Lajme

Peci tha se AAK paguan në Ulpianë 2 euro metrin katror, reagon AAK-ja

Autori: Gazeta inFokus 14:31 | 24 December 2021

Deklaratat e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, të cilat ai i ka dhënë në nëntor të këtij viti, kanë nxitur reagim nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ministri Peci kishte deklaruar se AAK-ja e paguan vetëm dy euro metrin katror, për objektin e selisë qendrore të partisë e që është pronë e ministrisë që ai drejton.
Madje ai kishte zbuluar se ky subjekt politik madje nuk e ka paguar qiranë në gjashtë muajt e fundit.

“Nuk mundet që një objekt në qendër të Prishtinës, në Ulpianë me e pas 2 euro për metër katror. Kjo është e shfrytëzuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës…Gjithashtu ka gjashtë muaj që nuk i ka bërë kompensimin Ministrisë së Bujqësisë. Ata paguajnë dy euro për metër katror derisa vlera e tregut është 20 euro për metër katror”, ka thënë ministri Peci.

-Advertisement-

Por këto deklarime të tij, AAK-ja i ka cilësuar si sajim të ministrit Faton Peci.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, AAK-ja ka thënë se kjo parti paguan dy mijë e 450 euro për qira mujore.

“Deklaratat e ministrit Peci me 26 nëntor 2021, në një studio televizive se Aleanca paguan vetëm 2 euro për metër katror dhe se i ka 6 muaj borxh për qira, nuk qëndrojnë dhe janë thjeshtë sajime të tij. Kjo sepse:

1.Aleanca paguan 2450 euro qira mujore sipas kontratës që e ka me Ministrinë e Bujqësisë, dhe nuk ka asnjë cent borxh ndaj qiradhënësit. Pagesa e fundit, për muajin dhjetor 2021, është bërë me datë 12 tetor 2021, pra 6 javë para deklaratave tendencioze të ministrit.
2.Aleanca nuk e shfrytëzon objektin në tërësi, sepse një kat i tij shfrytëzohet nga AKP dhe Agjencia Kadastrale (për dokumentacion), një pjesë e objektit është njësi banimi për një familje, si dhe bodrumi është i pashfrytëzueshëm. Aleanca e shfrytëzon vetëm katin e dytë dhe pjesërisht katin e parë, asnjë centimetër më shumë, e për këtë është e informuar edhe Ministria që e udhëheq Peci, që nga koha kur e kemi nënshkruar kontratën me ta”, thuhet në reagim.

Përveç kësaj në këtë postim janë bashkangjitur edhe dy fotografi, ku shihet pagesa e kryer për muajin dhjetor.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera