Lajme

“Periudhë ku shqiptarët ishin të diskriminuar e shtypur” Kurti shkruan për demonstratat e ’81-shit

Autori: Gazeta inFokus 11:04 | 11 March 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për demonstratat e vitit 1981, ku tha se ato filluan më 4 mars dhe vazhduan deri me 11 mars, e nga ky reagim u ngjiz një lëvizje e tërë e aktivizmit politik.

Më tej, Kurti është shprehur se demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithëpopullore ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, e të shtypur.

“Këto ditë bëhen 43 vite prej demonstratave të vitit 1981, të cilat filluan më 11 mars të atij viti. Pas një revolte spontane për kushte më të mira në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 4 mars, një javë më pas, u organizua demonstrata e parë masive e një serie të tillash, që në histori kanë hyrë si “Demonstratat e ’81-shit”. Sikur revolta e 4 marsit ashtu edhe demonstrata e 11 marsit, u shtypën me dhunë nga policia e Jugosllavisë ku po rritej dominimi i Serbisë.

-Advertisement-

Nga ky reagim u ngjiz një lëvizje e tërë e aktivizmit politik, që duke artikuluar politikisht pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj pabarazisë në qasje të shtetit federativ të Jugosllavisë, brenda një muaji, nxori në rrugë për të demonstruar qindra mijëra njerëz të një popullsie të Kosovës asokohe diç më shumë se një milion e gjysmë. Demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithëpopullore ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike. Kështu, Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe më e prapambetur në Jugosllavi, porsi një koloni”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Pas demonstratës së 11 marsit, u demonstrua edhe më 26 mars, më 1 dhe 2 prill 1981, si dhe në tubime e aktivitete të tjera. Të gjitha këto u shtypën egërsisht nga policia dhe aparati shtetëror i dhunës, pasuar nga përndjekje, gjyqe politike, burgosje, tortura dhe vrasje. Rreth një e treta e popullsisë së Kosovës u përfshi nëpër procedura ndalimi policor apo gjyqësor dhe marrje në pyetje përgjatë viteve në vijim, teksa mbi tre mijë të burgosur i kaluan mbi 25 mijë vite në burgje. Kështu më 1986, Kosova ishte vendi me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Europë. Menjëherë pas demonstratave të nisura si studentore më 1981 e të shndërruara në popullore, Universitetit të Prishtinës iu ndërrua emri dhe u quajt Universiteti i Kosovës në Prishtinë, deri më 1983 kur iu rikthye emri “Universiteti i Prishtinës”, ka shtuar Kurti.

Sipas Kurtit, demonstratat e 81-shit kanë nxjerr parullën “Kosova Republikë” dhe si rrjedhojë prodhohet një gjeneratë e aktivistëve polikë.

“Demonstratat e vitit 1981, e nxorrën parullën popullore “Kosova Republikë”, që për vite do të vazhdonte të shkruhej edhe si shkurtesë “KR”, nëpër mure e rrugë. Ajo prodhoi një gjeneratë të re të aktivistëve politikë që vetvetiu do ta merrte emrin “Brezi ‘81”. I asaj kohe, është edhe ky punim i Hydajet Hysenit, njërit prej organizatorëve të demonstratave të ’81-shit, i titulluar “Bisha unitariste”, e i cili reflektonte dorën e zgjatur të Moskës mbi zhvillimet në Jugosllavi (vëreni kthetrat mbi Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Vojvodinë). Shumë nga aktivistët dhe të burgosurit e demonstratave të vitit 1981, do të angazhoheshin edhe në lëvizjen për çlirimin e Kosovës në dekadën pasuese, që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999.

Në kujtim të të gjithë të vrarëve nga policia gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, si dhe në shenjë mirënjohje për përpjekjet e atij brezi për lirinë e Kosovës!”, ka shtuar më tej Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera