Lajme

Përleshje me thika në lokalin me muzikë live në Prizren – Dy me lëndime të rënda përfundojnë në QKUK

Autori: Gazeta inFokus 21:30 | 13 March 2022

Një përleshje masive ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Landovicë të Prizrenit. Në një lokal me muzikë live ku po argëtoheshin shumë qytetarë shpërtheu një rrahje me ç’rast u përdor edhe thika, që la disa persona të lënduar. Sinjali ka mësuar se si ndodhi ngjarja në lokalin “Nidi” dhe ju sjell detaje.

Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit pas një mosmarrëveshje që disa persona kishin mes vete, derisa ishin dukë u argëtuar me muzikë live.

Në përleshjen masive dyshohet se ishte i përfshirë edhe pronari i lokalit, i cili bashkë me katër persona të tjerë pësuan lëndime. Siç mëson Sinjali dy prej tyre janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë për shkak të gjendjes së rëndë.

-Advertisement-

Katër nga të lënduarit, të cilët po ashtu dyshohen për këtë rast janë trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Ndërsa i dyshuari tjetër fillimisht ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes, duke shkaktuar edhe aksident trafiku. Por nuk i shkoi gjatë në arrati, pasi nga familjarët e tij u dërgua në spital për të marrë trajtim mjekësor.

Rastin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës dhe kanë njoftuar se deri më tani dy persona janë prangosur, derisa edhe dy të tjerë gjenden në arrati.

Sipas Policisë, dy personat e arrestuar me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera