Lajme

Përkujtohet Nekibe Kelmendin nga LDK-ja në 10 vjetorin e vdekjes së saj

Autori: Gazeta inFokus 16:00 | 19 June 2021

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, kanë bërë sot homazhe te varri i ish nënkryetares së LDK-së, Nekibe Kelmendi, në dhjetë vjetorin e vdekjes së saj.

Abdixhiku tha se Kelmendi nuk u ndal së punuari për formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës.

“Nekibe Kelmendi tashmë ka krijuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që përkundër dhimbjes së madhe qe ia shkaktoj lufta duke iu vrarë nga regjimi serb bashkëshorti dhe dy djemtë, ajo nuk u ndal së punuari për formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës.

-Advertisement-

Si veprimtare e hershme viteve 90-ta, si Ministre e Drejtësisë nuk kursej asgjë nga vetja për të mirën e vendit. Data e 19 qershorit 2021 mbush një dekadë nga ikja e saj fizike, ne e përkujtojmë me pietet dhe nderimin më të lartë emrin dhe veprën e saj.

Gjurmët, sakrifica dhe puna e saj tashmë janë një udhërrëfyes për ne që të ecim përpara duke mos harruar kurrë rrugën e vështirë të personaliteteve si Nekibe Kelmendi”, citohet të ketë thënë ai.

Sot bëhen dhjetë vjet që kur u nda nga jeta, nënkryetarja e LDK-së, dhe deputetja Nekibe Kelmendi.

Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë, më 1968. Menjëherë pas mbarimit të studimeve, ushtroi detyrën e gjyqtares, kurse nga viti 1974 deri më 1976, ushtroi profesionin e avokatisë, duke u bërë kështu gruaja e parë avokate shqiptare.

Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë, kurse vdiq më 19 qershor 2011, në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera