Sport

Për yjet kosovarë të xhudos, medaljet duhet të presin

Autori: Leart Hoxha 16:30 | 18 November 2020

Kosova në arenën botërore të xhudos është shndërruar në fuqi që duhet të merret seriozisht, dhe shtyrja e Lojërave Olimpike në Tokio erdhi si një goditje e hidhur.

Për Distria Krasniqin, shtyrja e Olimpiadës 2020 nuk është thjesht një zhgënjim. Kjo do të thotë se do të ketë edhe një tjetër vit intensiv të numërimit të kalorive dhe netëve pa gjumë.

“Nganjëherë mendoj se njerëzit thjesht nuk e kuptojnë”, tha Driton Kuka, përzgjedhës i ekipit kombëtar të Kosovës në xhudo, pjesë e të cilit është Krasniqi.

-Advertisement-

“Njerëzit nuk e dinë se çka do të thotë të dobësohesh në më pak se 48 kilogramë dhe më pas të shkosh dhe të luftosh menjëherë ditën tjetër”.

“Struktura e trupit të saj, hormonet, masa muskulore, gjithçka tjetër… duhet të ketë durim edhe për një vit”.

Kuka në korrik pritej të merrte pesë xhudistë kosovarë në Tokio, duke përfshirë edhe heroinën kombëtare, Majlinda Kelmendin, fituese e medaljes së artë në kategorinë 52 kilogramë në Olimpiadën 2016 të Rios.

Me secilin shtet të limituar në vetëm një garues për çdo kategori, Krasniqi, 25-vjeçare, është dashur të zbresë peshën e saj në 48 kilogramë dhe ta mbajë edhe më poshtë, gjë që nuk është punë e lehtë.

Shtyrja e Lojërave Olimpike është një përvojë e hidhur personale për Krasniqin dhe për tërë Kosovën, që pati shpresa të mëdha për më shumë lavdi në daljen e dytë olimpike.

Komiteti Olimpik i Kosovës, KOK, e ka pasur të vështirë përballjen me pasojat, në veçanti kur bëhet fjalë për paratë.

Qyteti kosovar i xhudos

Kuka është legjendë në Kosovë. Një ish-xhudist, atij iu vodh ëndrra Olimpike më 1992 nga shembja e përgjakshme e Jugosllavisë federale dhe kurrë nuk pati nderin që të përfaqësonte Kosovën, që

ndërkombëtarisht më 2008 e deklaroi pavarësinë nga Serbia.

Në vend të saj, ai në shtëpinë e tij në Pejë ndërtoi një dojo – dhomë ose korridor ku praktikohen xhudo dhe artet e tjera marciale – dhe u bë forca lëvizëse e ngritjes së një grupi të xhudistëve të klasit botëror nga ky qytet.

Që të pesë xhudistët e ekipit të paraparë të garojë në Tokio janë nga e njëjta lagje. Ata ende stërviten në dojo-n në bodrumin e Kukës, ku ai ka stërvitur ata drejt medaljeve në skenën evropiane dhe botërore për çdo vit, për shtatë vjetët e fundit.

Kuka shpreson që ekipi i tij i lidhur ngushtë, do të ketë fuqinë që të mbijetojë sfidën e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 në sportin në përgjithësi.

“Ndoshta do të jetë më e lehtë ta mbaj ekipin tim të bashkuar, pasi që jetojmë në të njëjtin qytet, pak a shumë në lagjen e njëjtë”, tha ai.

Pasojat financiare

“Por ky është vetëm fillimi. Gjithçka tjetër tani është shumë më e komplikuar. Asgjë nuk do të jetë e njëjtë”.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, KON, mori vendimin që të shtyjë lojërat në fundin e muajit mars, kur u bë e qartë se pandemia do ta bënte të pamundur organizimin e një ngjarjeje ku mijëra sportistë

dhe qindra mijëra spektatorë do të zbarkonin në Tokio, ku do të fërkonin krahët me miliona turistë.

Sipas disa përllogaritjeve, kostoja e shtyrjes mund të arrijë ndërmjet dy dhe gjashtë miliardë dollarë.

Komiteti Olimpik i Kosovës, që ka një buxhet vjetor të vogël të një milion eurove, kishte llogaritur për më shumë marrëveshje fitimprurëse sponsozirimi në një vit Olimpik. I pyetur për pasojat financiare të pandemisë, Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani tha se 2020-a ishte vit sfidues, por mund të menaxhohet.

“Duhet të adaptohemi”, tha Hasani.

“Nuk pati udhëtime, gara, kështu që u fokusuam në seminarët online, punuam në ngritjen e kapaciteteve të stafit dhe ishim me fat që mbështetja financiare nga KON dhe qeveria mbeti e njëjtë.

Sidoqoftë, ne kemi probleme me sponsorët, por mendoj se mund të menaxhojmë dëmet”.

“KON-i do të na dërgojë një udhëzues në dhjetor, me anë të të cilit do të udhëzojë Komitetet Olimpike kombëtare dhe federatat ndërkombëtare sportive se si të vazhdohet dhe çfarë masa të merren për sportistët, tifozët dhe mediat”, tha Hasani për BIRN.

Ai përjashtoi mundësinë e një shtyrjeje të dytë. “Nëse Lojërat Olimpike nuk mbahen në verën e ardhshme, ngjarja do të anulohet”, tha ai, diçka që ka ndodhur vetëm gjatë dy luftërave botërore.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach tha se Komiteti po përgatitet për një sërë skenarësh.

“Prioriteti kryesor është që këto Lojëra Olimpike të mbahen vetëm në një ambient të sigurt për të gjithë”, tha ai për Euronews.

Mundësia e fundit e Kelmendit

Lojërat Olimpike 2020 pritej të ishin të fundit për Kelmendin. Xhudistja 29-vjeçare është ndër më të dekoruarat e gjeneratës së saj, me medalje të arta në Kampionate Botërore dhe Evropiane, tituj të Grand Slamit dhe çmime botërore Xhudistja e Vitit.

Olimpiada 2020 pritej të sillte një rimeç ndërmjet Kelmendit dhe sensacionit japonez, adoleshentes Uta Abe, pasi Abe fitoi në duelin e parë ndërmjet tyre në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror 2019, që gjithashtu u mbajt në Tokio.

“Majlinda Kelmendi është stërvitur dhe është përgatitur për këtë Olimpiadë më shumë se sa për Lojërat e vitit 2016 në Rio”, tha komentatori veteran i sportit, Arben Berisha, që mbuloi Lojëra Olimpike të Rios në vitin 2016 dhe ato të Londrës më 2012. Kelmendi garoi me flamurin e Shqipërisë në Londër, pasi që Kosova ende nuk ishte bërë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Triumfi i saj në Rio, e ngriti Kelmendin në heroinë kombëtare në Kosovë.

“Tani e gjitha do të varet nga forma e saj dhe e rivaleve të saj deri në, të shpresojmë vitin tjetër, që të shihet nëse do të mbesë në majë si një vit më e vjetër, me një tjetër vit të përvojës të shtuar në Uta Aben premtuese”, tha Berisha.

Kuka tha se pandemia doli të jetë një sfidë e madhe, nga shëndeti mendor te fitnesi.

“Xhudo është sport specifik dhe një gabim mund të ju kushtojë me lëndim dhe të ju mbajë jashtë për disa muaj”, tha ai.

“Kam qenë në kontakt me trajnerë nga e gjithë Evropa. U bëmë miq të mirë përmes Skype, edhe pse ishim garues të mëdhenj kur u përballëm me njëri-tjetrin”.

“Me të vërtetë, është qesharake kur e mendoni. Por, ne flasim me njëri-tjetrin çdo ditë dhe krahasojmë shënimet për ushtrimet dhe provat në karantinë dhe izolim”.

Kuka tha se homologët e tij gjermanë i dhanë këshilla për regjime të fitnesit gjatë periudhës së pauzimit, derisa pritet për garën e radhës.

“Pjesa tjetër është trajnimi mental dhe shmangja e lëndimeve”, tha ai. “Po aplikoj disa elemente të këtij modeli me ekipin tim teksa po flasim”.

Autor: Leart Hoxha

(Ky shkrim është botuar fillimisht në Balkan Insight, më 21 tetor 2020)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera