Fokus

Përleshje në Stacionin e Autobusëve, kryeshefi rrahet me kryesindikalistin

Autori: Gazeta inFokus 14:28 | 07 November 2018

Mesdita e së mërkurës së 31 tetorit nuk ishte e zakonshme për njërin ndër punëtorët më të vjetër të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.

Sami Ahmeti ka 36 vjet që punon në këtë ndërmarrje dhe nuk mban mend të ketë pasur telashe me dikë.

Por një javë më parë brenda hapësirave të Stacionit të Autobusëve këtij që drejton edhe sindikatën e punëtorëve, i ngjau diçka që thotë se as nuk e kishte pritur.

-Advertisement-

Ky pretendon se u sulmua fizikisht nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv në këtë ndërmarrje, Emin Sylejmani.

“Emini ka qenë në zyrën e tij më Bordin e Drejtorëve dhe ka dalë prej zyrës e ka ardhë shkallëve poshtë. Unë nuk e kam pa pasi kam qenë në korridor t’u dal në sallë. Ai ka hy mes meje dhe punëtorit tjetër, Adonis Shabanit dhe për një herë na ka zgjeru dhe na ka thënë a e din kush është këtu pse ma zini rrugën dhe ka fillu me sha e ka dalë në sallë. Në momentin që ka dalë në sallë prapë ka fol e sha dhe është kthy mbrapa e më ka kap mu për setre dhe fyti dhe më ka shty për 2-3 metra mbrapa ndërsa brenda minutash kanë ardhë Policia”, ka thënë Ahmeti, tashme i suspenduar.

Se ka pasur konflikt fizik mes Sami Ahmetit dhe Emin Sylejmani e dëshmojnë edhe pamjet filmike të kamerave që ka parë InFokus.

Ahmeti bashkë me punëtorin tjetër, Adonis Shabanin është mbajtur për 48 orë janë mbajtur në Stacionin e Policisë.

“Policia na ka arrestuar mu dhe Adonisin për këtë rast dhe 48 orë keni nejt në mbajtje, pasi kemi dalë kemi kërkuar nga Policia të kërkoj xhirimin e kamerave të tjera për të vërtetuar se ne jemi viktimë. Policia i ka marrë kamerat dhe bashkë i kemi shiku pamjet ndërsa e kanë pa edhe ata se nuk jemi fajtor ne ”, ka thënë Ahmeti që drejton edhe sindikatën e punëtorëve të kësaj ndërmarrje.

E dyshimet se rasti është i montuar Ahmetit i rriten pasi sipas tij Policisë fillimisht i janë dhënë xhirimet e vetëm një kamere që nuk kap pamjet.

“Jam i sigurt që është rast i montuar sepse ka qenë në zyrë me drejtorët e bordit, ka dalë prej zyrës së drejtorëve dhe ka ardhë poshtë e më ka sulmu. Ka dalë në sallë me dyshimin se nuk e rrokin kamerat dhe policisë nuk ua ka dhanë xhirimet e kamerave që shihet sulmi por xhirime të tjera. Pas lirimit ne kemi bë kërkesë që të merren edhe kamera të tjera dhe është vërtetuar që këta janë fajtor”, ka shtuar ai.

Ndërsa për marrëdhëniet me ushtruesin e detyrës së krye shefit në stacionin e Autobusëve, Ahmeti ka thënë se nuk kanë qenë të mira.

“Për punë private nuk kemi pas asnjëherë mosmarrëveshje me Emimin ndërsa për punë të kompanisë shpesh. Unë jam kryetar i sindikatës dhe e kemi bë disa ankesa në Inspektoratin e Punës për shkak të avancimit të njerëzve pa kritere, njerëz të dëgjueshëm janë emërua në pozita por jo profesional. Inspektorati i ka kthy krejt në vendin e mëparshëm”, ka thënë ai.
E vendimin e suspendimit, Sami Ahmeti e quan të padrejtë pasi sipas tij vendimi është marrë vetëm 2 orë pas përleshjes dhe pa komision disiplinor.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së krye shefit ekzekutiv në Stacionin e Autobusëve, Emin Sylejmani për Gazetën inFokus ka mohuar të ketë pasur sulm fizik.

“Nuk ka pas konflikt fizik. Ne në momentin që kemi dashur të kthehemi në zyrë Sami Ahmeti dhe një punëtor tjetër kanë qenë në një korridor të ngushtë dhe në të njëjtën kohë nuk kanë dashur të na lëshojnë rrugën të shkojnë lartë dhe unë u kam kërkuar të na lirojnë rrugë. Në të njëjtën kohë më janë përgjegj se kush je ti më ta leshu rrugë, qysh po kërkon me ta liru rrugën unë prapë u kamë thanë lëshomani rrugën, dhe nuk ka pas asnjë sulm fizik as ndaj meje e as ndaj Sami Ahmetit e punëtorit tjetër që ka qenë me të”, ka thënë ai.

Tutje Sylejmani ka shtuar se Policia kanë qenë në objektin e Stacionit për një rast tjetër.

“Rasti ishte i lidhur me një rast paraprakisht që ishte kërcënuar drejtori i Bordit, nga një punëtor tjetër dhe unë kam zbrit poshtë me e pa situatën sepse jam ushtrues detyre i kryeshefit në Stacionin e Autobusëve dhe në atë moment kanë qenë këta dy punëtorë, fjala ka qenë për 4-10 sekonda dhe kur jam kthy këta të dy nuk më lishin me hy në zyrë. Policia ka qenë prezentë aty për ngjarjen e kalaur dhe u tregova çfarë po ndodhë ndërsa ata kërkuan që të shkoj në stacion dhe të jap deklaratë”, ka thënë ai.

Ndërsa thotë se arrestimi erdhi si pasoj e kërcënimit.

“Unë e kam dhënë deklaratën se dy punëtorë kanë qenë në korridor unë kam dal në holl dhe ju kam thënë ma lironi rrugën të eci dhe ka qenë një përgjigje e ashpër si kush je ti, pse ta lëshojmë rrugën unë i’u kam thënë se jam kryeshef i tyre dhe kërkoj të ma lëshosh rrugën. Kjo ka qenë deklarata ime ndërsa Sami Ahmetin dhe Adonis Shabanin i kanë mbajt në Polici. Ka qenë vetëm fjalosje por ka mund me ndodhë edhe konflikti fizik nëse nuk do të kishin qenë njerëz përreth, por nuk mund ta quaj konflikt fizik përderisa nuk ia ka mshu kush askujt”, ka thënë ai./Gazeta inFokus/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera