Lajme

Përgjysmohet numri i azilkërkuesve në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 09:05 | 01 January 2022

Shumica janë nga Lindja e Mesme, e pjesa tjetër nga veriu i Afrikës.

Por në Evropë po kërkojnë shtëpi të re. Madje në shtetin më të ri e më të varfër të këtij kontinenti.

Janë 536 persona që këtë vit kanë kërkuar azil në Kosovë, derisa kanë ikur nga Siria, Afganistani, Iraku, Maroku, Algjeria e Libia.

-Advertisement-

Por, vetëm një numri të vogël i është miratuar kërkesa, derisa i vogël është edhe numri i rasteve të shqyrtuara.

“Status refugjati kanë fituar 16 persona dhe janë refuzuar 10 kërkesa për azil, që sipas ligjit nuk i plotësojnë kriteret”, bën me dije Ministria e Punëve të Brendshme.

Ky dikaster qeveritar, i konfirmoi portalit Klankosova.tv se më 2020, kishte shumë më pak azil-kërkues së në vitin paraprak.

“Gjatë periudhës 01.01.2020-30.11.2020, në Republikën e Kosovës kanë kërkuar Azil 1,314 persona, ndërsa në periudhën 01.01.2021-30.11.2021 në Republikën e Kosovës kanë kërkuar azil 536 persona. Nga kjo vërejmë se ka pas rënie për -59% ne vitin 2021.” thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Aktualisht 53 persona po kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në Qendrën për Azil.

Ndërkohë Fitim Zariqi nga Qendra për Azil në Magure të Lipjanit, thotë se kanë kapacitete të mjaftueshme për strehimin e emigrantëve. Derisa në muajin nëntor është funksionalizuar një ish-ndërtesë ushtarake në Vranidoll, që do të shërbejë si qendër pranimi dhe regjistrimi për emigrantë.

Çështja e migrimit, po konsiderohet mundësi e mirë e këmbimit, qarkullimit, zhvillimit, punësimit, dhe e emancipimit kulturor e civilizues në kohërat e procesit të globalizimit.

Sociologu, Fadil Maloku, thotë se Kosova dhe përgjithësisht, i gjithë Ballkani Perëndimor nuk janë vend destinacioni, për emigrantët e Lindjes.

“Ballkani nuk është destinacion i fundit për këto dhe kontingjentet e reja eventuale. Arsyet janë të shumta. Por dominuese janë ato të; luftës, papunësisë dhe varfërisë së skajshme, që këta emigrantë të largohen nga vendet e tyre. Nuk është kjo çështje (mos)gatishmërie e kosovarëve apo shteteve tjera për t’i mirëpritur e mirëkuptuar këto kontigjente emigrantësh. Sepse, edhe kosovarët po e lëshojnë vendlindjen e tyre. Shpresa për një jetë më të mirë dhe një mirëqenie evidente, janë po ashtu agjentet sociale dominuese që i “detyrojnë” qytetarët vendas të ikin nga Kosova.” u shpreh Maloku për Klankosova.tv.

Sipas Ligjit për azil në Kosovë, cilido person që paraqet një kërkesë azili ka të drejtë të qëndrojë në territorin e saj deri në përfundim të procedurës së azilit. Ndërsa gjatë gjashtë muajve nga dita e paraqitjes së kërkesës për azil, azilkërkuesi nuk ka të drejtë të ushtrojë aktivitet fitimprurës.

Derisa për të fituar statusin e azilit, procedurat marrin gjashtë deri në nëntë muaj kohë. Emigrantët pasi marrin një letërnjoftim, kanë të drejtë të qëndrojnë në Kosovë të lirë deri në një vendim ligjor për statusin e tyre.

Por derisa këtu po bie numri i azilkërkuesve, po rritet numri i kosovarëve që po heqin dorë nga vendi i tyre. Vetëm më 2021, rreth 4 mijë e 600 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera