Lajme

Përpara Rama tejet i shqetësuar: Qeveria po bllokon zhvillimin e kryeqytetit

Autori: Gazeta inFokus 10:45 | 06 April 2023

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake, shkruan Gazeta inFokus.

Rama i shqetësuar ka theksuar se nëse qeveria nuk merrë masa që të hyrat ti kthehen kryeqytetit, atëherë do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës.

“Jam thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.  Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave. Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë. Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade. Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale. Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës.”, ka shkruar Rama në Facebook./Gazeta inFokus/

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Oferta speciale deri në 70% dhe ekstra zbritje në dyshekët Comodita
-Advertisement-

Të tjera