Lajme

Përfaqësuesit e sindikatave thonë se ndryshe nga Kurti, Haradinaj dhe Thaçi nuk iu përgjigjën ftesës së tyre për takim

Autori: Gazeta inFokus 17:42 | 11 December 2019

Albin Kurti, Kryeministri në ardhje është takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Federatës së Shëndetësisë së Kosovës  si dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës.

Ky takim u bë me kërkesën e këtyre të fundit për të njoftuar Kurtin për qëndrimet e tyre në lidhje me ligjin e pagave.

Në njoftimin e VV-së thuhet se ata shprehën falënderimin për gatishmërinë për takim që ndryshe nga Kurti, këtë nuk e bënë kryeministri në detyrë, Haradinaj dhe presidenti i vendit, Thaçi.

-Advertisement-

“Fillimisht, përfaqësuesit e sindikatave shprehën falënderimet e tyre për gatishmërinë e përhershme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për t’i takuar dhe trajtuar problemet e punëtorëve, për dallim nga Kryeministri në ikje dhe Presidenti aktual, nga të cilët nuk kanë marrë përgjigje në ftesat për takim. Ata njoftuan Kurtin dhe të pranishmit e tjerë me qëndrimet e tyre mbi Ligjin mbi Pagat, i cili aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ata shprehën shqetësimet e tyre me zhvillimet e fundit në raport me këtë ligj dhe njoftuan se janë në kontakt me Këshillet Drejtuese të secilës nga këto tri sindikata, me të cilat do t’i shqyrtojnë veprimet e ardhshme” thuhet në këtë njoftim.

Në këtë takim u dakorduan për bashkëpunim edhe në të ardhmen dhe se problem i tanishëm është formimi i institucioneve dhe pastaj marrja me secilin problem që i preokupon këto sindikata.

“Të dyja palët u pajtuan se në raport me këtë çështje, çfarëdo hapi i mëtutjeshëm është i kushtëzuar nga dy procese të rëndësishme për vendin: formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin mbi Pagat. Gjithashtu, ato u pajtuan që, si asnjëherë më parë, për të gjitha çështjet të vazhdojë bashkëpunimi i afërt mes Qeverisë së ardhshme dhe të gjitha sindikatave”, thuhet në njoftimin e VV-së./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…

Të tjera