Lajme

Për 24 orë tre persona gjenden të vdekur, dy të tjerë humbën jetën në aksident

Autori: Gazeta inFokus 11:32 | 05 August 2022

Vetëm në mëngjesin e sotëm, policia raportoi për pesë raste të vdekjes, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas policisë, dy persona humben jetën si pasojë e aksidenteve në trafik.

Njëri nga ta ishte 19 vjeçar, i cili nuk arriti tu mbijetojë plagëve të marra pasi u godit me veturë pas mesnate në Prishtinë.

-Advertisement-

Rastin për Infokus e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se në këtë aksident kanë qenë të përfshirë dy këmbësorë dhe tri vetura, ku njëra prej veturave kë qenë në lëvizje derisa dy të tjerat kanë qenë të parkuara.

Nga ky aksident lëndime kanë pësuar edhe dy persona tjerë.

“Rreth orës 01:20 kemi pranuar informatën se në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, dy këmbësorë dhe tri vetura (një veturë në lëvizje dhe dy të parkuara). Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre persona, një prej tyre (këmbësor) nuk ka arrit të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.
Shoferit të veturës i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, derisa trupi i pajetë i 19 vjeçarit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Aksident tjetër me fatalitet ndodhi në Pejë, ku policia në raportin 24 orësh njoftoi se një person ka humbur jetën pasi që ishte goditur me pjesën e pasme të kamionit.

“Raportohet se është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet përderisa dyshuari mashkull kosovar, ishte duke drejtuar kamionin me ç’rast viktima mashkull kosovar është goditur me pjesën e pasme të kamionit. Si pasoj viktima ka pësuar lëndime vdekjeprurëse. Ne vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet përkatëse policore ndërsa, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet ne IML për obduksion ndërsa, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin.

Gjithashtu, policia sot raportoi edhe për tri raste, ku tre persona u gjendën pa shenja jete.

Një grua u gjend e vdekur ne banesën e saj në Prishtinë, ku sipas dëshmitarëve ajo jetonte vetëm.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Raportohet se një femër kosovare, e cila sipas dëshmitarëve ka jetuar e vetme, është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion”, thuhet në raport.

Një 46 vjecar u gjend i vdekur mëngjesin e sotëm në një lokal në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Lajmin për Infokus e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor.
Gjithashtu, ajo ka njoftuar se rasti është iniciuar si “vdekje e dyshimtë”, ku policia ka nisur hetimin dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike të ekzaminimit.

“Rreth orës 08:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një lokal në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë. Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit mashkull 46 vjeç. Aktualisht policia me kujdes të shtuar ka nisur hetimin e rastit si “vdekje e dyshimtë” dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit” tha Ahmeti.

Ndërkaq, policia në raportin 24 orësh raportoi edhe për një rast ku një person u gjend i vdekur në banesën e tij në Gjakovë.

Sipas policisë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Lidhur me rastin është konsultuar edhe prokurori me vendim të së cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Ndërkaq, rasti po vazhdon të hetohet.

“Raportohet se ne banesën e tij ,është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësorë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për autopsi. Rasti vazhdon të hetohet”, njofton policia./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera