Opinione

Përgjigje për kryeministrin në vend të Arben Gjukës

Autori: Gazeta inFokus 23:11 | 28 December 2017

Me tu kthyer nga pushimi në Zvicër,kryeministri RamushHaradinaj e thirri në raport para “komitetit”, drejtorin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukajn.

Sikur i kërkohet të akuzuarit të rrëfej për krimin e bërë para gjykatës, Gjukës iu kërkua të tregoi fije për pe lidhur me situatën më të fundit të furnizimit me energji elektrike.

I zënë në befasi, nga ftesa përmes telefonit, duket se nuk i mbushte mendjen aspak nikoqirit që tundte kokën para kabinetit qeveritarë derisa Gjukaj tregonte se si KEK nga dje deri sot në mëngjes ka nxjerrë rreth 25 mijë metra kub thëngjill.

-Advertisement-

Haradinaj po priste kur Gjukaj do të ndalej për t’ia parashtruar pyetjen e madhe.

“Sa para janë shpenzuar për importim të energjisë elektrike?

Kjo pyetje do të duhej ti bënte të skuqeshin ministrat, posaçërisht atë të Zhvillimit Ekonomik, e do të më bënte të qeshë me zë po të isha në vend të Arben Gjukës sikur vetëm pak të kishte guxim dhe të ushtronte autoritetin që ka një drejtor i Ndërmarrjes Publike.

Gjukaj, që i ishte përgjigjur telefonatës për të raportuar në vendin e gabuar, nuk pati guxim të përgjigjej drejtë. Ai nuk kishte marrë guximin as ti thoshte jo ftesës për të zbatuar ligjin para kryeministrit.

Në fakt nuk është duke vepruar si drejtor që nga dita kur Haradinaj ka shkelur në territorin që ai menaxhon.

Por, i pari i Qeverisë meriton një përgjigje si kryeministër që është dhe Gjukaj do të duhej ti përgjigjej, pak a shumë kështu:

I nderuar kryeministër,

Së fundmi, kam vërejtur se zyrtarët e kabinetit tuaj nuk po arrijnë të bëjnë dallimin në mes të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS).

Për informim të kabinetit qeverisës ju bëjë me dije se KEK është subjekt i licencuar nga ZRRE, por sipas ligjit nuk përcakton çmime në treg. Biznesin kryesor e ka eksploatimin e qymyrit, prodhimin dhe shitjen e energjisë me një çmim që reflekton koston e operimit dhe siguron mbijetesën në treg. Pra nuk merret me import dhe eksport të energjisë elektrike dhe nuk ka kompetenca të rris çmimet. Është Ndërmarrje Publike z. Kryeministër dhe koston e energjisë e jep për qytetarët vetëm për të mbuluar çmimin e operimit. Nëse po kërkoni me shifra konkretë është vetëm 28 euro MGW, çmimi me i lirë jo vetëm në rajon por edhe në Evropë.

Duke qenë kështu, unë zbatoj obligimet e Bordit Udhëheqës dhe Aksionarit për të prodhuar energji elektrike brenda kapaciteteve qe kemi të aseteve shterore, ndërsa çfarëdo tendence për të mësuar çmimin e importit të energjisë elektrike nga KEDS, do të konsiderohej tejkalim i kompetencave të mia.

Ju lus që të kërkoni nga menaxhmenti i KEDS-it këtë informacion të rëndësishëm për afarizmin e tyre, nëse një gjë të tillë e lejon ligji.

Duke respektuar institucionin tuaj, si aksionarë i korporatës që më është besuar menaxhimi, i jam përgjigjur ftesës tuaj, pavarësisht anashkalimit të bordit udhëheqës, me qëllim të informimit rreth kompetencave të institucioneve përgjegjëse.

Ligji për ndërmarrjet publike parasheh që “Aksionari(ët) do të kërkojë nga Bordi i Drejtorëve që ta përgatisë dhe t’ia dorëzojë aksionari(ëve) një raport të hollësishëm në rast se: i. Përformanca e NP-së devijon nga caqet e përcaktuara në Planin e Biznesit të miratuar nga Bordi i Drejtorëve për vitin përkatës financiar; ii. Vlera e aseteve të NP zvogëlohet; iii. Bie niveli i kënaqësisë së konsumatorëve lidhur me cilësinë e shërbimeve. Në këto raste aksionari(ët) do të marrë parasysh masa të nevojshme korrigjuese”.

Siç edhe më obligon ligji unë do të përgatis një raport për bordin e KEK, i cili do tu dorëzohet edhe juve në afatin e paraparë.

Gjithashtu do të kërkoj nga stafi të përgatis një doracak të thjeshtësuar me detyrat dhe obligimet e Korporatës Energjetike të Kosovës për stafin tuaj.

Tani, më falni se kam për të menaxhuar një ndërmarrje në telashe të mëdha. Për të mos ju mbetur borxh edhe në këtë pikë, z. kryeministër këto telashe i kemi pikërisht nga qeverisjet e këqija dhe nga ndërhyrjet politike.

Një problem i tillë është edhe shpronësimi i tokave në Hade e Shipitullë. Z. kryeministër na është bërë barrë dicka që është krejtësisht kompetencë e qeverisë dhe institucioneve tjera dhe jo i menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut.

Nëse ju do të kërkoni nga Prokuroria që të hetohej deri në fund se kush e rriti çmimin e shpronësimit nga 5.5 milionë në 27 milionë atëherë do të bindësh (nëse nuk e din), se përtej zvarritjeve dhe akuzave e kundër akuzave në atë zonë problemi është shumë me i madh se kaq e ndoshta do të zbulohej një krim i madh financiar i koordinuar mirë nga njerëz të politikës dhe pushtetit lokal e mund të shkoj deri brenda kupolës së partisë tënde.

Me falni prapë se nuk mund të humbas kohë me shumë me ju, sepse kam përgjegjësi të mëdha për të menaxhuar një ndërmarrje, e cila siguron të hyrat e mbi 4500 punëtorëve, të cilët me punë dhe përkushtim dhe me ndjersën e tyre sigurojnë mbijetesën e familjeve të tyre.

Mirupafshim Zotëri Kryeministër
Shëndet për Ju dhe kabinetin Tuaj
Urime për rritjen e pagave

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera