Lajme

Pensioni i parakohshëm për ish-ushtarakët, Kushtetuesja do ta japë vendimin pas 8 muajsh

Autori: Gazeta inFokus 08:05 | 16 October 2017

Pasi është njohur me padinë e ish-ushtarakëve dhe ka shqyrtuar të gjitha ankesat e tyre një për një, Gjykata Kushtetuese do të japë një verdiktin final pas 8 muajsh. “Shekulli” mëson se të gjithë anëtarët e kësaj gjykate do të dalin veçmas me argumentet përkatëse për të vendosur në fund në shumicë nëse përllogaritja e pensioneve do të ndryshojë apo do të ngelet siç është aktualisht. Sipas ushtarakëve, kjo vonesë përbën një padrejtësi të shtuar, teksa ankohen se me vendimin që ka dhënë Gjykata e Lartë, një pjesë e pensioneve e tyre po vidhet.

Ky grupim, i bashkuar tashmë në Federatë kërkon të rifitojë të drejtën ligjore për mënyrën e përllogaritjes së pensionit të parakohshëm, pasi Gjykata e Lartë ua ka mohuar me një vendim unifikues. Edhe pse afati prej 8 muajsh i përmbahet kuadrit ligjor për shqyrtimin e çështjes, kjo për ushtarakët është e patolerueshme, pasi data e mbledhjes nga ana e anëtarëve të Gjykatës është shtyrë disa herë.

Ligji

-Advertisement-

Sipas ligjit, masa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët llogaritet 50 për qind e pagës në bazë të së cilës janë paguar kontributet plus 2 për qind për çdo vit vjetërsie, mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, por kjo masë e 2-përqindëshit, sipas ligjit, nuk duhet të kalojë pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Ndërsa Gjykata e Lartë, me një vendim unifikues të kolegjeve të bashkuara ka përcaktuar se pavarësisht formulës së përllogaritjes, masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk duhet të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi.

“Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vënë në dukje se, në të gjitha ligjet në fushën e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve, kufizimi në shumën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është parashikuar mbi të gjithë shumën e tij, përveç ndryshimeve të fundit të bëra me aktin normativ nr.5/2010, ku është vendosur si kriter dysheme për llogaritjen e tij pensioni bazë i pleqërisë, pra masa më e ulët e pensionit të pleqërisë.

Në kuptim të mënyrës së rregullimit ligjor të këtij pensioni nga legjislatori, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë theksojnë se tavani i vendosur në lidhje me masën e pensionit të parakohshëm në nenin 11 të Ligjit nr.8087/1996, të ndryshuar, duhet të zbatohet mbi të gjithë masën e pensionit të parakohshëm. Pra, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas parashikimit të Ligjit nr.8087/1996, i ndryshuar me Ligjin nr.8521/1999, nuk mund të jetë më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”, thuhet në Vendimin Unifikues nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Pasojat e vendimit të Gjykatës së Lartë

Ankimimin në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim (mbi bazë dokumentesh). Këto shoqata kërkojnë në thelb shfuqizimin dhe pezullimin e ekzekutimit të Vendimit Unifikues nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ish-ushtarakët thonë se nëse ky vendim do të zbatohet, ndaj tyre do të ketë dy pasoja të drejtpërdrejta. E para, me këtë masë ulen gati dy të tretat e pensionit të ushtarakëve. Më e keqja është se nëse ky vendim unifikues miratohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, atëherë të gjithë ushtarakët që kanë fituar gjyqet nga viti 2005 e këtej duhet t’iu kthejnë paratë kompanive të sigurimit.

Debitë

Skema e lënë në fuqi për rillogaritjen e pensioneve është kontestuar fort, duke qenë se krijon premisat për krijimin e debitorëve të rinj në radhët e ish-ushtarakëve që kanë dalë në pension të parakohshëm. Janë rreth 4 mijë persona që kanë fituar gjyqin apo janë ende në proces që preken nga vendimi, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë shtetit shuma që variojnë nga 200 mijë deri në 3.7 milionë lekë. Bëhet fjalë për të gjithë ata që e drejta për përfitim pensioni të parakohshëm ka lindur prej datës 1 janar 1999, deri me hyrjen në fuqi të ligjit nr.1042 në 2009, por pensioni nuk u është caktuar ende. “Gjykata e Lartë ka vendosur të kthejë në debitorë të gjithë ushtarakët të cilëve, pasi në zbatim të vendimit kthehen për rigjykim çështjet e tyre nga Kolegji Administrativ në Apelin Administrativ dhe ato që janë në Apelin Administrativ të kthehen në shkallën e parë Administrative me synimin e qartë rrëzimin e padive të ushtarakëve.

Gjykata: Si përjashtohen avokatët nga TVSh

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin që rrëzoi pjesërisht aktin administrativ, sipas të cilit avokatët do të duhet të paguanin TVSH-në duke filluar nga zero. Në korrik të këtij viti, Gjykata shfuqizoi pjesërisht aktin administrativ, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, neni 11, pika 2, përcaktimi i kufirit minimal për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSh).  Ky vendim erdhi pas padisë që dërgoi në Gjykatën e Lartë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundër Këshillit të Ministrave, pasi ligji për TVSh-në në pikën 2 të nenit 11 për sa i përket profesionit avokat, në lidhje me vendosjen e kufirit minimal të regjistrimit për TVSh, caktonte se avokatët detyrohen të llogarisin, të deklarojnë dhe të paguajnë TVSh në vleftën 20% të çmimit të shërbimit të kryer, pavarësisht xhiros vjetore të realizuar.

Pas vendimit të Gjykatës, avokatët kanë detyrimin për llogaritjen dhe pagesën e TVSH i nënshtrohen vetëm ata avokatë apo zyra avokatie, niveli i xhiros vjetore të të cilëve e kalon shumën e 5 milionë lekë të reja në vit. Në zbardhjen e vendimit, Gjykata argumenton se “në interpretim të dispozitave të ligjit rezulton qartë që Këshilli i Ministrave duhet të përcaktojë vetëm kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në por jo të përcaktojë ndonjë rregullim tjetër apo kufi tjetër minimal regjistrimi për TVSH-në për subjekte të veçanta pasi në asnjë rast ligji nuk e përcakton shprehimisht që Këshilli i Ministrave i ka kompetencat për të përcaktuar kufi minimal të ndryshëm për subjekte apo profesione të veçanta”.

“Nxjerrja e dispozitave të tilla nga Këshilli i Ministrave, duke përcaktuar kufi minimal të ndryshëm regjistrimi për profesione të veçanta, pa qenë në asnjë nga kushtet e parashikuara nga neni 117 i ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” sjell faktin që pala e paditur ka vepruar jashtë kompetencave ligjore të dhëna nga ligji organik dhe për rrjedhoje ky përcaktim i parashikuar në nenin 11/2 të VKM nr. 953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, për profesionin e avokatit, është absolutisht i pavlefshëm”, thotë gjykata në vendimin e zbardhjes. Për këtë arsye, Gjykata vendosi Shfuqizimin pjesërisht të aktit administrativ VKM nr. 953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” në nenin 11, pika 2, për profesionin e avokatit./shekulli/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera