Lajme

Përgjimet telefonike shpallen si prova të papranueshme, të akuzuarit për fajde mbrohen në heshtje

Autori: Gazeta inFokus 09:47 | 27 October 2023

Janë shpallur të papranueshme provat e marra përmes përgjimeve telefonike në rastin ku Nexhat Hajredini, Naim Kadriu, Agron Halimi dhe Arben Sheqiri po akuzohen për fajde.

Një vendim të tillë, e mori të enjten kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri, pas propozimit të mbrojtësit së të akuzuarit Kadriu, avokatit Ali Beka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në këtë seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Besa Limani ka prezantuar provat materiale të cilat i ka propozuar gjykatës që të njëjtat të administrohen.

-Advertisement-

Si prova materiale, prokurorja Limani, i ka përmendur tre vërtetime mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, transkriptimet e masave të fshehta për përgjim të telekomunikimit për muajt mars, prill, maj dhe korrik 2015 si dhe disa raporte informuese të vitit 2015.

Sipas prokurores Limani, nga këto prova materiale përkatësisht, transkriptimet e masave të fshehta të përgjimit te telekomunikime të cilat janë realizuar gjatë bisedave që ka pas i dëmtuari Arton Shala me të akuzuarit, do të vërtetohet se këta të fundit i kanë dhënë para me fajde të dëmtuarit Shala.

Këto prova, u kundërshtuan nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Naim Rudari, Ali Beka, Tahir Rrecaj dhe Blerim Çela

Avokati Beka, tha se transkriptimet e masave të fshehta janë marrë në kundërshtim me ligjin sepse sipas tij, me rastin e urdhërimit për këto masa nga prokuroria është ditur identiteti i të pandehurit dhe nuk është nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve për një dyshim të arsyeshëm.

“Urdhëresa për masa të fshehta ka qenë me 8 shtator 2015, ndërsa aktvendimi për fillimin e hetimeve është nxjerr 7 tetor 2015”, tha avokati Beka.

Sipas tij, edhe vërtetimi për sekuestrimin e shumës së mjeteve prej 2 mijë e 200 eurove nga i mbrojturi i tij, është në kundërshtim me ligjin.

Më pas, trupi gjykues, duke vendosur sipas detyrës zyrtare si dhe pretendimeve të avokatit Beka, morri vendim me të cilin këto masa të fshehta i shpalli si prova të papranueshme në raport me të akuzuarit, pasi që të njëjtat janë nxjerr para së të merret aktvendimi për fillimin e hetimeve.

Sipas gjykatësit, Bahtiri aktvendimi për fillimin e hetimeve i datës 7 tetor 2015 bie ndesh me Kodin e mëparshëm kur janë zhvilluar hetimet, nenin 86 par 2 të Kodit të Procedurës Penale i cili ka qenë në fuqi në atë kohë.

“Në rastin konkret të dy urdhëresat të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, kanë ekzistuar dhe ka qenë i njohur identiteti i të pandehurve, me emra dhe mbiemra po ashtu shumicës pre tyre ju ka dit edhe adresa”, tha gjykatësi Bahtiri.

Tutje, katër të akuzuarit shfrytëzuan të drejtën e tyre ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për 9 nëntor 2023, ku pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 23 mars 2016. Aty thuhet se Nexhat Hajredini Naim Kadriu, Arben Sheqiri, Agron Halimi akuzohen se kanë dhënë para me fajde Arton Shalës, i cili kishte deklaruar në gjykatë se njëri i akuzuar i kishte dërguar tre persona për ta rrahur.

Kasami: Nëse intonohet himni maqedonas në shkolla, duhet edhe ai shqiptar
Read more

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera