Lajme

Pazar për poste apo skenar për ta dështuar koalicionin VV – LDK?!

Autori: Gazeta inFokus 17:47 | 02 December 2019

Tashmë janë bërë dy muaj që prej se janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Por, pavarësisht kësaj, zgjedhjet nuk u certifikuan deri para pak ditësh, shkruan gazeta inFokus.

Megjithatë, thuajse as 24 orë pasi u mbajtën zgjedhjet e 6 tetorit, ishte i ditur fituesi.

-Advertisement-

Vetëvendosje doli e para e LDK e dyta.

E pikërisht këto dy parti, që deri tash ishin në opozitë, jo veç pas mbajtjes së zgjedhjeve, por edhe para tyre filluan takimet, shkruan gazeta inFokus.

Në fillim, para 6 tetorit, takimet mbaheshin që të hynë bashkë në zgjedhje.

Madje kishte raste që thuhej se koalicioni tanimë është arritur, por që kanë mbetur vetëm disa gjëra teknike.

Por, kjo dështoj, pasi edhe LDK e edhe Vetëvendosje synonin postin e Kryeministrit, e para e vendosi Albin Kurtin e e dyta Vjosa Osmanin.

Madje edhe nga shumë analistë e oponentë politikë ishte vënë në dyshim se tentimi për koalicionin e shumëpërfolur në mes të LDK-së e Vetëvendosjes ishte më shumë i imponuar për shkak të frymës së krijuar për ndryshim nga qytetarët, të cilët edhe vendosën që opozita e deritashëm të dali e para në zgjedhjet e jashtëzakonshme e jo ata që mbajtën pushtetin, se sa që kishte vullnet të dyanshëm për një bashkëpunim të tillë.

Kjo duke marrë për bazë edhe qëndrimet diametralisht të kundërta që kanë të dy subjektet politike, madje edhe përcaktimin e tyre ideologjik që Vetëvendosje i takon krahut të majtë e LDK krahut të djathtë.

E kur filloi fushata zgjedhore ani se të dy këto ishin opozitë, nuk munguan akuzat ndaj njëra tjetrës, e sidomos nga LDK, shkruan gazeta inFokus.

Madje, nënkryetari i partisë, Albin Kurtit, nuk i referohej në emër, por në një gjetje të tij kreative, Mr. Bean.

“Edhe ky lideri tjetër që u ba si Mr.Bini ka hy në kravatë e u qethë nuk mundet dhe nuk ka të drejtë, nuk mundet për tri arsye që Vjosa duhet me u ba kryetare e kuvendit, na i kena thanë jo Vjosa ka me u ba kryeministre. Është e pandershme me ju thanë njerëzve që këta fitojnë e shkojnë ata, po mundohen lojën e djallit me ba me qytetarët”, pati deklaruar Lutfi Haziri.

Bile Haziri kundër një koalicionit me Vetëvendosjen ishte edhe para zgjedhjeve, ku kishte përmendur një numër problemesh që mund të ndikojnë në një bashkëpunim të mundshëm mes dy partive.

“Raporti i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj figurës së Rugovës si lider e themelues i kësaj Republike mund të jetë determinues për mundësinë e bashkëpunimit nesër. Tash për tash, mosbesimi mes dy partive tona është i madh dhe kjo ka ndodhur, jo vetëm nga kontestimi i figurës së Rugovës, por edhe ai agresiviteti opozitar karshi Qeverisë Mustafa, që ka qenë i paparë deri në këto kohë dhe i papërsëritshëm, ndoshta”, pati deklaruar Haziri.

E pikërisht sot, më 2 dhjetor kur u mbajt takimi në mes të Isa Mustafës e Albin Kurtit, është edhe ditëlindja e ish-Presidentit të Kosovës e ish-Kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugovës.

Kështu, as kësaj radhe, Albin Kurti, nuk shkoi tek varri i tij, ndryshe nga liderët tjerë.

Kurtin në Gusht të këtij viti edhe pati treguar për arsyen se pse nuk ka shkuar deri tash tek varri i Rugovës, n’Konak me Kosovë Gjocin, emision televiziv i gazetës inFokus.

E tash kur u takuan me Isa Mustafën për të arritur marrëveshjen e koalicionit qeverisës, nga takimi të dy këta dolën vetëm me arsyetimin se marrëveshja nuk u arrit, por që do të ketë edhe takime tjera.

“Avancim në diskutimet që kemi bërë ka e atëherë kur do të kemi marrëveshjen e plotë do të mund ta shpalosim gjerë e gjatë, përfundon takimi i sotëm, jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së për takimin e ardhshëm e të avancojmë drejtë marrëveshjes”, ka thënë Kurti.

“Patëm një bisedë përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është vështirë të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm i qëndrueshëm katërvjeçar, natyrisht se kemi pas pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës e çështjeve që janë harmonizuar deri më tani ndërmjet grupeve punuese kemi edhe çështje tjera që i kemi biseduar me z. Kurtin për t’cilat do të punojmë të arrijmë përafrim e qëndrime të përbashkëta të cilat pastaj mund t’i ndihmojnë bërjes së koalicionit sot nuk ka marrëveshje për koalicion por të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë e hulumtojmë rrugë që të përafrohemi në qëndrimet tona”, tha Isa Mustafa.

Kujtojmë se zyrtarë të të dy këtyre partive, thuajse në çdo paraqitje televizive që e kishin deri tash, deklaronin se marrëveshja do të arrihet posa të certifikohen zgjedhjet, dhe se postin e shefit të qeverisë do ta marrë ai kandidat me qoftë edhe një votë më shumë./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera