Fokus

Për çfarë e rrahu arsimtari nxënësin shembullor në Malishevë? (Video)

Autori: Gazeta inFokus 14:50 | 08 March 2019

Nxënësi i klasës së tetë i cili ishte viktimë e dhunës që iu shkaktua nga arsimtari i gjuhës dhe letërsisë shqipe, të enjten gjithë pasditen e ka kaluar duke dhënë deklarata në polici në prani të babait dhe punëtorëve social.

F.K është nxënës shembullor në shkollën “Afrim Krasniqi” në Bardh të Malishevës, që u rrah brutalisht nga arsimtari R.Z i cili ka 36 vite që është punëtor i arsimit.

Për arsimtarin që të enjten rrahu nxënësin në klasë gjatë procesit mësimor drejtori i shkollës ka pranuar shpesh vërejtje.

-Advertisement-

Videoja e bërë nga shokët e klasës së 13-vjeçarit ishte shkas që të zgjonte vëmendjen e institucioneve për të ndërmarr masa ndaj keqtrajtuesit.

Para se të jepte deklaratën e tij në polici, R.Z i kishte thënë drejtorit të shkollës, Faton Krasniqit se është penduar dhe është i shqetësuar pasi bëhej fjalë për një nxënës shembullor.

“Arsyetimi i tij para se ma ardh policia gjatë bisedës më të thoshte se edhe vet është i habitur si ka ardh deri te kjo pikërisht me këtë nxënës, sikur të kish ndodh me nxënës të tjerë që janë më problematik për të do të ishte çështje tjetër, mirëpo me të, habitej edhe ai vet” tha Krasniqi për gazetën inFokus.

Drejtori Krasniqi e kishte marr lajmin nga policia të cilët kishin kërkuar nga ai të paraqitej në polici për deklaratë.

“Policia kanë ardhë pasdite dhe kanë kërku nga unë si drejtor ta thërras mësimdhënësin në fjalë, ka qenë edhe prindi me fëmijën. Kemi shku bashkë me policinë dhe i kemi dhënë deklaratat në Stacion Policor në Malishevë. Unë si drejtor, kujdestari i klasës, personi që e ka shkaktu këtë edhe fëmija me prindin” tregon drejtori Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Qendrës për Punë Sociale në Malishevë, Afrim Zogaj ka thënë se gjendja e fëmijës nuk ka qenë shumë e rëndë, por duhet të vazhdohet përcjellja e rastit.

“Sipas punëtorit social që ishte i pranishëm gjatë intervistimit, nuk ka qenë gjendja shumë e rëndë e fëmijës. Punëtorët e shërbimit social në koordinim me policinë ka shku atje edhe fëmija është intervistu. Tash na prej javës tjetër i fillojmë procedurat për përcjelljen e rastit vazhdimisht” u shpreh Zogaj.

Drejtori i shkollës, Faton Krasniqi ka raportuar edhe në Drejtorinë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, duke kërkuar që rasti të trajtohet konform ligjit.

“Kam raportu edhe në drejtori të Arsimit dhe kam kërku që të merren të gjitha masat. Do të dal në komision disiplinor” tha Krasniqi për gazetën inFokus.

Nën lidhje me këtë ngjarje ka folur drejtori i Arsimit në Komunën e Malishevës, Blerim Thaçi.

Ai tha se janë të njoftuar për atë që ka ndodhur, por për momentit është jashtë shtetit.

“Jemi të njoftuar me rastin dhe po presim veprimet ligjore. Jemi në kontakt me drejtorin e shkollës pasi për momentin jam jashtë shtetit” tha drejtori për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha ka thënë se edhe kryetari, Ragip Begaj ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme disiplinore ndaj arsimtarit që ushtroi dhunë në nxënës.

“Dje është intervistu personi që e ka shkaktu aksidentin edhe nga policia edhe nga drejtori i shkollës. Kryetari ka kërku marrjen e të gjitha masave konform ligjeve. Për momentin arsimtari është arrestu për 48 orë prej policisë. Komuna është duke i ndërmarrë procedurat ligjore, do të caktojmë komisionin disiplinor edhe shqiptimin për të caktuar pastaj masat disiplinore” tha Berisha.

Policia ka raportuar të premten se ka arrestuar të dyshuarin i cili përmes disa video incizimeve të publikuara në rrjete sociale është parë duke e keqtrajtuar një person, shkruan gazeta inFokus.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera