Lajme

​Përfundojnë korrje-shirjet, shumica e fermerëve ende nuk i morën subvencionet

Autori: Gazeta inFokus 10:00 | 05 August 2023

Fermerët mbollën dhe korrën arat me grurë, por shumica prej tyre ende nuk i morën subvencionet për mbështetje direkte nga Ministria e Bujqësisë. Fermerët e vendit kërkojnë nga Qeveria të subvencionohen para se të fillojnë punën, në mënyrë që të jenë më të përgatitur. Sipas tyre, shpenzimet për t’u marr me këtë veprimtari bujqësore janë mjaft të mëdha dhe vështirë të përballueshme. Të njëjtit adresuan ankesa edhe në Ministrinë e Bujqësisë lidhur me këtë, pasi siç thonë ata, vonesa e subvencioneve tashmë është bërë traditë.

Përfunduan korrje-shirjet, e te disa fermerë ende nuk ka pasur vizita të inspektorëve në terren për t’i shikuar të mbjellat dhe dëmet që janë bërë nga vërshimet, ndonëse të njëjtit kanë aplikuar për subvencione.

Për këtë, KosovaPress dërgoi pyetje edhe në Ministrinë e Bujqësisë, por e njëjta nuk ktheu përgjigje.

-Advertisement-

Pavarësisht se thirrja për të aplikuar për subvencione nga Ministria e Bujqësisë këtë vit ishte më e hershme, bujqit ankohen për mosekzekutim të pagesave.

Fermeri nga fshati Zllatar në Komunën e Ferizaj, Shukri Sallahi, i cili ka pasur të mbjella rreth 100 hektar me grurë, kërkon nga shteti të subvencionohen para se të fillojnë të mbjellin farën. Sipas tij, edhe në vitin e kaluar ka pas vonesa në subvencione.

“Unë tash i kam pas shpenzimet e mëdha, naftë i harxhoj 400 litra në ditë, në çdo vend më duhen paret, shteti nuk i kupton këto…Inspektorët është dashur të shikojnë listën e fermerëve të Kosovës në përgjithësi…por as kontrollin nuk e kam pas për këtë vit, ende nuk janë ardhur…ndërsa vitin e kaluar subvencionet i kam marrë në tetor, kam qenë duke qëruar misrin e në atë kohë janë dalë”, thotë Sallahi.

Edhe fermeri që merret me kultivimin e patates, Bedri Kasumi thotë se Qeveria duhet patjetër t’i ndihmojë me subvencione para se të fillojnë punën.

“Duhet patjetër, sepse subvencionet jepen për ndihmë fermerit, qoftë për farë apo derivate, dhe kjo me vonesa sigurisht se shkakton dëme ose mungesë të parave tek fermeri, dhe kish me qenë më e qëlluar sikur të kishte ndodhë në kohen e mbjelljes”, thotë Kasumi.

Se duhet të ndryshojë kriteri i subvencionimit e thotë edhe fermeri nga Komuna e Drenasit, Hajredin Bujupi, i cili ka të mbjella rreth 15 hektarë me grurë.

Bujupi thotë se pavarësisht premtimit të qeverisë se këtë vit një pjesë e subvencioneve do të ekzekutohet më herët, nuk është mbajtur premtimi ende.
“Qeveria edhe ashtu na ka premtuar dhe na ka thënë të aplikojmë sivjet shumë më herët, mirëpo tash shkoj muaji korrik dhe ende as nuk janë dalë (inspektorët) në terren, as nuk kemi diçka prej qeverisë për pjesën që e ka folur për subvencione”, thotë Bujupi.

Ndërsa, profersori i Bujqësisë, Imer Rusinovci derisa thotë se subvencionet duhet të jepen para se fermerët të fillojnë punën. Ai shtoN se shteti duhet të mendojë edhe për masa tjera stimulative për bujqit.

“Duhet të ndryshohen kriteret, sepse çdo masë stimulative që duhet të zbatohet, ose zbatohet tek fermerët duhet të japë rezultate. Pra, të bëhet me fillim, por monitorimi, vetëdijesimi i fermerëve, puna në terren duhet të jetë kolosale dhe duhet të mbështetet në kritere të mirëfillta që t’i prolongojnë të gjitha mundësitë e keqpërdorimit, sepse të tillat nuk shpien në rezultat. Ai që punon duhet të mbështetet, por më e keqja tash është se çmimi i grurit është tejet i ultë, këtu duhet të ndihet dora e shtetit, që ish dashtë të mbështetet me një proporcionalitet të caktuar për masë stimulative”, thotë Rusinovci.

Para tri javëve, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se kanë proceduar vetëm 2 milionë euro për pagesa nga Programi i Pagesave Direkte – Subvencioneve 2023. Sipas kësaj ministrie, pagesat për plehërimin dhe naftën do të procedohen pasi që fermerët i sjellin faturat si dëshmi, derisa i tërë buxheti për bujqit këtë viti sipas Qeverisë, është rreth 100 milionë euro

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera