet t’i realizojnë ëndrrat për jetë më të mirë, për shërbime më cilësore, për kulturë dhe ekonomi më të zhvilluar në pajtim me potencialin tonë të madh që, për fat të keq, nuk është shfrytëzuar si duhet. Nuk ka humbur potenciali njerëzor, as shoqëror, as ekonomik, por nuk është shfrytëzuar si duhet sepse ka munguar vizioni por edhe konsensusi shoqëror e politik për ta bërë këtë.

Përparim Rama, një prishtinas që është afirmuar për punën e shkëlqyeshme në fushën e vet të eskpertizës, si arkitekt e urbanist, në Kosovë e në botë, nuk është politikan – nuk e di nëse do të bëhet, ndoshta edhe po, me kohë – por ideologjikisht frymon me idetë e qendrës së djathtë, që është boshti ideologjik i Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja dhe Përparim Rama kanë gjetur të njëri-tjetri sinergjinë, shpirtin e tyre të traditës, të dijes, të përkushimit, të vizionit për zhvillim që e bën Prishtinën shtyllë të zhvillimit dhe qendër të rëndësishme kulturore, shoqërore dhe ekonomike të vendit. E kanë besimin e ndërsjellë për këtë mundësi të madhe që e ka Prishtina tash.

Përparim Rama është zgjedhja më e mirë e LDK-së dhe zgjidhja më e mirë për Prishtinën.

Të tjera