Lajme

Përfaqësues nga Serbia interesohen për një projekt energjetik në Kosovë, takimi mbahet sekret

Autori: Gazeta inFokus 16:01 | 04 August 2021

Në marsin e këtij viti, dy përfaqësues të një kompanie me seli në Beograd kanë trokitur në derën e kompanisë publike që merret tregun e energjisë elektrike në Kosovë, e që njihet si KOSTT.

Burime të Gazeta Infokus kanë njoftuar se takimi ka ndodhur saktësisht me 8 mars, në zyrën e Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT-it, Mustafë Hasani.

Kompania e huaj thuhet se është përfaqësuar nga Sasha S. dhe Zarko S.

-Advertisement-

“Këta dy persona kanë qenë të interesuar për projektet në KOSTT, me theks të posaçëm për projektin e rëndësisë strategjike dhe sigurisë shtetërore në aspektin e sistemit elektro-energjetik të Kosovës, i quajtur SCADA/EMS”, ka thënë burimi i Infokus-it.

Ky projekt, sipas tij, ka qenë i gatshëm për tenderim qysh në mesin e vitit të kaluar, mirëpo në mungesë të Bordit për ta aprovuar Biznes-Planin, nuk është shpallur tenderi për të.

Projekti, sipas burimit, të gazetës ndërlidhet edhe me ENTSO-E, mekanizëm energjetik që i ka mundësuar Kosovës të largohet nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë – Shqipëri.

Gazeta Infokus për tri ditë rresht ka insistuar të marrë përgjigje nga KOSTT-i në lidhje me takimin që, sipas burimit, është zhvilluar mes Hasanit dhe dy përfaqësuesve serbë, por nuk ka marrë kurrfarë shpjegimi.

Zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Bajrami- Rama është arsyetuar se është në pushim të verës, ndërsa zyrtarja tjetër, Elvane Devexhi- Osmani, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet që i janë dërguar nga redaksia e Infokus-it.

Ajo që dihet është se që nga paslufta, asnjë kompani serbe nuk ka fituar projekt nga KOSTT-i./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera