Lajme

PDK kërkon dorëheqjen e Mytaher Haskukës

Autori: Gazeta inFokus 14:23 | 18 December 2019

Dega në Prizren e Partisë Demokratike të Kosovës përmes një njoftimi kanë kërkuar dorëheqjen

Mytaher Haskukës, kryetarit të tanishëm të Prizrenit, i cili është nga Vetëvendosje.

Në këtë njoftim thuhet se LDK e VV derisa ishin në opozitë ishin shumë të zëshme, bile edhe pa vend, për të kritikuar qeverisjen në këtë qytet, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

Madje, thuhet edhe që këto parti shpesh këkronin shkarkimin e drejtorëve me aktakuza, por edhe dorëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.

“Asokohe, partitë opozitare që tani janë në koalicion qeverisës të udhëhequr nga Vetëvendosje, proklamonin qeverisje me duar të pastra, duke manipuluar opinionin dhe duke premtuar standard qeverisës më të lart, kur ata të vijnë në pushtet”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Në njoftim PDK ka listuar edhe disa raste që këta i quajnë si dështime të qeverisës së Haskukës, shkruan gazeta inFokus.

“Gjatë fushatës elektorale, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, z. Haskuka në mënyrë frontale, disa herë pa arsye, ka kritikuar në mënyrë shumë agresive, pothuajse çdo gjë që ka pasur lidhje me pushtetin e atëhershëm lokal në Prizren. Vetëvendosje ka premtuar mrekulli, në momentin kur e merr pushtetin. Por çka po ndodh në vazhdimësi, gjatë qeverisjes së z. Haskukës në Prizren, në këto 2 vitet e fundit ? Për më pak se 2 vite, koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje, kanë arritur t’i kenë 4 drejtorë me aktakuza. Nga ta, 1 drejtor kohë më parë është tërhequr, kurse 3 drejtorë të tjerë, tashmë qe 2 javë janë me aktakuza. Kohë më parë, akoma pa u bërë drejtorë, personat me iniciale F. M. dhe E. O. kanë qenë të dënuar nga organet e drejtësisë dhe ky fakt tregon se sa ka qenë i kujdesshëm, kryetari Haskuka në emërimin e drejtorëve, si dhe me çfarë kritere i ka selektuar ata!”, thuhet tutje në njoftim.

Kështu, këta vazhdojnë duke thënë që veprimet që janë kritikuar nga Haskuka për qeverisjen e PDK-së, tashti po i realizon vet.

“Të gjitha ato veprime, për të cilat e kanë kritikuar qeverisjen e PDK-së, koalicioni qeverisës po i bënë tani, vetëm se në një kohë më të shkurtër dhe në një formë më të ashpër. Kur e themi këtë, e kemi parasysh faktin se gabimi i njëjtë i bërë 7-8 vite, më vonë ka peshë më të madhe specifike. Për çudi, kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, vazhdon që për dështimet e tij, ta akuzoj akoma PDK-në, e cila tashmë e ka paguar faturën për lëshimet e veta”, ka njoftuar PDK.Madje ata përmendin edhe rastet ku Haskuka pretendon se prokuroria e gjykata po shkaktojnë pengesa në punët e komunës.“Z. Haskuka nuk po ndalet me kaq, po vazhdon të kritikoj dhe në raste të veçanta të akuzoj edhe shoqërinë civile, pra OJQ-të, që po e ‘’sabotojnë’’ dhe duke kritikuar pa bazë, se kinse po e pengojnë në punë. Siç duket është mësuar Myta që shoqërinë civile, ta përjetoj si aleate të pakusht dhe të përhershme, duke harruar kështu se shoqëria civile, prioritet e ka kualitetin e jetës në qytetin e Prizrenit dhe është e natyrshme dhe e pritur që e kritikojnë pushtetin për dështime, pavarësisht se cila parti për momentin mund të jetë në qeverisje”, thuhet në njoftim.

Kësisoj dega e PDK-së në Prizren ka kërkuar që Haskuka t’i shkarkoj drejtorët e akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe të jap vet dorëheqje, shkruan gazeta inFokus.

“I rekomandojmë z. Haskukës, që pas të gjitha këtyre dështimeve, për më pak se 2 vite qeverisje, seriozisht ta shqyrtoj mundësinë e dorëheqjes së tij si akt moral dhe të largohet nga posti, i cili me përshkrim të detyrave që duhen kryer si Kryetar i Komunës, shumëfish i tejkalon potencialet dhe kapacitetet e tij menaxhuese”, thuhet në fund të njoftimit./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera