Lajme

Pazaret me libra: Nxënësit detyrohen të blejnë libra shtesë jashtë atyre që i marrin falas

Autori: Gazeta inFokus 20:01 | 05 October 2021

Familjarët e nxënësve që vijojnë mësimet në shkollat publike në Kosovë nuk e kuptojnë arsyen se pse fëmijët e tyre po detyrohen të blejnë libra shtesë jashtë atyre që Ministria e Arsimit ua siguron falas, shkruan Gazeta Infokus.

Furnizimi me tekste shkollore falas nga Ministria, bëhet çdo vit për nxënësit e klasave të para e deri tek nxënësit e klasave të nënta.

Ndërsa këtë vit shqetësimi kryesor i prindërve ka qenë mungesa e librave të klasave 6-9, ku ende nuk janë kompletuar në shkollat e Prishtinës.

Në këtë shqetësim është edhe detyrimi nga mësimdhënësit që nxënësit të blejnë materiale shtesë, e që këta libra janë jashtë kutikulave që i parasheh Ministria.

Në lidhje me këtë problematikë njohësi i fushës së Arsimit në Kosovë, Rinor Qehaja nga instituti EdGuard, tha se në sistemin mësimor nuk mund të përdoren tekste shkollore jashtë katalogut të publikuar nga MASHTI.

Qehaja në një prononcim për Gazetën Infokus shtoi se përkundër kësaj mësimdhënësi është i lirë që të përzgjedh tekste alternative, por ajo çfarë ka munguar ka qenë financimi i atyre librave nga MASHTI.

“Ajo çka ka munguar deri në këtë vit shkollor, është financimi I MASHT për tekstet alternative po ashtu, kjo, këtë vit është rregulluar”, tha Rinor Qehaja për Infokus-in.

Sipas Rinorit mësimdhënësit kanë të drejtë të shfrytëzimit të materialeve mësimore, por jo tekste të tjera.

“Në të njëjtën kohë mësimdhënësit kanë të drejtë të shfrytëzimit të materialeve mësimore (jo tekste mësimore) tjera – kjo u garantohet me kurrikulën me zgjedhje. Keqpërdorimi eventual I kësaj pastaj do të duhej të jetë subjekt I investigimit nga organet përkatëse”, shtoi Qehaja për Infokus-in.

Në lidhje me këtë Gazeta Infokus ka kontaktuar me Këshillin e Prindërve të Komunës së Prishtinës, ku ka konfirmuar problemin me furnizimin e librave.

Në një prononcim për Infokus-in kanë thënë që ky problem vetëm po e stërgjatë fillimin normal të procesit mësimor.

“Aktualisht shqetësimin kryesor e kemi me mungesën e librave, sidomos për ciklin e klasave 6-9, që ende nuk janë kompletuar në shkollat e Prishtinës. Kjo vetëm po e stërzgjat fillimin e mësimit normal e të plotë nëpër shkolla”, kanë thënë nga Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës.

Gazeta Infokus gjithashtu ka kërkuar përgjigje në lidhje me këtë problematikë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por që tashmë e që 6 ditë nuk ka pranuar asnjë përgjigje./Gazeta Infokus/

Të tjera