Lajme

Përjashtimi nga ASHNA i studentes shkollimi i të cilës kushtoi rreth 100 mijë euro

Autori: Gazeta inFokus 23:51 | 08 December 2019

Arbresha Demaj kishte një ëndërr të cilën kishte vendosur ta jetësonte duke i hyrë garës për t’u bërë kontrollore e trafikut ajror.

Fati dukej të ishte në anën e saj, në mesin e vitit 2018, kur Agjencia e Shërbimeve të Navigimit Ajror të Kosovës kishte hapur konkurs për të marrë studentë që do t’i shkollonte për këto pozita…

Por, edhe pas anulimit, ajo nuk u dorëzua, thuajse çdo ditë ka kontrolluar në faqen e internetit.

-Advertisement-

Ndërsa po bëhej gati të bënte ankesën e saj, ajo mori një telefonatë nga Agjencia duke i thënë se ishte fatlume, pasi njëri nga të përzgjedhurit kishte hequr dorë nga shkollimi.

Muajt në vazhdimi për Arbëreshen ishin sfiduese dhe si në ëndërr, ajo po ecte drejt rrugës për t’u certifikuar si kontrollore ajrore, larg vendlindjes në Çeki.

100 mijë euro ishte shuma e shkollimit të saj për çka kishte nënshkruar edhe një kontratë më Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror.

Por, gjithçka sipas saj, po ecte mbarë deri në fillim nëntorin, madje ajo kishte kaluar me shume sukses fazën e parë të certifikimit.

Telashet kishin filluar vetëm 10 ditë para se ajo të dëbohej nga shkolla, arsyet e të cilëve thotë se ende i ka të paqarta.

Gjatë gjithë kësaj kohe, shqetësimet e saj do t’i ndante me menaxherin e projektit, Arben Bytyçi, madje në një moment ai i kishte kërkuar asaj kohë për ta rregulluar problemin, duke përmendur si mundësi edhe ndërrimin e profesorit.

Vetë Bytyqi nuk ka dashur të flasë për rastin dhe shkurt në telefon i ka thënë Kohavisionit se është i zënë dhe nuk ndodhet në Kosovë.
Familje kontrolloresh…

Të gjithë Kontrolloret e rinj kanë lidhje familjare me Kontrolloret e vjetër
.
78 është numri i personave që i ishin nënshtruar testit për kontrollor në majin e 2019-s, derisa vetëm 10 nga ta ishin përzgjedhur për të vazhduar tutje.

Në krye të listës ishte Diana Vrajolli, e bija e Skënder Vrajolli i cili aktualisht punon si kontrollor i trafikut ajror në ASHNA.

I dyti në listë është Gent Kupina djali i motrës së drejtuesit të Departamentit të trajnimeve në ASHNA, kontrollorit Samir Bllacaku.

Orges Osmani ishte i treti në listë, pasuar nga Gazmend Rexhepi që sipas informacioneve, është i afërm i kontrollorit dhe anëtarit të Komisionit përzgjedhës Valon Ejupi.

I 5-ti ishte renditur Petrit Sylejmani, i biri i udhëheqësit të Divizionit për raportim, koordinim dhe politika buxhetore në Ministrinë e Financave, Remzi Sylejmani.

Ai ishte pasuar nga Lum Baftiu, djali i ish-deputetes së PSD-së, Besa Baftiu.

Lumi Hasanaj ishte i teti, ndërsa djali i motrës së shefit të Kullës, kontrollorit Izedin Ademi, Petrit Luta ishte renditur si i 8-i.
Në gjeneratën e re të kontrollorëve ishte edhe Betim Dugolli djali i vëllait të zv. ministrit të Punëve të Jashtme Çerkin Dugolli, njëkohësisht nip i Ilir Dugollit që punon në Departamentit të Sigurisë në ASHNA.

I fundit në listë ka qenë Gentrit Ramadani, i cili hoqi dorë nga shkollimi për çështje personale.
Por, pa ndonjë sqarim lista u zgjerua edhe me Çelik Thaçin, që rezulton të jetë djali i zyrtarit të Departamentit të Sigurisë në ASHNA, Ejup Thaçi dhe Arbërie Berisha.

Ndërsa në vend të Gentrit Ramadanit u thirr Arbëresha Demaj.

Demaj ka theksuar se kur kishte nisur të rrëzohej nga testet, kishte kërkuar orë shtesë të cilat do të ishte në gjendje t’i paguante edhe vetë, e po ashtu kërkoi të monitorohej nga kolegët e saj që po qëndronin në Pragë.

Por, deri a kërkesa e saj nuk u mor parasysh, kolegia e saj, Diana Vrajolli pati privilegjin që në Simulator të tregonte aftësitë e saj para të atit, Skender Vrajollit.

Kohavisioni ka pyetur edhe Institutin Çek të Navigimit Ajror, për shërbimet që ata i ofrojnë për ASHNA-në, por edhe për eliminimin nga shkollimi të Arbresha Demajt, pa e përfunduar fazën e fundit të trajnimit.

Por, ky institucion nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit.

KTV-ja gjithashtu ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror për të parë procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve që shkollohen në Çeki, por ky institucion, deri në publikimin e këtij emisioni, ka kthyer vetëm një konfirmim se do ta trajtojë kërkesën bazuar në ligjet në fuqi.

ASHNA ka rroga shumë të larta

Të punësuarit e këtij institucioni, nuk duhet të kryejnë shumë mund e shkollë, për të marrë pagë që nis nga 520 deri në 2 mijë e 280 euro.
Bëhet fjalë për të punësuarit në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror të cilët përfituan rritje të pagave fundvitin e kaluar, falë një rregulloreje të brendshme që është miratuar në ditën e fundit të 2018-s.

Aty specifikohen kodet e pagave për 125 tituj me 22 grada të ndryshme hierarkike, duke nisur nga pozita më e ulët, ajo e pastrueses dhe praktikantëve që paguhen nga 520 euro, për të vazhduar tutje ma atë të shoferit që merr pagë prej 570 eurosh.

E, koeficient pas koeficienti, paga arrin në 2 mijë e 132 euro për menaxherët e zyrës së drejtorit.

150 euro më shumë marrin menaxherët e Departamentit për Cilësi, Siguri dhe Sigurim dhe ai shërbimeve të trafikut ajror dhe departamentit, paga e të cilëve është 2 mijë e 888 euro.

Derisa Kontrollorët janë të renditur në tri kategori me gradat 5B, Kontrollorët e Trafikut Ajror ata që punojnë në Kullë, kontrollorët e trafikut Ajror për lëvizje në tokë dhe ata për vajtje ardhje.
Rroga e tyre neto është 1 mijë e 872 euro.

Por, në këtë rregullore nuk specifikohen rrogat për pozitën e drejtorit dhe zëvendësdrejtorëve operativë dhe atij financiar.
Kontrollorët Ajrorë në fillim të 2019-s kishin protestuar, duke refuzuar futjen e tyre në Ligjin e pagave për shkak se rrezikonte ulja e tyre.

Greva e tyre pati shkaktuar kaos në Aeroportin e Prishtinë, ku ishin anuluar qindra fluturime.
Ajo u ndërpre pas premtimit të Ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës se ASHNA do të trajtohet me ligj të veçantë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera