Lajme

Patentë-shoferi i Kosovës mund të përdoret për transit në shumicën e vendeve të BE-së

Autori: Gazeta inFokus 11:51 | 10 March 2018

Patentë-shoferi i Republikës së Kosovës mund të përdoret për transit pothuajse në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, konfirmon Ministria e Punëve të Brendshme.

Kur kjo ministri lansoi ditë më parë patentë-shoferin me dizajn të ri, shumë qytetarë u ankuan se dokumentet e lëshuar për vozitje nga institucionet e Kosovës nuk po u njihen në shtetet e huaja.

Mirëpo, MPB-ja deklaroi se nuk ka informacione se patentë-shoferi i Kosovës nuk pranohet jashtë vendit.

-Advertisement-

“Nga praktika e deritanishme, patentë shoferi i RKS mund të përdoret për transit pothuajse në komunikacionin rrugor të shteteve të BE-së dhe me mundësi të përdorimit të tij për një afat të caktuar kohor si p.sh. Gjermania 6-9 muaj. Nuk kemi informacion se ndonjë shtet i BE-së nuk e pranon për komunikacion rrugor transit duke pasuar parasysh edhe lëvizjen e qytetarëve tanë në këto shtete”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Më herët këtë problem e kishte adresuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, ku kishte deklaruar se bizneset në Kosovë janë të diskriminuara sa i përket transportit të mallrave, për shkak të mungesës së dokumenteve të automjeteve për lëvizjen e lirë nëpër vende, si dhe mosnjohjen e patentës së shoferit të lëshuar nga institucionet e Kosovës.

Më saktësisht OEK kishte përmendur Austrinë, duke thënë se ky shtet nuk e pranon patentë-shoferin e Kosovës.

MPB-ja thotë se qytetarët mund të ndërrojnë lejen e vozitjes të RKS-së në atë të shteteve të BE-së.

“Lidhur me çështjen e njohjes së patentë shoferëve nga shtetet e huaja, në disa shtete siç është Sllovenia , Kroacia , patentë shoferi i Republikës së Kosovës mund të ndërrohet me patentë shofer të këtyre shteteve. Nga praktika kemi mjaft raste kur qytetarët tanë kanë bërë përkthimin e patentë shoferëve të RKS-së në këto shtete por edhe në disa tjera si Mali i Zi pastaj Franca etj edhe për kundër asaj se nuk kemi marrëveshje për njohjen reciproke të patentë shoferëve”, thuhet në përgjigjen e tyre për AktivPress.

Ministria Punëve të Brendshme ka konfirmuar se është në diskutime për të lidhur marrëveshje reciproke për njohjen – ndërrimin e patentave të RKS-së me patentë shoferë të shteteve të huaja.

Aktualisht, MPB-ja është në negociata me Republikën e Maqedonisë dhe Republikën e Italisë, por ende nuk ka konkretizim të këtyre marrëveshjeve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera