Lajme

Për shkelje të privatësisë dhe informimit, u gjobitën 18 institucione e kompani

Autori: Gazeta inFokus 12:32 | 29 December 2023

Agjencia për Informim dhe Privatësi, këtë vit ka pranuar në total gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë (666) ankesa në kuadër të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Për mohimin e qasjes në dokumente publike, AIP ka pranuar 549 ankesa, 449 prej tyre janë mbyllur, ndërsa 100 ankesa janë në proces të shqyrtimit.

Ndërkaq, AIP thotë se gjatë këtij viti, janë shqiptuar 14 gjoba administrative për moszbatim të vendimeve detyruese.

-Advertisement-

“Gjobat e shqiptuara ndaj institucioneve publike janë: ndaj Komunës së Fushë Kosovës – dhjetë (10) gjoba; Universitetit Publik ‘Hasan Prishtina’ – një (1) gjobë; Komunës së Shtërpcës – një (1) gjobë; Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – një (1) gjobë; dhe Komunës së Gjilanit – një (1) gjobë. Shuma totale e të gjitha gjobave është 47.000,00€ (dyzet e shtatë mijë euro)”, ka njoftuar kjo agjenci.

Ndërsa, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, AIP thotë se ka pranuar 117 ankesa, ka kryer 118 inspektime, prej të cilave 60 inspektime sipas ankesës dhe 58 sipas detyrës zyrtare.

“Numri në total i vendimeve të nxjerra është 178 (njëqind e shtatëdhjetë e tetë). Janë shqiptuar 4 (katër) gjoba, ndër to 3 (tri) për kontrollues privatë (Asistenca Rrugore e Kosovës dhe Asistenca Rrugore “Kenguri” për aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë, si dhe ‘Soma’ Sh. P. K. për mos zbatimin e vendimit të Agjencisë për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë); ndërsa 1 (një) gjobë ndaj Partisë Social Demokrate për publikimin e të dhënave personale. Shuma totale e të gjitha gjobave është 32.000€ (tridhjetë e dymijë euro)”, tha AIP-ja në njoftimin për media.

Gjatë vitit 2023, Agjencia për Informim dhe Privatësi thotë se është bërë edhe anëtare me të drejta të plota në Shoqatën Frankofone për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ndërsa është përfaqësuar edhe në tetë konferenca ndërkombëtare dhe rajonale (në cilësinë e panelistes), si dhe ka qenë nikoqire e Konferencës Rajonale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale “Iniciativa 20i7”.

Agjencia tha se këtë vit është vënë re ndërgjegjësim i qytetarëve për të ushtruar dhe jetësuar të drejtat e tyre qytetare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera