Lajme

Për herë të parë pas pavarësisë, 4 komunat veriore do të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë

Autori: Gazeta inFokus 09:49 | 24 April 2023

Për herë të parë që nga pavarësia e vendit, katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe, siç janë Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqit, do të udhëhiqen nga kryetarë të nacionalitetit shqiptar. Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Vetëvendosje ka fituar në komunën e Mitrovicës së Veriut me kandidatin Erden Atiq dhe atë të Leposaviqit me Lulzim Hetemin. Ndërkaq, PDK-ja ka fituar Zveçanin me Ilir Pecin dhe Zubin Potokun me Izmir Zeqirin.

Ky rezultat erdhi si pasojë e bojkotit të zgjedhjeve nga Lista Serbe, e cila në të kaluarën fitonte mbi 90% të votës në pjesën veriore të vendit. Pas bojkotit të tyre, procesi u injorua edhe nga qytetarët e nacionalitetit serb, duke bërë që dalja të jetë tejet e ulët. Sipas KQZ-së, nga mbi 45 mijë qytetarë të cilët kanë të drejtë vote, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar vetëm 1567 prej tyre.

Këtij rezultati i ka kontribuuar edhe shteti i Serbisë, të cilët u kanë bërë presion serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se e drejta për të votuar u është ofruar secilit qytetarë me të drejtë vote, dhe se procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë incident.

-Advertisement-

“Sipas informacioneve të vazhdueshme që kemi pranuar nga këto komuna, procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar mundësinë dhe kushtet për të gjithë qytetarët me të drejtë vote në këto komuna, për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe institucionet demokratike”, ka thënë Radoniqi.

Për këto zgjedhje ka reaguar edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë, të cilët kanë shprehur keqardhje për refuzimin e disa partive për të marrë pjesë në zgjedhje. Po ashtu, ata kanë theksuar se e vlerësojnë përpjekjen e Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, sipas ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dalja e ulët në zgjedhje nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike, teksa i ka lëvduar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in për profesionalizmin e tyre.

“Zgjedhjet me një numër kaq të vogël votuesish nuk i kontribuojnë një zgjidhje politike. Është për keqardhje që disa parti nuk morën pjesë. Një pikë pozitive: profesionalizimi i Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. Tash është koha të implementohet marrëveshja e Ohrit”, ka shkruar ambasadori i Francës, Olivier Guerot, në Twitter.

Pas publikimit të rezultateve, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se dy kandidatët e tyre që i kanë fituar zgjedhjet, do të qeverisin në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët pa dallim kombësie apo partie.

Teksa edhe kreu i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, i ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar PDK-në dhe ka potencuar se e rëndësishme ka qenë që procesi ka qenë i rregullt dhe i qetë. Por, sipas tij, mbetet shqetësues fakti i numrit të vogël të qytetarëve që kanë votuar.

“E rëndësishme është që procesi i sotëm ishte i rregullt dhe i qetë. Megjithatë, mbetet shumë shqetësues fakti që situata në pjesën veriore ka degraduar, gjë që u pa edhe nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje. Tani presim nga Qeveria që t’i marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë – për të zbatuar vullnetin qytetar dhe për të mundësuar konsolidimin e institucioneve në katër komunat e veriut”, ka thënë Krasniqi.

Kandidatët e zgjedhur në komunat e veriut do të kenë mandat rreth dy vjet e gjysmë. Gjithsej 19 qendra të votimit i kanë shërbyer procesit zgjedhor, 6 nga to kanë qenë në objekte të zakonshme, ku janë mbajtur zgjedhjet edhe më herët, e 13 të tjera në objekte alternative, apo kontejnerë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera