Lajme

PDK: Komisioni Parlamentar duhet të hetojë lidhjet e Qeverisë me “Kartelin e Rrymës”

Autori: Gazeta inFokus 15:18 | 25 April 2022

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media, thotë se e konsideron të domosdoshëm formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike në vend dhe iu ka bërë ftesë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, pa dallime partiake, që të mbështesin këtë iniciativë që ka për qëllim kryesor transparencën e plotë para qytetarëve të Kosovës, rreth shpenzimit të mbi 100 milionë eurove nga qeveria aktuale, për blerje të energjisë elektrike gjatë krizës dhe shtrenjtimin e saj për qytetarët e Kosovës.

Përmes komunikatës, PDK krahas hetimit të plotë parlamentar, ndër të tjera kërkon që presidentja dhe kryeministri të veprojnë me urgjencë për ta larguar nga detyra ambasadorin Martin Berishaj dhe për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e tij në “Kartelin e Rrymës”, ndërlidhjet me kompaninë energjetike GEN-I me adresë në Serbi, si dhe për të zbuluar arsyet e fshehjes së deklarimit të pasurisë nga ana e tij.

“Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që të ndalojnë pengimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të zbardhë para opinionit publik shpenzimin e parasë së qytetarëve të Kosovës dhe lidhjet potenciale të “Kartelit të Rrymës” me Qeverinë e Kosovës gjatë krizës energjetike. Një hetim parlamentar, transparent dhe i hapur, ku do të përfshiheshin deputetët e pozitës dhe opozitës, tanimë është interes kombëtar. Ky Komision Hetimor Parlamentar do të monitorohet nga ekspertë e anëtarë të shoqërisë civile dhe mediat, ku të gjithë do të shohin se ku, si dhe kujt u janë dhënë mbi 100 milionë euro të taksave të qytetarëve dhe si ndodhi që krahas shpenzimit të mbi 100 milionë eurove qytetarëve të Kosovës sërish u ngrit çmimi i energjisë elektrike për më shumë se 100 përqind”, thuhet më tej.

-Advertisement-

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University

Të tjera