Lajme

Për apo kundër bashkimit Kosovë-Shqipëri, çka mendojnë qytetarët në Prishtinë e Tiranë

Autori: Gazeta inFokus 15:05 | 26 November 2021

Këtë të premte është mbajtur takimi i përbashkët në mes të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan Gazeta Infokus.

Edhe këtu nuk u la pa u përmendur Bashkimi Kombëtar.

Ishte pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që foli për këtë punë.

-Advertisement-

Ai madje tha se ndryshimi i shpejtë i simboleve të Kosovës ka shkaktuar traumë në shoqërinë kosovare.

“Mu më duket që ka më shumë një moskuptim sesa keqkuptim, tek çështja e bashkimit të shqiptarëve. Ai nuk është një gjësend të cilin e zgjedhim apo e përzgjedhim. Pra ai është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Prandaj nuk mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”, ka thënë Kurti.

Por çfarë mendojnë qytetarët e Kosovës në lidhje me këtë çështje?

Shumica e të intervistuarve nga Gazeta Infokus përkrahin bashkimin mes dy shteteve.

“Vallahi tjetër zhig nuk kam, edhe duhet mu bashku, veç me u shty shtyhet”, tha njëri nga qytetarët.

E një qytetar tjetër beson se bashkimi e bënë fuqinë. “Ma mirë, ma t’fortë me u bo”.

Por ka edhe të tillë që mendojnë që bashkimi nuk është zgjidhja ideale dhe se edhe se dy shtete fuqizojnë më shumë shqiptarët.

“Nuk don Kosova, se është shtet i pavarur edhe pa thonë Amerika s’bohet kurrgjë”.

Ndërsa dikush kërkon të pyetet kryeministri i Kosovës.

“Auuuu, shko vete Albin Kurtin”

Ndërsa, nga një sondazh të bërë nga Euronews Albania, del se 79,2 për qind e qytetarëve të Shqipërisë janë pro bashkimit me Kosovën.

Sipas anketës katër në pesë shqiptarë të Shqipërisë (79,2%) do të votonin pro bashkimit në një shtet të vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, nëse do të thirreshin sot në një referendum për këtë çështje.

Barometri i Euronews Albania, kushtuar mendimit të qytetarëve të Shqipërisë në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, ka zbuluar se vetëm rreth 16% e shqiptarëve janë kundër bashkimit.

Shumica dërrmuese e shqiptarëve (mbi 90%) mendojnë se Shqipëria dhe Kosova janë një komb i vetëm.

Megjithatë, më pak se gjysma e shqiptarëve mendojnë se një bashkim mes dy vendeve mund të ndodhte në 10 vitet e ardhshme.

Në rast bashkimi, 70% e shqiptarëve mendojnë se kryeqytet duhet të jetë Tirana./Gazeta Infokus/

NË VAZHDIM MUND TË GJENI PËRGJIGJET E QYTETARËVE TË PRISHTINËS:

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera