Opinione

Për aq sa ka martesa moment të caktuar jetësor aq ka dhe aplikimi për anëtarësim në BE

Autori: Gazeta inFokus 10:51 | 18 December 2022

Ashtu siç s’ka një moment të caktuar jetësor për martesë përpos të qenit 18 vjeçar/e, s’ka dhe një moment të caktuar për aplikim anëtarësimi në BE. E rëndësishme është që shteti aplikues të ketë para se gjithash vullnet anëtarësimi dhe nga BE të ketë vullnet pranimi. E Kosova e ka vullnetin për anëtarësim në BE, ngase integrimin në BE e ka të paalternativë. Gjithmonë e ka pasur. Ndërkohë që për vullnetin e pranimit të BE-së, zgjidhja e problemit me Serbi është kushti i të gjitha kushteve tjera për fatin tonë të keq.

Por, s’duhet harruar një gjë. Nuk ka anëtarësim në BE pa mbështetje të SHBA-së. Për më tepër duhet ditur që është vetë SHBA ajo që e ka formuar NATO-n për siguri të Evropës dhe BE-në për ekonomi të Evropës, për ta mbajtur kështu Evropën të kthyer kah SHBA e asesi kah Azia. Një Evropë me baza ushtarake amerikane gjithandej territorit të saj, është megainvestimi amerikan në siguri që Atlantiku të jetë me çdo kusht e me çdo çmim nën kontrollin transatlantik. Prandaj, SHBA është vetë çelësi.

Të gjitha zgjerimet e BE-së kanë qenë në funksion të rend-ditës amerikane në mënyrë që edhe BE – krahas zgjerimit të NATO-s – të zgjerohej sa më në lindje, mundësisht deri te kufiri rus, për ta futur kështu në faza të mëvonshme edhe Rusinë në BE, për shkak të resurseve tmerrësisht të mëdha që i zotëron kjo e fundit, e të cilat – sipas Perëndimit – nuk guxojnë me asnjë çmim të bien nën ndikimin e fuqive aziatike në rritje (Japoni, Kinë, Indi, Iran e Vende Arabe).

-Advertisement-

Ajo që dihet është fakti që sa herë që Rusia e ka kërcënuar drejtëpërdrejtë Evropën apo përmes satelitëve të saj (p.sh. përmes Serbisë) vetëm sa është përshpejtuar zgjerimi i NATO-s e BE-së drejt kufirit rus. Edhe sot është e njëjta gjë. Sa më e qetë Rusia aq më e relaksuar SHBA. Sa më agresive Rusia, aq më afër i afrohet NATO e BE nën ombrellën e SHBA-së.

Prandaj, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE po ndodh pikërisht në kohën kur Rusia është duke e sulmuar ushtarakisht Evropën. Pikërisht për këtë është duke ndodhur edhe anëtarësimi i Suedisë e Finlandës në NATO, bashkë me dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë dhe bashkë me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipëri e Maqedoni të Veriut dhe së fundmi dhënien e statusit të kandidatit për Bosnje e Hercegovinë. Pra, të gjitha këto janë përpjekje të fuqishme amerikane për zgjerim të përshpejtuar të NATO-s dhe BE-së drejt lindjes, më saktësisht drejt kufirit rus.

Pastaj, zgjidhja e problemeve politike në Mal të Zi me kishën serbe, në Maqedoni të Veriut me vështirësitë me emër dhe gjuhë si dhe përpjekjet për zgjidhje sa më të shpejtë të problemit Kosovë-Serbi janë projeksione amerikane për t’i mbyllur problemet në Evropë dhe për ta ulur ndikimin rus në rajon dhe Evropë. Një Rusi e lodhur gradualisht nga rezistenca në rritje e Ukrainës i hap rrugë zgjerimit të mëtejmë të NATO-s dhe BE-së drejt lindjes.

Me këto ritme të shtrirjes së NATO-s dhe BE-së sa më afër kufirit rus, Serbia s’do të ketë më asnjë alternativë tjetër përpos kthimit kah NATO e BE. Formimi i Gjyjatës Speciale dhe kërkesa për formimin e Zajednicës për fat të keq janë kompromiset e Perëndimit për kthimin dhe rehabilitimin Serbisë në Perëndim, kjo për faktin që Serbia është në qendër të Ballkanit dhe për fatin tonë të keq i ka të gjitha kapacitetet për ta mbajtur Rusinë, Kinën, Turqinë dhe Vendet Arabe në Ballkan, shtete këto që të gjitha të interesuara në mbjelljen e përçarjes në Ballkan dhe shrirjen e ndikimit të tyre për ta penguar me çdo çmim unifikimin e Evropës.

Pastaj, nxjerrja e listave të zeza nga SHBA për personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë ato shqiptare ka për qëllim shpëtimin e demokracisë së rrezikuar në Evropë, përfshirë hapësirat shqiptare. Mbështetja e reformës së Shqipërisë në drejtësi nga SHBA, ka për qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit në Shqipëri për t’u hapurr rrugë investimeve të huaja, e para se gjithash investimeve të SHBA-së. Shtrirja nga SHBA e një rrjeti ambasadorësh e diplomatësh me përvojë nëpër Evropë e Ballkan është në funksion të shpëtimit të demokracisë së rrezikuar në Evropën e rrezikuar haptazi tanimë nga Rusia dhe aktorë të tjerë joevropianë.

Prandaj, Kosova pengesën kryesore për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE e ka problemin e pazgjidhur me Serbi e shumë më pak mosnjohjen nga 5 shtete anëtare të BE-së. Nëse Kosova e zgjidh problemin me Serbi, ta zëmë gjatë vitit 2023, atëherë me një vullnet të BE-së, kuptohet të shtyrë fuqishëm nga SHBA siç kjo e fundit në fakt është duke e shtyrë edhe sot, s’ka ç’e ndal më hapjen e negociatave për anëtarësim të Kosovës në BE.

Kjo sepse Kosova edhe pa u njohur si shtet nga BE dhe Shtetet Anëtare të saj e ka shembullin e Marrëveshjes Stabilizim Asociim (MSA) të miratuar vetëm nga BE pa pasur nevojë për ratifikim nga Shtetet Anëtare të BE-së. Për më tepër Traktatet e BE-së nuk e parashohin askund që BE duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse këtë punë e bëjnë vetëm shtetet me shtete në baza bilaterale. Nëse Shtetet Anëtare të BE-së e kanë mbyllur njërin sy për MSA, atëherë do ta mbyllin edhe për anëtarësim të Kosovës në BE. Hapësira ligjore ka gjithmonë.

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA përbën shembullin tjetër ndërkombëtar që edhe OKB si e tillë nuk njeh shtete, por vetëm shtetet njohin shtete siç ishte arsyetimi i UEFA-s kur e kishte pranuar anëtarësimin e Kosovës në të. Argumenti tjetër i fuqishëm në favor të Kosovës për marrje statusi kandidati për anëtarësim në BE është vetë dhënia e statusit të kandidatit për Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji, kur dihet që të tria këto shtete kanë territore efektivisht të pushtuara nga Rusia dhe rrjedhimisht nuk i kontrollojnë të gjithë kufijtë e tyre. Kurse Kosova, edhe pse ka probleme shtrirjeje autoriteti në veri, nuk ka territor efektivisht të pushtuar nga Serbia dhe se për dallim prej tri shteteve të lartëpërmendura, kufijtë i ka të siguruar nga NATO.

Prandaj, çelësi i Kosovës për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE është zgjidhja e problemit me Serbi. E zgjidhja e problemit me Serbi kërkon para se gjithash bashkëpunim të Kosovës me SHBA. E të tjerat pastaj janë detaje. E deri të arrijmë te zgjidhja e problemit me Serbi do të duhet goxha punë.

Shkruan: Agron Hoti

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera