Lajme

Përfundon rigjykimi për rrahjen që kishte ndodhur në “Maroon Pub” në vitin 2018

Autori: Gazeta inFokus 15:47 | 20 October 2022

Me dhënien e fjalës përfundimtare nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar dhe mbrojtësi i të akuzuarit Liridon Avdyli, ka përfunduar gjykimi në rastin ku ky i fundit po akuzohet për përleshjen fizike që kishte ndodhur në lokalin “Maroon Pub” në Prishtinë në vitin 2018.

Fjalën përfundimtare e kanë dhënë përfaqësuesi i palës së dëmtuar Kushtrim Sahiti, avokati Flakron Sylejmani dhe mbrojtësi i të akuzuarit Avdyli, avokati Granit Hadërgjonaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Sylejmani dhe avokati Hadëregjonaj fjalën e tyre përfundimtare e dorëzuan me shkrim dhe të njëjtën e kanë elaboruar në seancën e së enjtes.

-Advertisement-

Në fjalën e tij përfundimtare avokati Sylejmani tha se kjo çështje penale përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit me datë 20 shtator 2022, është anuluar dhe është kthyer në shkallë të parë në rigjykim dhe rivendosje me udhëzime për të evituar shkeljet esenciale të procedurës.

Sipas tij, përmes aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallë së parë ishte udhëzuar që të veproj në pajtim me vërejtjet e lartë cekura, t’i eliminoj shkeljet esenciale të dispozitave të procedure penale dhe kundërthëniet e cekura , dhe në rigjykim të ftohet edhe i dëmtuari.

“Paraprakisht t’i vlerësoj provat e propozuara dhe të dorëzuara në seancën e kolegjit të Gjykatës së Apelit, t’i vlerësoj ato prova dhe ta vlerësojë faktin se a ka nevojë për ekspertizë plotësuese lidhur me natyrën dhe llojin e lëndimeve, në rast të paqartësive , të ftohet eksperti për çdo sqarim shtesë të ekspertizës, pastaj në rast të pranimit të fajësisë nga i akuzuari të merret dhe të konstatohet edhe mendimi i të dëmtuarit, dhe që pastaj gjykata të konstatoj se pranimi i fajësisë mbështetet në faktet e çështjes që përmban aktakuza, në materialet e prezantuara nga prokurori i shtetit dhe çdo provë tjetër, siç janë provat materiale të dorëzuara nga i dëmtuari”, deklaroi avokati Sylejami.

I njëjti deklaroi se, në seancën e datës 17 tetor 2022, nuk është vepruar fare sipas udhëzimeve të Gjykatës se Apelit, me përjashtim të faktit se kësaj radhe është ftuar i dëmtuari në seancën e shqyrtimit gjyqësorë.

“Mos trajtimin i çështjeve dhe vërejtjeve si dhe mos zbatimi i tyre sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit nga Gjykata e shkalles së parë, paraqet shkelje identike me ato të aktgjykimit të mëparshëm”, shtoi tutje Sylejmani.

Po ashtu, ai tha se njëra nga të gjeturat dhe vërejtje e Gjykatës së Apelit ishte se Aktgjykimi i ankimuar është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të nenit 248 par. 1 nën par. 3 dhe par2. të KPPRK-së.

Prandaj, ai tha se në rastin konkret, në ketë çështje penalo – juridike nuk rezulton se pranimi i fajësisë në fjalë gjen mbështetje në provat dhe shkresat e tjera të lëndës, ashtu siç kërkon Kodi.

Tutje, i njëjti ka thënë se ajo çka e bënë të rëndësishëm krejt ketë procedurë është fakti se ky kualifikim i veprës penale nga ana e Prokurorisë Themelore nuk përputhet me gjendjen faktike përkatësisht me natyrën dhe pasojat e veprës penale, pasi që ato janë shumë me të rënda se që janë përshkruar në aktakuzë.

Sipas Sylejmanit, të dëmtuarit Sahiti, i ‘u janë shkaktuar lëndime të cilat kanë dobësuar aftësinë e përhershme të viktimës dhe tani është me pasoja të përjetshëm, siç është: Pjesa ballore është e thyer dhe cipëruar, thyerje në anën e djathtë sipër syrit e cila si pasojë shkakton dhimbje kronike gjatë gjithë kohës, thyerje – çarje e gjithë ballit, Dëmtim i 14 dhëmbëve ( disa të thyer dhe disa të devijuar dhe si pasoj është detyruar ti hequr të gjithë), etj.

“Këto prova të rëndësishme nuk janë trajtuar fare nga ana Prokurorisë së Shtetit si dhe nuk kane qenë pjese përbërëse e shkresave të lëndës edhe pse të njëjtat janë dorëzuar personalisht nga i dëmtuari madje kjo është vërtetuar-konstatuar edhe nga Gjykata e Apelit me rastin kthimit të këtij rasti në rigjykim dhe rivendosje”, tha avokati Sylejmani.

Andaj, ai i ka propozuar gjykatës që i akuzuari Avdyli të shpallet fajtor, dhe t’i shqiptohet sanksion penal meritor dhe adekuate me peshën e veprës penale, pasojat dhe rrethanat me të cilat janë kryer këto vepra.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Avdyli, avokati Hadërgjonaj në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se pas konsultimeve me të mbrojturin e tij ashtu që i njëjti duke qenë i njoftuar për benefitet që i takojnë sipas ligjit për pranimin e fajësisë ka vendosur që të bëjë pranimin e fajësisë.

Avokati Hadërgjonaj po ashtu ka njoftuar se i mbrojturi e tij jeton në kushte jo të mira ekonomike, dhe sipas tij, i njëjti është mbajtës i familjes, është baba i tre fëmijëve kujdeset për bashkëshorten e tij, nënën e tij në moshë të shtyrë.

“E nëse ndaj të mbrojturit tim, do të shqiptohej dënim me burg, me keqardhje ju them familjes së tij do t’i vështirësohej gjendja ekonomike, për mos të thënë ekzistenca”, deklaroi ai.

Përveç kësaj, avokati Hadërgjonaj tha se, ka kaluar një kohë e gjatë që nga incidenti që ka ndodhur, dhe i ka propozuar gjykatës që të merr parasysh gjendjen ekonomike të të mbrojturit të tij, respektin që ka treguar i mbrojturi i tij në raport me gjykatën dhe kërkim faljen e sinqertë ndaj palës së dëmtuar.

Në fund, gjykatësja e rastit Sulltane Hoti e ka shpallur të përfunduar këtë çështje penale, ndërsa shpallja e aktgjykimi për këtë rast do të bëhet më 24 tetor të këtij viti.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2022, Avdylin e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe e kishte dënuar me 6 muaj burgim i cili dënim me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 800 euro.

Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit ka parashtruar ankesë përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokat Reshat Millaku, duke propozuar që ndaj të dënuarit Avdyli të shqiptohet një dënim më i rëndë më burgim efektiv, me të cilin sipas tij do të arrihej qëllimi i dënimit.

Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesa e të dëmtuarit është e bazuar dhe më 20 shtator 2022 ka marr aktvendim me të cilin ka kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas vendimit të Apelit, është konstatuar se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të procedurës penale dhe kjo për faktin se nuk është përpiluar në harmoni të plotë me dispozitat ligjore.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar nuk është i qartë, në dispozitivin e këtij aktgjykimi nuk janë përshkruar qartë të gjitha veprimet inkriminuese të të akuzuarit, në të cilat veprime manifestohen të gjitha elementet qenësore të kësaj vepre penale, për të cilën është akuzuar dhe shpallur fajtor i akuzuari”, thuhet në vendim.

Apeli po ashtu ka konstatuar se aktgjykimi i ankimuar është nxjerr në kundërshtim me dispozitën ligjore të nenit 248 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe paragrafi 2 të KPRK-së.

Tutje, sipas vendimit, nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësorë ka rezultuar se nuk ka qenë i ftuar dhe prezent i dëmtuari Sahiti, i cili nuk ka mundur të paraqes fakte dhe prova të cilat ndikojnë në të drejtën e tij.

“Po ashtu, aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë edhe me shkelje tjera të dispozitave procedurale penale, nga neni 394 paragrafi 1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 paragrafi 6 dhe 7 të KPPRK-së, për faktin se dispozitivi i aktgjykimi është i pa qartë dhe në kundërshtim me arsyetimin e aktgjykimit” thotë tutje vendimi i Apelit.

Ndryshe, në këtë rast të akuzuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” kanë qenë edhe Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihu mirëpo, me aktvendim të veçantë, gjykata e ka hudhur aktakuzën për të njëjtit për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale.

Sipas aktakuzës së plotësuar më 2 mars 2020, Liridon Avdyli akuzohet se si punonjës në lokalin “Maroon” kishte shkuar tek shanku ku ka qenë duke qëndruar klienti-tani i dëmtuari Kushtrim Sahiti dhe pa asnjë paralajmërim ose shkak, me dashje që t’i shkaktoj lëndime trupore, e kishte goditur të njëjtin me një bateri elektrike të policisë. Aty thuhet se nga goditja i dëmtuari Sahiti është rrëzuar për tokë, ku pastaj janë ofruar dhe 4-5 persona të tjerë, po ashtu punonjës të lokalit deri tani të pa identifikuar, të cilët thuhet se kanë vazhduar ta godasin të dëmtuarin Sahiti. Sipas aktit akuzues, nga goditja që i dëmtuari e merr nga i akuzuari Avdyli, pëson thyerje në anën e djathtë të sinusit frontal.

Më këtë, Liridon Avdyli akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 189, paragrafi 1, pika 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihi i kanë goditur të dëmtuarit Leutrim Morina dhe Kushtrim Sahiti në pjesë të ndryshme të trupit me shkop, ku me këtë rast iu kanë shkaktuar lëndime trupore.

Me këto veprime, të akuzuarit Elmi Podrimqaku dhe Arben Nebihi ngarkoheshin se kanë kryer veprën “Lëndimi i lehtë trupor ” nga neni 188, paragrafi 1, pika 1.4 të KPRK-së, vepër kjo e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera