Lajme

PDK dhe AAK propozojnë 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta

Autori: Gazeta inFokus 15:40 | 31 July 2024

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ka propozuar 26 janarin si datë optimale për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.

Ai ka thënë se “meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme”.

“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje.”

-Advertisement-

Krasniqi ka shtuar se PDK është gati për zgjedhje në çfarëdo kohe.

“PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian. PDK, sikur në secilën periudhë të rëndësishme të vendit tonë, do jetë aty për të dhënë kontributin e saj për shtetin dhe qytetarët. E, në zgjedhjet e reja nacionale, do të jetë aty edhe me platformën, kandidatin për kryeministër dhe listën më të mirë zgjedhore, për t’u ofruar qytetarëve alternativën që u ka munguar në katër vitet e fundit.”

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit ka thënë se ka propozuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar të vitit 2025.

“Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare”, ka thënë Haradinaj.

Statusi i plotë i Haradinajt:

Të dashur qytetarë

Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare.

Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja.

Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim.

Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera