Lajme

Përmes panairit të rinjtë ferizajas promovojnë bizneset e tyre

Autori: Gazeta inFokus 14:16 | 14 April 2018

Qendra Rinore në Ferizaj në kuadër të projektit “Të rinjtë aktiv dhe të fuqishëm”, sot ka organizuar panairin e produkteve rinore, ku të rinjtë e grupmoshës 15 deri në 35 vjeç kanë ekspozuar produktet e tyre para qytetarëve.

Në këtë panair kanë mundur të prezantohen të gjitha ata që janë prodhues apo përpunues të çfarëdo produkti, si artizanal, bujqësor, ushqimor, tradicional, apo nga cila do lëmi tjetër, ku përveç promovimit ata kanë pasur mundësi edhe t’i shesin produktet e tyre.

Organizatorja e këtij panairi nga Drejtoria për Kulturë dhe Rini në Komunën e Ferizajt, Dashurije Ahmeti, tha se ky panair po bëhet me qëllimin që të rinjtë kreativ dhe ofrues të produkteve të ndryshme të promovojnë punën e tyre në sferën e biznesit dhe ndërmarrësisë, duke krijuar mundësinë për vetëpunësim.

-Advertisement-

“Ky është panairi me idenë e promovimit të bizneseve të reja, por edhe gratë ndërmarrëse dhe me i motivuar edhe pjesën e shoqërisë civile që një farë forme me pas një vëmendje pak më të madhe për vetë institucionin. Ky organizim është prej Qendrës së Rinisë në kuadër të drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe pothuajse jemi në fund të projektit. Duhet të ceket që kemi të rinj që tashmë janë pjesëmarrës në panair që kanë kaluar nëpër trajnimet tona, siç ka qenë trajnimi për rrobaqepësi, gastronomi, për IT, fotografi”, tha ajo.

Në këtë panair nxënësit nga Qendra e Kompetencës në drejtimin e asistencë e sigurisë ushqimore dhe dietave kishin prezantuar ushqime të ndryshme të cilat ishin përgatitur në kuzhinën e Qendrës.

Nxënësja Fatbardha Zuka, tha se ky panair po iu ndihmon që të promovojnë punën e tyre, por edhe në shpërndarje të informatave se çfarë ushqime janë të shëndetshme.

“Kjo ndihmon shumë për shkak se duke qenë se jemi shkolla ku është drejtimi i vetëm në Kosovë për nutricion, atëherë popullsia ka nevojë shumë për vetëdijesim rreth këtij drejtimi dhe rreth asaj se çka ne hamë. Mendoj se kjo që ne kemi përgatitur sot ndihmon shumë në vetëdijesimin e shoqërisë”, tha ajo.

Ndërsa, dizajneri Emir Maliqi, në panair po promovonte veshjet që i kishte modeluar dhe qepur vetë, por që ai u shpreh se nuk ka ndonjë interesim shumë të madh për të blerë produktet që ai i ofronte.

“Jam duke i prezantuar dizajnët e mija që i kam dizajnuar dhe i kam qepur vetë, jam student… Ky panair është shumë i mirëseardhur, por nuk po shoh shumë interesim në këtë drejtim këtu në panair por, shpresojmë që të ketë ndonjë ndryshim”, tha ai.

Aksesorët punim dore në panair po i promovonte edhe Donjeta Islami nga Dona Fashion Style, që për të panairi ishte shumë i mirëseardhur për t’i bërë reklamë punës së saj.

“Sot unë po prezantohem me aksesorët punime dore dhe me disa lule që tash janë shumë në trend. Po më ndihmon mjaft sepse qytetarët kanë mundësi që t’i shohin direkt aksesorët edhe pse unë kam dyqan po jo të gjithë dinë ndoshta për vendin ku unë punoj. Atëherë panairi po më ndihmon që në shesh të jem direkt në kontakt me aksesorët, t’i prekin, t’i shohin se si janë të punuar dhe të njoftohen më shumë për punën time, kështu që po më ndihmon mjaft”, tha ajo.

Në anën tjetër në këta panair është prezantuar edhe Qendra në Ferizaj e Down Sindome, ku Sihana Sopa, tregojë se po promovojnë kartolinat që personat me down kanë punuar.

“Në kuadër të panairit të rinjve kemi me bë promovimin, njëkohësisht edhe shitjen e produkteve të personave me down sindrome. Në këtë rast kemi bërë zgjedhjen e prezantimit të kartolinave, personat me down i punojnë vetë kartolinat me çmim simbolik vetëm prej 1 euro. Këto kartolina që shiten shkojnë për qendrën e Down Sindrome, ku qendra jonë ofron shërbime pa pagesë për fëmijët me këto të holla që mblidhen”, tha ajo.

Ky panair është mbështetur nga GIZ – YES Programi “Rinia, Punësimi dhe Aftësimi Profesional”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €

Të tjera