Lajme

PDK dhe LDK nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit në komunën e Malishevës

Autori: Gazeta inFokus 20:57 | 08 November 2021

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për komunën e Malishevës, Isni Kilaj, edhe zyrtarisht ka bërë marrëveshje me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Hoti, për balotazhin në këtë komunë me 14 nëntor, shkruan Gazeta inFokus.

Koalicioni ndërmjet këtyre dy partive është nënshkruar sot (e hënë) në ditën e parë të fushatës zgjedhore.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Kilaj në një tubim zgjedhor të mbajtur në fshatin Drenoc të komunës së Malishevës.

-Advertisement-

“Ne kemi një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, po sot gjithashtu dua t’ju njoftoj se kam nënshkruar edhe zyrtarisht marrëveshjen për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sot e kemi nënshkruar një marrëveshje të tillë e cila do të jetësohet ditëve në vijim. Kemi po ashtu mbështetjen e të gjitha strukturave të Vetëvendosjes, të Listës Guxo dhe kemi mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Malishevës”, ka thënë Kilaj në prezencë të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit dhe strukturave të PDK-së dhe LDK-së në komunën e Malishevës.

Në balotazh Kilaj do të përballet me Ekrem Kastratin e Nismës Socialdemokrate.

Në zgjedhjet e 17 tetorit kandidati nga PDK, Isni Kilaj ka dalur i dyti, ku ka marrë gjithsej 6.383 vota apo 28.82%, ndërsa i pari kishte dalur kandidati nga NISMA, Ekrem Kastrati, i cili ka marrë 7.548 vota apo 34.08%.

Ndërsa kandidati nga LDK-ja, Bajrush Hoti, ka marrur 3.738 vota apo 16.88%.

Zgjedhjet për balotazh në 24 komunat e Republikës së Kosovës do të mbahen të dielën e 14 nëntorit./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera