Lajme

PDK-ja me disa kërkesa për Qeverinë, ndër to të ndahen nga 100 euro në muaj për të punësuarit dhe të papunët

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 15 April 2022

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci përmes një konference për media të premten ka kritikuar Qeverinë Kurti për diskriminim të qytetarëve lidhur me vendimet e fundit për përcaktimin e pagës minimale dhe ndarjes së 100 eurove për disa kategori.

Stavileci kërkoi që Qeveria të ndajë nga 100 euro në muaj për të gjithë punëtorët dhe të papunët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Pagave dhe Ligjit për Pagën Minimale.

“Edhe përkundër vështirësive të shumta me të cilat po përballen sot qytetarët e Kosovës, tri krizave më të mëdha në historinë e tyre më të re, pandemisë, shtrenjtimit astronomik të çmimit të rrymës dhe ngritjes marramendëse të çmimeve të prodhimeve elementare për jetesë, qeveritarët tanë, ironikisht krejt kundër me atë për çfarë kanë marrë besimin e tyre, po e thellojnë hendekun e pabarazisë shoqërore pikërisht me taksat e vetë qytetarëve. Tani kur edhe inflacioni i çmimeve shënoi rekordin më negativ dyshifror për ta goditur akoma më shumë mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë, qeveritarët në vend të lehtësimit të kësaj goditjeje dhe rëndimi, zgjodhën goditjen e sërishme nëpërmjet mosdëgjimit të kërkesave të tyre, anatemimit dhe diskriminimit”, theksoi Stavileci.

-Advertisement-

Sipas tij, qytetarët me shumë të drejtë, po kërkojnë që paga minimale të jetë më e lartë nga ajo që ka propozuar qeveria dhe se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro.

Ndërkaq, sekretari për organizim dhe zgjedhje i PDK-së, Betim Gjoshi e ka quajtur të papranueshëm diskriminimin që Qeveria Kurti po ua bën veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij, ditë më parë, në vendimin për ta bërë pagën minimale në 250 euro, Qeveria Kurti i ka përjashtuar tërësisht veteranët.

“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të vazhdojnë të mbesin të diskriminuar, të përbuzur dhe të ofenduar. Përbuzja dhe ofendimi bëhen edhe më të rënda kur vijnë nga ata që drejtojnë institucionet kryesore të shtetit, të cilat kanë obligime ligjore dhe morale ndaj tyre. Të gjithë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, por jo edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk e braktisën kurrë Kosovën as në kohën më të rëndë të saj”, ka thënë Gjoshi.

Për këtë arsye, PDK-ja ka përpiluar disa propozime dhe hapa konkret që Qeveria duhet të marrë urgjentisht, për t’ua kthyer dinjitetin burrave dhe grave që ishin pjesë e UÇK-së.

“1. PDK-ja propozon që Qeveria duhet te vazhdoj të ju ndajë veteranëve pagë, së paku në lartësinë e pagës minimale, derisa të bëjë kategorizimin e tyre. 2. Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë Kurti që të nisë menjëherë pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së dhe kategorizimin e tyre. Ashtu siç kemi thënë shumë herë, me këtë hap jo vetëm që do të ndaloheshin përfitimet financiare për mashtruesit, por do t’i bënim nderë edhe historisë, duke larguar mashtruesit e falsifikatorët nga historia e UÇK-së, të cilës nuk i kanë takuar asnjëherë. 3. Partia Demokratike e Kosovës e fton Kryeministrin Albin Kurtin që të bëhet i pari që heq dorë nga të qenit veteran i rrejshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fjalët e vartëses së tij, si mund t’i thotë vetes veteran dikush i cili nuk e ka veshur asnjë minutë uniformën e UÇK-së?! Prandaj, Kryeministri Kurti duhet t’i jap fund mashtrimit të tij se ka qenë pjesë e një historie pa i takuar kurrë asaj”, ka thënë Gjoshi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera