Opinione

Për një sociologji të shëndetit post-karteziane

Autori: Gazeta inFokus 17:21 | 03 May 2023
Ekziston një konstatim i përgjithshëm se filozofia moderne dhe zhvillimi i shkencave në masë të madhe buron nga mendimi filozofik i Rene Dekartit.
Pikënisje e kësaj mënyre të re të të filozofuarit u konsiderua pandehma e tij mbi “Unin mendor” dhe promovimin e dualizmit ontologjik në ndarjen ontolgjike ndërmjet trupit dhe mendjes apo realitetit në substancë mendore dhe materiale, që njihet ndryshe si “res cogitans” dhe “res extansa”.
Mirëpo, nëse në shumëçka kjo paradigmë e të menduarit është tejkaluar nga kritika e mëvonshme filozofike, duke filluar me kritikën transcendentale të Kantit, duke vazhduar me metodën e Hegelit dhe insistimin e tij mbi lidhjen inherente ndërmje strukturave sociale dhe historike dhe asaj të vetëdijes, si dhe tezat e Marks -it mbi varësinë e vetëdijes nga kushtet shoqërore dhe ekonomike, e deri tek mësimet e Nice-s dhe Frojd -it, mbi zbulimin e “iracionales në zemër të racionales”, megjithatë paradigma e tij dualiste mbi ndarjen e mendjes dhe trupit ka mbetur persistente në shkencat mjekësore. Ajo dominon sot e kësaj dite modelin biomediakal në trajtimin dhe shpjegimin e etiologjisë së sëmundjeve në mase të madhe. Model ky, i cili i anashkalon të shumtën e kohës faktorët sociale dhe kulturore në trajtimet shëndetësore.
Siç ka argumentuar, Alan Clarke në librin “The Sociology of Healthcare”, shëndeti, sëmundjet dhe patologjitë tjera, nuk janë vetëm të kushtëzuara nga kushtet biologjike, por ato duhet trajtuar edhe në prizmin e konditave sociale. Dhe se është pikërisht ky dimension social që qëndron në zemër të sociologjisë së shëndetit dhe sëmundjeve. Natyrisht, sociologët e kësaj disipline e njohin rëndësinë faktorëve biologjik në etiologjinë e sëmundjeve, mirëpo ata nuk i neglizhojnë faktorët e tjerë socialë dhe kulturorë.
Për dallim nga ky model sociologjik i shëndetit, paradigma biomedikale e cila edhe është bërë dominante në shkencat mjekësore në civilizimin perëndimor gjatë këtyre shekujve të fundit, bazohet në ndarjen dihotomike ndërmjet trupit dhe mendjes. Kurse, kjo ndaje shërben si kornizë konceptuale në definimin e sëmundjeve dhe shëndetit. Kështu, shkaqet e tyre hetohen vetëm brenda trupit. E ky i fundit shndërrohet në objekt të trajtimit dhe studimit në izolim nga proceset tjera. Sëmundja konsiderohet si një “thyerje” e sistemit biokimik dhe neuropsikologjik të funksionit të trupit.
Në këtë kontekst, duke e portretizuar sëmundjen vetëm si pasojë e keqfunksionimit të trupi njerëzor, modeli medikal operon sipas metaforës së makinës gjatë shpjegimeve të veta shkencore. Madje, insistimi në këtë mënyrë, ka bërë që tash edhe pjesë të veçanta të trupit të konsiderohen si pjesët e makinës, të cilat në rast të mosfunksionimit adekuat duhet të riparohen, pavarësisht nga tërësia e tij.
Prandaj, vazhdon Alan Clarke, përkundër dominimit të kësaj paradigme, megjithatë modeli biomedikal duke u bazuar vetëm mbi premisat e determinizmit mekanik, nuk i adreson si duhet raportet ndërmjet kushteve sociale, deprivimeve materiale dhe shëndetit.
Kurse, kufizimi kryesor i këtij modeli, sipas sociologjisë së shëndetit mbetet pikërisht insistimi sot e kësaj dite, në ndarjen duale ndërmjet trupit dhe mendjes. Sepse me këtë qasje injorohen faktorët psikologjikë dhe social.
Prandaj, si alternativë ndaj kufizimeve të kësaj qasje, e cila siç thamë është rezultat i trashëgimisë karteziane, libri “The Sociology of Healthcare” e shtron rrugën e ndërtimit të “modelit biopsikolgjik shëndetësor, model ky që insiston në trajtimin e pacientit si tërësi dhe jo vetëm sipas modelit mekanik të qenies njerëzore”. Sepse, metafora mekanike e inkurajon atë model intervecionisit sipas së cilës mjekët shihen vetëm si ekspertë ku në saje të aftësive teknike kanë për detyrë të riparojnë pjesë të trupit njerëzor.
Kurse, metoda sociologjike insiston se sëmundja dhe shëndeti mund të kuptohen si duhet vetëm duke e marrë një konsideratë një kontekst më të gjerë social dhe kulturor brenda të cilit kushtet mentale dhe fizike vështrohen , diagnostifikohen dhe trajtohen.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera