Lajme

Përgjigjja e re Presidencës çeke për vizat: S’ka datë ende, por do të trajtohet nga ambasadorët

Autori: Gazeta inFokus 12:52 | 24 November 2022

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të kthehet me patjetër në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve]. Kështu ka konfirmuar Presidenca çeke pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel.

Qortimet që mori Kosova nga ndërmjetësit europianë për dështimin e arritjes së një marrëveshje të hënën gjatë takimit të nivelit të lartë në Bruksel u kompensuan me lëvdata kundrejt sajt pas arritjes së marrëveshjes për targa të mërkurën në takimin e nivelit teknik.

Çështja e liberalizimit të vizave që u pa si kurban i situatës në veri dhe dështimit të marrëveshjes për targa do të mbetet e pacenuar.

-Advertisement-

Kështu u zotua zëdhënësja e Presidencës çeke, Eva Hrncirova, e cila tha se ndonëse data ende s’është caktuar se kur tema e liberalizimit të vizave do të diskutohet në agjendën e Coreper-it, ajo do të jetë gjithqysh aty në ndonjërin prej takimeve të ardhshme.

“[Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovës] është në procedurën e Këshillit dhe definitivisht do të rikthehet në Coreper. Nuk ka datë akoma”, ka thënë ajo, për Gazetën Express.

Situata në veri të vendit u mor si pretekst për të shmangur futjen në agjendë të liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e djeshëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, nuk është e përshtatshme ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve]”, kishte konfirmuar dje Hrncirova për Express, duke shtuar se megjithatë Presidenca çeke e mban Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e saj.

Por, ku qëndron procesi i liberalizimit të vizave?

Aktualisht Këshilli i BE-së është afër një kompromisi dhe me pas tema e vizave të Kosovës do të kalojë në një nivel më të lartë – atë të ambasadorëve. Derisa data për të cilën është duke u punuar, sipas Presidencës çeke, për zbatimin e udhëtimit lirshëm aktualisht është 1 janari i vitit 2024.

Të martën është mbajtur takimi i fundit i Grupit Punues për Vizat në Bruksel ku është diskutuar edhe për vizat e Kosovës. Ky ishte takimi i tretë brenda një muaji.

Pas takimit të dytë të Grupit Punues u raportua se dy shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, Spanja dhe Sllovakia, mund të jenë dy vendet që kanë dhënë vërejtje e kanë kërkuar sqarime për liberalizimin e vizave për Kosovën në të ashtuquajturën procedurë të rregullt, duke e ndërprerë këtë procedurë dhe duke penguar që propozimi të marrë dritën e gjelbër.

Por, këtë e ka mohuar Sllovakia, e cila në një përgjigje tha se në takimin e 10 nëntorit ka bërë një propozim për një pjesë të tekstit, por se ajo është e angazhuar në procesin përgatitor.

“Sllovakia ka ofruar një propozim-draft në kuadër të procesit të rregullt të draftimit në Këshill për të përmirësuar një pjesë specifike procedurale të tekstit. Në këtë mënyrë Sllovakia nuk ka thyer procedurën e heshtur apo të shkruar sepse nuk ka pasë një procedurë të tillë për ta thyer. Procesi përgatitor vazhdon nën drejtimin e Presidencës Çeke dhe Sllovakia do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive”, thuhet në përgjigje për Gazetën Express.

Për Gazetën Express gjithashtu ka folur edhe Spanja, por duke refuzuar që të zbulojë nga ky proces.

“Ne vetëm mund të themi se ne nuk mund të komentojmë negociatat në vazhdim”, kishte thënë shkurt MPJ e Spanjës.

Derisa, shteti i Holandës më në fund ka lëvizur nga qëndrimi skeptik për të përkrahur liberalizimin e vizave për Kosovën pas raportit të përditësuar të Komisionit Europian për Kosovën.

Edhe Franca që ishte ndër vendet që e shihnin këtë çështje me mosbesim ka ndërruar qëndrim, por kishte propozuar që liberalizimi të lidhet me sistemin “ETIAS”, i cili pritet të hyjë në funksion më 1 nëntor 2023.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera