Opinione

Për ngelcanat që fajësojnë sistemin

Autori: Imer Mushkolaj 16:53 | 23 September 2022

Organizimi i mësimit gjatë viteve ’90 në shtëpitë-shkolla ishte sfidues. Por, rezultatet pozitive nuk mungonin. Nxënësit e suksesshëm të asaj kohe, të tillë janë edhe sot. Ndërkaq të dobëtit, ngelcanat, fajësojnë mësuesit, fajësojnë sistemin.

Imer Mushkolaj

Greva e mësimdhënësve ka ndezur debatet nëse ata janë fajtorët kryesorë për cilësinë e dobët në arsim dhe, krahas kësaj, kush është më analfabet se tjetri. Qeveria dhe mbështetësit e partisë në pushtet i kanë në shënjestër mësuesit, përkatësisht përfaqësuesit sindikalë të tyre.

-Advertisement-

Para pak ditësh, kryetarit të sindikatës së arsimit iu soll ndërmend nga një deputet i shumicës se si ai kishte punuar pa para gjatë viteve ’90, ndërkaq tash po i mbaka peng fëmijët për 50 euro më shumë.

Është i njëjti deputet i cili, kur iu publikuan dëftesat e shkollës me nota të dobëta ose mesatare, tha se gjatë viteve ’90 në shtëpitë-shkolla nuk ishte mësuar asgjë. Në këtë mënyrë, për sukesin e tij ai fajësoi gjithë sistemin e atyre viteve, të organizuar e mbajtur me mund e sakrificë në radhë të parë nga mësuesit.

Unë vetë bëj pjesë në gjeneratën e parë të nxënësve, që shkollimin e mesëm e nisi në shtëpitë-shkolla. Në shtator të vitit 1991, atëherë kur prisja të filloja gjimnazin, dyert e shkollës u mbyllën nga regjimi i Beogradit. Pushtetarët e atëhershëm serbë kërkonin që nxënësit të mësojnë me planprograme të Serbisë. Për gati katër muaj me radhë protestuam rregullisht para ndërtesës së gjimnazit, duke kërkuar që të na lejohet hyrja brenda. Por, pa sukses. Atëherë, strukturat e atëhershme të shtetit paralel të Kosovës, i cili sapo kishte nisur t’i bëjë rezistencë institucionale Beogradit, bënë përgatitjet shpejt dhe brenda pak javësh mësimi nisi.

Një entuziazëm i paparë i mësuesve dhe nxënësve, të cilët mbajtjen e mësimit përveç si detyrë e konsideronin edhe mision, pjesë të luftës kundër Serbisë.

Në kushte aspak të favorshme, madje të paimagjinueshme për një shkollim normal, sukseset nuk mungonin. Ato shkolla-shtëpi, ai sistem parelel nxori plot profesionistë fushash të ndryshme, të cilët tash mbajnë barrën kryesore në Kosovë. Janë nxënëset e nxënësit e atëhershëm, tash në të katërdhjetat e të pesëdhjetat, të cilët atëbotë zgjodhën të mësojnë e të arsimohen, duke u vlerësuar shkëlqyeshëm nga mësuesit e tyre. Por, sistemi nxori edhe plot nxënës të dobët, të cilët nuk donin të mësonin dhe nuk çanin kokën për nota të mira. Ndër ta mund të jetë edhe deputeti i cili fajëson sistemin, e aspak individin për rezultatet e arritura. Ndërkaq, si të dobëtit ashtu edhe të suksesshmit u shkolluan në kushte të njëjta, në sistemin e njëjtë.

* * *

Në sistemin arsimor të viteve ’90, sikurse edhe në këtë të tashmin, ka pasur dhe ka plot mësues të dobët. Të atillë që nuk përkushtohen sa duhet dhe që qëllim kryesor e kanë ta marrin pagën në fund të muajit. Por, nëse një pjesë janë të tillë, nuk bën të përfshihen të gjithë. Ashtu siç nuk bën të vlerësohen njësoj të gjithë nxënësit qoftë atëherë, qoftë tash.

Njoh plot shokë e shoqe të gjeneratës, të cilët janë jashtëzakonisht të suksesshëm në profesionet e tyre. Pra, të atillë që kanë mësuar në shtëpitë-shkolla, qoftë edhe nëse ndonjë mësues që iu ka ligjëruar ka qenë i dobët ose nuk ka qenë në nivelin e duhur. Njoh të tjerë, të cilët kanë qenë të dobët atëherë dhe të tillë vazhdojnë të jenë edhe sot, të atillë që nuk kanë arritur ta gjejnë veten sa e si duhet.

Janë joreale përpjekjet për të fajësuar për dështimin vetëm sistemin arsimor të asaj kohe. Sepse, tekefundit, shkollimi ka të bëjë shumë edhe me angazhimet individuale të secilit e secilës, ka të bëjë me përkushtimin individual. Përtej lëshimeve dhe deformimeve në sistem, ata që duan të mësojnë mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Sot, kur tash e gati një muaj greva vazhdon dhe nxënësit kanë mbetur jashtë shkollave, në vend se të gjejë zgjidhje pushteti kërkon fajtorët. Natyrisht, mësuesit janë “fajtorët kujdestarë”. Ndërkaq, udhëheqësit sindikalë fyhen, shahen, akuzohen, linçohen.

* * *

Unë jam ndër ata që zëshëm, jo rrallë kam kërkuar që mësimdhënësit të testohen e të vlerësohen. Jam ndër ata që kam kritikuar politizimin e arsimit, bërjen pjesë të sistemit të atyre që janë të dobët e jokompetentë për punën që bëjnë. Vazhdoj të mendoj se sistemi arsimor, ashtu si dhe fushat tjera, duhet pastruar nga dembelët e jokompetentët. Por, nuk i jep vetes të drejtë të shaj, fyej e linçoj mësuesit. Mbase pse nuk kam qenë ngelcan. Mbase pse shkollimin e mesëm e të lartë i kam kryer në kushte të vështira, për të mos thënë të jashtëzakonshme.

Sa për grevën, qeveria e ka në dorë që, me vullnet politik dhe komunikim pa hile me sindikatat, të gjejë zgjidhje. Ashtu siç e ka në dorë që, më pas, ta reformojë seriozisht sistemin.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera